Nënshkruhet vendimi për selinë e Shtabit të Brigadës 121 dhe për Shtëpinë e Kulturës në Runik

Kultura July 24, 2018 - 11:26

Ministri i Kulturës, i Rinisë dhe i Sportit, Kujtim Gashi, duke u bazuar në legjislacionin në fuqi për trashëgimi kulturore, respektivisht në rekomandimet e grupit punues lidhur me shqyrtimin dhe me vlerësimin e kërkesave dhe të propozimeve të institucioneve, ka miratuar dy vendime për përfshirje të pronave në kuadër të Listës së Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme selinë e Shtabit të Brigadës 121- komandant “Kumanova” në fshatin Krojmir, komuna e Lipjanit, dhe Shtëpinë e Kulturës në fshatin Runik.

Të dyja këto prona veçohen për vlerat e historike, arkitektonike, shoqërore, kulturore dhe shpirtërore. Vendimet në fjalë, të nënshkruara nga ministri Gashi, i obligojnë më tutje institucionet përkatëse të trashëgimisë kulturore që menjëherë të fillojnë hartimin e projekteve të detajuara të konservimit-restaurimit dhe t’i bashkërendojnë të gjitha veprimet me institucionet e nivelit lokal.

"Përfshirja e këtyre dy pronave të trashëgimisë sonë e pasuron edhe më tej Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme. Në deklarimet tona të mëhershme kemi premtuar se viti 2018 do të jetë vit i trashëgimisë kulturore dhe unë si ministër dhe Ministria e cila udhëheq bashkërisht po përpiqemi maksimalisht ta zotojmë këtë premtim” u shpreh me këtë rast ministri Gashi.

Gjithashtu Gashi theksoi edhe faktin se përfshirja e tyre në listë kërkon edhe përmbushje tjera të detyrimeve, prandaj bashkëpunimi dhe bashkërenditja e veprimeve me institucionet tjera të niveli lokal, si dhe pronarët, poseduesit dhe shfrytëzuesit e tyre është e domosdoshme deri në funksionalizim dhe në promovim të vlerave të trashëgimisë kulturore.

Artisti Petrit Halilaj më herët gjatë këtij muaji në Runik ka realizuar performancën “Shkreptima”, e cila përfshin skulptura që lëvizin, drita dhe skenografi të krijuar nga rrënojat e Shtëpisë së Kulturës, projekt që i dedikohet të gjitha ëndrrave të qytetarëve të Runikut.

Petriti është i njohur për punën e tij artistike, e cila është prezantuar nëpër vende të ndryshme në botë. Ai po ashtu njihet edhe për përfshirjen e historisë së qytetit të tij në këto punime. Mund të përmendim këtu ekspozitën e tij në Nju-Jork që përmbante rikrijime të shumta të relikteve të gjetura në Runik.Zëri