Çikat me def këndojnë sonte në “DokuFest”

Kultura August 07, 2018 - 08:24

Po vijon në Prizren këtë të mërkure dita e pestë e festivalit ndërkombëtar të filmit të shkurtër e dokumentar “DokuFest” shkruan sot gazeta "Zëri". 

Në dhjetë terminë të ndryshëm gjatës ditës po shfaqen dhjetëra filma që u takojnë metrazheve e zhanreve të ndryshme derisa interesimi i vizitorëve për të parë filma është përgjithësisht i madh. Qoftë në “KinoKala”, “DokuKino”, “Lumbardhi”, “Kino Andrra”, ose në të tjerat, programi i “DokuFest”-it po tërheq artdashësit para ekraneve.

Përveç kësaj në “DokuFest” po vazhdojnë edhe mbrëmjet muzikore. Për të mërkurën është planifikuar një program i veçantë. Bëhet fjalë për performancën e çikave me këngët e tyre në kalanë e qytetit, në orën 20:00. Një grup do të interpretojë këngë popullore të çikave me def, si dhe këndimin e rrallë e karakteristik me gisht në fyt, duke sjellë histori të sinqerta dhe zëra të padëgjuar. Performanca është organizuar në bashkëpunim dhe me mbështetjen e CHwB-së, me qëllim të përbashkët për të shënuar trashëgiminë shpirtërore të Kosovës.

Kjo performancë konsiderohet si një nga më të veçantat në mesin e mbrëmjeve muzikore të “DokuFest”-it sivjet. Rikujtojmë se ky festival nisi më 2 gusht dhe do të zgjasë deri më datën 11 gusht 2018.