Një dekadë me “PriFest”-in

Kultura July 14, 2018 - 09:23
Lexo detajet

Të martën (17 korrik) festivali “PriFest” ndez ekranet e kinemave në Prishtinë, duke nisur kështu edicionin e 10-të. Në këtë edicion jubilar ky festival sjell në kryeqytet një javë maratonike të filmave deri të dielën (22 korrik). Në një intervistë për gazetën “Zëri” drejtoresha e festivalit, Vjosa Berisha, flet më gjerësisht për këtë edicion të “PriFest”-it dhe aktivitetet që do të organizohen gjatë javës së ardhshme, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Jemi në prag të edicioni të 10-të të festivalit “PriFest”. Sa keni arritur t’i finalizoni punët, duke përfshirë këtu caktimin e hapësirave, përpilimin e programeve dhe pritjen e mysafirëve?

Jemi në prag të fillimit të edicionit të 10-të jubilar dhe tani të gjitha parapërgatitjet kanë mbaruar. Programet e filmave në të gjitha kategoritë garuese dhe jogaruese janë publikuar, sikurse edhe hapësirat dhe orari i shfaqjes së filmave. Çdo gjë është gati për të filluar java e filmit në Prishtinë, një javë e mbushur me filmat më të rijnë evropianë dhe të rajonit, me mysafirë të shumtë dhe me kënaqësinë e krijimit të miqësive të reja mes kineastësh të vendeve të ndryshme. Prishtina nga 17-22 do të jetë pikëtakim i filmbërësve të rajonit dhe atyre nga Evropa dhe publiku i Kosovës ka një mundësi unike të përcjellë më të renë nga filmat artistikë dhe ata dokumentarë të metrazheve të ndryshme.

Sivjet festoni dekadën e parë të funksionimit. Çfarë keni mësuar për këto 10 vjet?

Ne, stafi dhe organizatorët do të festojmë duke punuar dhe duke u munduar ta përmbyllim edicionin me sukses, që është kulmi i një pune 1-vjeçare që nga përfundimi i edicionit të nëntë. Publiku dhe mysafirët tanë së bashku me kineastët vendorë do të kenë rast të festojnë një përvjetor të rëndësishëm të një evenimenti të rëndësishëm për industrinë e filmit jo vetëm në Kosovë. Ajo që kemi mësuar gjatë

këtyre 10 vjetëve është sa e vështirë është të zhvillosh një event të tillë në rrethanat tona e sa lehtë është të shkatërrohet. Po ashtu se sa një festival i mirëfilltë i filmit mund të kontribuojë në zhvillimin e industrisë filmike vendore. Ky ka qenë dhe është misioni ynë dhe do të mbetet edhe më tutje pa marrë parasysh sfidat dhe pengesat.

Si do të shënohet ky përvjetor i rëndësishëm?

Do të shënohet si çdo festival serioz i filmit, me shfaqjen e filmave më të rinj dhe më të mirë të vitit. Me sjelljen e mysafirëve të rangut të lartë dhe organizimin e punëtorive, seminareve, debateve dhe trajnimeve, duke mos lënë anash as netët me eventet përcjellëse, atë të muzikës elektronike “PriBeats”, që mbahet më 20 korrik në Amfiteatrin e Gërmisë dhe shumë mbrëmje të tjera argëtuese që do të ndodhin në kryeqytet.

Nga se karakterizohet sivjet programi i filmave?

Edhe këtë vit kemi zgjeruar dhe kemi zhvilluar përmbajtjen programore, pra filmat. Jemi të lumtur që nga ky vit kemi dy kategori të reja, atë garuese të filmave studentorë ndërkombëtarë, si dhe atë të filmave eksperimentalë. Kjo do të begatojë ofertën për publikun tonë dhe kineastët e studentët e filmit të interesuar për filmat e kolegëve nga tërë bota. Por, ajo që na gëzon më së shumti është prezenca e madhe e filmave të Kosovës ose në bashkëprodhim me Kosovën. Siç kemi bërë në çdo edicion në të kaluarën duke pasur një program të veçantë të quajtur “Focus”, ku kemi trajtuar filmat e një shteti ose të autori të caktuar, sivjet jemi krenarë që në Fokus kemi Kosovën. Do të shfaqim gjithsej 11 filma vendorë në kategori të ndryshme, nga të cilët 9 janë premiera. Edhe filmi i hapjes dhe i mbylljes janë nga Kosova, “Histori maje kulmi” nga Gazmend Nela dhe “Kthimi” nga Kastriot Abdyli. Nuk ka se si më mirë të festojmë së bashku këtë përvjetor të “PriFest”-it!

Cila është vështirësia më e madhe e organizimit të këtij edicioni?

Që nga edicioni i parë janë pothuajse vështirësitë e njëjta, vetëm se ato nuk po zvogëlohen me rritjen e festivalit. Rritjen e festivalit në këto 10 vjet do të duhej ta përcillte edhe rritja e buxhetit, që për fat të keq nuk po ndodh gjithmonë. Megjithatë, duhet të cek rritjen e mbështetjes për “PriFest”-in nga Ministria e Kulturës së Kosovës, për dallim nga 3 vjetët e fundit dhe për këtë i jemi mirënjohës ministrit dhe kabinetit të tij. Izolimi i Kosovës dëmton edhe kulturën dhe pamundësia në qasjen në fondet evropiane të kulturës për aktivitete kinematografike, programi “Media”, ku Kosova ende nuk ka qasje për të aplikuar për fonde, dëmton të gjitha eventet dhe skenën e pavarur kulturore në përgjithësi. Kemi shpresa që në vitin tjetër Kosova do t’i bashkëngjitet këtij programi, siç ndodhi rishtazi me programin “Evropa Kreative”.

Është paralajmëruar tashmë se Vanessa Redgrave do të jetë mysafire e “PriFest”-it. Si erdhi deri te ky bashkëpunim edhe krahas saj na zbuloni ndonjë mysafir tjetër që do të jetë sivjet në “PriFest”?

Aktorja me famë botërore, aktivistja dhe humanistja Vanessa Redgrave, edhe pse në moshë të shtyrë dhe e sëmurë ka pranuar ftesën tonë për të festuar së bashku 10-vjetorin e “PriFest”-it. Ajo është një artiste dhe mbi të gjitha një njeri i madh. Ishte pikërisht Vanessa që në edicionin e parë e hapi festivalin dhe të gjitha këto vite ka qenë (dhe është) kryetare e Bordit të nderit të “PriFest”-it. Përveçqë do të shfaqim filmin e saj të parë si regjisore “Sea Sorrow”, një dokumentar që pati premierën në festivalin e “Cannes”, ne do t’ia dorëzojmë Vanesës çmimin e nderit të “PriFest”-it, “Hyjneshën e artë” për kontributin e dhënë kinematografisë botërore dhe posaçërisht për mbështetjen e dhënë për komunitetin artistik të Kosovës dhe “PriFest”-it ndër vite.

Cilat janë pritshmëritë tuaja për këtë edicion?

Të ecën gjithçka sipas planit. Që publiku të kënaqet me filma. Që miqësitë të shtohen. Dhe që të nesërmen, me të mbaruar Festivali, të pimë nga një gotë dhe të vazhdojnë punën për edicionin e 11-të.