Qeveria miratoi koncept dokumentet Trashëgiminë Kulturore dhe të Drejtën e Autorit

Kultura July 07, 2018 - 08:58
Lexo detajet

 Në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka propozuar për miratim dy koncept dokumente: atë për Trashëgiminë Kulturore si dhe atë për Ndërmjetësimin e Kontesteve në fushën e të Drejtës së Autorit dhe të Drejtave të Përafërta.

Ministri Gashi tha se ruajta dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore mbetet prioritet i MKRS-së dhe i Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Hartimi i koncept dokumentit për trashëgiminë kulturore është paraparë në planin vjetor të punës së Qeverisë si dhe në kuadër të listës së koncept dokumenteve për vitin 2018. Mbrojta dhe ruajta e pronave, objekteve dhe vlerave të trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe përcaktimi i masave ligjore dhe teknike për invertarizim, hulumtim, dokumentim, përzgjedhje, konzervim, restaurim, administrim, prezantim dhe promovim të trashëgimisë kulturore në pajtim me kartat, konventat dhe instrumentet e tjera ndërkombëtare, është përcaktuar edhe në strategjinë kombëtare për trashëgiminë kulturore”, tha Ministri Gashi.

Aprovimi i këtij koncept dokumenti, mundëson nismën për hartimin e Rregullores për Ndërmjetësimin e Kontesteve në fushën e të Drejtës së Autorit dhe të Drejtave të Përafërta.