Statusi dhe Akademia e 'Shotës', disa nga prioritetet e Gjocajt

Kultura July 11, 2018 - 09:44
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Është zyrtare tashmë se Shefqet Gjocaj do të jetë edhe një mandat në krye të ansamblit të këngëve dhe të valleve “Shota”. Kur po përfundojnë proceduarat dhe së shpejti pritet ta nënshkruajë kontratën, që e vendos për katër vjetët e ardhshme në krye të “Shotës”, Gjocaj në një intervistë për “Zërin” shpalos disa nga planet e tij. Ai flet edhe për zvarritjet që ndodhën deri te kjo rizgjedhje.

Zëri: Z. Gjocaj, urime për rizgjedhjen në krye të ansamblit “Shota”. Sa ndiheni gati edhe për një mandat?

Unë kam vendosur të kandidoj duke menduar se kjo është më e mira edhe për institucionin. Edhe për mua si mandat i dytë do të jetë më i lehtë, në kuptimin që unë jam në rrjedha me problemet e ansamblit dhe mund të kontribuojë edhe më shumë. Më kanë inkurajuar edhe më shumë miqtë e dashamirët e Ansamblit. Siç e dini, pati edhe një konkurs para këtij kur unë u rizgjodha, por i cili u anulua.

Zëri: Ky konkurs njëherë u rikthye në pikën zero me arsyetimin se MKRS-ja kishte bërë shkelje të procedurave. Pse ndodhi kjo?

Kjo ishte e domosdoshme, sepse herën e parë nuk u respektuan kushtet e konkursit, të cilat nuk ishin relevante për pozitën e drejtorit të “Shotës”. Ato kritere nuk i plotësonin asnjëri prej kundërkandidatëve. Kështu, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës e ka shqyrtuar lëndën dhe e ka parë që asnjëri prej tyre nuk i ka plotësuar kushtet elementare. Njëri nuk e ka pasur diplomën e nostrifikuar, tjetri nuk ka pasur Fakultet të Arteve të mbaruar, kurse tjetri nuk ka pasur as një vit përvojë pune profesionale. Si i tillë është dashur të anulohet, sepse nuk quhet i rregullt në qoftë se të paktën tre kandidatë nuk i plotësojnë kushtet. Herën e dytë ndryshuan disa kritere dhe unë u rizgjodha pas intervistave. Nuk jam ankuar për anulimin, sepse as unë nuk do të ndihesha mirë sikur të isha përzgjedhur në aso rrethana me konkurrencë joadekuate. Megjithatë konsideroj që kishte një zgjatje të panevojshme kohore mes konkursit të parë dhe të dytit.

Zëri: Cilat janë planet tuaja kryesore për mandatin e ri?

Ansambli, sikur edhe institucionet e tjera simotra të kulturës, duhet që sa më parë të fitojë statusin që e meriton, që është edhe i paraparë me Ligjin e Administratës Shtetërore të Kosovës, si institucion e pavarur i Kulturës. Ky status dhe pavarësia institucionale është kusht qenësor për zhvillimin dhe avancimin e Ansamblit. Në anën tjetër, në bazë të kërkesës sonë Ligji për Ansamblin “Shota” dhe ansamblet e tjera është futur në planin legjislativ të MKRS-së për këtë vit. Gjithsesi, amendamentimi i këtij ligji duhet të bëhet në mënyrë që të sqarohen disa probleme, të cilat ligji aktual nuk i ka adresuar plotësisht dhe i njëjti duhet të jetë si një udhërrëfyes edhe për statusin e tij në kuadër të administratës shtetërore. Një problem tjetër evident është dhe “plakja” e kësaj trupe. Pjesa më e madhe e anëtarëve janë në moshë të mesme ose në moshën para-pensioni. Gjithsesi, unë do të angazhohem që në këtë drejtim që të një kemi trupë alternative të të rinjve, të cilët do të përgatitën që të jenë pjesë e gjeneratës së ardhme të “Shotës”.

Zëri: Si do të ndodhë kjo?

Përmes krijimit të Akademisë së “Shotës”, ku do të bëhet përzgjedhja profesionale (përmes audicionit) të fëmijëve dhe të rinjve të moshës 12-16 vjeç. Një grup prej 12 qifte valltarësh dhe instrumentistë të vegjël, të talentuar në instrumente popullore dhe folklorike do të punonin me një orar të rregullt nën mbikëqyrjen e ekspertëve të koreografisë dhe të muzikës, me një program të aprovuar paraprakisht. Të njëjtit do të ushtronin pa pagesë në kuadër të Ansamblit, do të merrnin pjesë në programe të përbashkëta me trupën e Ansamblit, si dhe me programe (shfaqje) të veçanta. Krijimi i kësaj trupe të re njëherazi do të ndihmonte shumë edhe në arritjen e qëllimit tjetër të Ansamblit, që është oferta (dhe afrimi) me publikun e ri në moshë. Gjithashtu atyre që absolvojnë (mbarojnë me sukses) akademinë e të rinjve do t’u lëshohet certifikatë, e cila është një dëshmi që lehtëson pranimin e tyre në Ansambël kur ata të arrijnë moshën konform nevojave të Ansamblit. Në anën tjetër, krijimi i arkivit vazhdon të jetë prioritet imi, krahas prezantimit dhe reprezentimit të Ansamblit e përmirësimit të kushteve të punës.

Zëri: Sipas jush, cila është sfida më e madhe me të cilën po përballet ansambli “Shota”?

Problemi më i madh që e kemi është statusi dhe amendamentimi i ligjit që ka hyrë në plan. Nga statusi derivojnë të gjitha problemet e tjera, nëse zgjidhet statusi zgjidhen më lehtë të gjitha problemet e tjera. Ideja është që ne si institucion të jemi të pavarur. Kjo bëhet lehtë me harmonizimin e ligjeve ne tri nivele: Administratë shtetërore- Ministri-Institucione. Një ligj i MKRS-së thotë se Teatri Kombëtar, Shota e Filarmonia e Kosovës ...janë vartëse të MKRS-së. Ne nuk duhet të jemi vartëse, por të jemi institucione të pavarura të kulturës dhe të jemi të barasvlershme me agjencitë. Të gjitha këto i ka themeluar Kuvendi i Kosovës në një kohë, prandaj kjo nuk ka logjikë. Nëse statusi do të zgjidhej ne do t’i organizonim punët tona dhe gjithçka do të shkonte ndryshe.

Image