Akademia në Tiranë promovon romanin e Muharremit

Kultura June 25, 2018 - 10:20

Në Akademinë e Shkencave dhe Arteve në Tiranë, u promovua romani triler ‘Psycho”, i autorit Ilir Muharremi. Për romanin foli Ambasadori i Kosovës në
Tiranë, Sylë Ukshini, i cili e vlerësoi punën e Muharremit duke e cilësuar si një roman shumë të veçantë. “Duhet të sjellim sa më shumë tituj nga Kosova po ashtu
edhe nga Shqipëria t’i sjellim në Kosovë. Romani i Muharremit është shumë i veçantë”, u shpreh para akademikëve Ukshini.


Në anën tjetër akademiku Gjovalin Shkurtaj, romanin e vlerësoi lart. “Gjuhësisht është i ndërtuar mirë, e veçanta është se respektohet gjuha standarde dhe ka një
veçanti në strukturë ky roman”, ka thënë akademik Shkurtaj. Ndërsa artistja Flutura Maçi, e cila bëri prezantimin e romanit “Psycho”, theksoi: “Bëhet fjalë për
një banakiere, e cila tenton të vetëvritet. Protagonisti po ashtu ka një fat të njëjtë. Ai e humb gruan, më nuk mund të dashuroj, është i ftohët emocionalisht”. Sipas
saj, seksi është tejet direkt në roman. “Përse të fshihet seksi dhe përdorimi i gjuhës, sepse vet realiteti e lejon një gjë të tillë”, tha para Akademikëve Maçi.


Ndërsa, autori Muharremi tregoj se është munduar të sjellë një roman me një frymë të re, një frymë që ende nuk është trajtuar as në Kosovë e as në Shqipëri. “Është
roman i një fryme për herë të parë, qëllimi është që lexuesi të mos dal nga ngjarja, të thellohet dhe mos ta kopjoj protagonistin”, shtoi Muharremi.
U debatua për këtë lloj letërsie dhe pyetjet i drejtoheshin autorit Muharremi.