Baleti i Kosovës udhëton për Bullgari

Kultura June 21, 2018 - 10:08

Tek sa po bëhen gati t’i japin shfaqjet e fundit në Teatrin Kombëtar të Kosovës, para se të shkojnë në pushimet e verës, për t'u kthyer pastaj në shtator, balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës po përgatiten edhe për një paraqitje ndërkombëtare, shkruan zeri.info.

Në fillim të muajit që po vjen ata do të udhëtojnë drejt Bullgarisë, për t'u prezantuar atje në një festival ndërkombëtar të baletit. I kontaktuar nga gazeta “Zëri” Ahmet Brahimaj, drejtor i Trupës Kombëtare të Baletit të Kosovës, tregoi se në Bullgari do të prezantojnë shfaqjen “Giselle”. Kjo shfaqje është një balet klasik që luhet tash e dy shekuj e balerinët e Prishtinës e sjellin nën koreografinë e Sylvia Tomova.

“Shfaqjen e fundi e kemi këtu në fund të qershorit, kurse menjëherë në korrik do të udhëtojmë për në Bullgari. Atje do të prezantohemi në një festival ndërkombëtar të baletit klasik, më 3 korrik, me shfaqjen ‘Giselle’, kurse në Kosovë do të kthehemi më datën 6 korrik”, tregoi Brahimaj.

Për të bërë një paraqitje sa më të dinjitetshme drejt Bullgarisë do të udhëtojnë një staf prej afërsisht 30 vetash.

“Ky është një festival me renome i baletit klasik, për këtë arsye jemi mobilizuar që të shkojmë si ekip i kompletuar bashkë me balerinët edhe teknikët. Fatmirësisht, ne kemi krijuar bashkëpunim dhe mirëkuptim nga ambasadat dhe procedurat e vizave na i kanë lehtësuar, kështu që tashmë jemi gatit të udhëtojmë rreth 30 persona”, tregoi Brahimaj.

Ky vit ishte i frytshëm për Trupën Kombëtare të Baletit të Kosovës, sa i përket paraqitjeve jashtë vendit. Me shfaqje të ndryshme ata patën disa prezantime para publikut ndërkombëtar.

“Kjo është hera e tretë që në vitin 2018 po prezantohemi jashtë vendit. Në fillim të vitit ishim në Gjermani, pastaj në  Francë dhe tash i erdhi radha Bulgarisë. Ne i kemi dhënë shtatë shfaqje në Gjermani, katër në Berlin dhe tri në Hamburg, e pastaj edhe në Paris. Me këtë rast edhe ‘Le Monde’ shkroi mirë për shqiptarët. Kjo ishte krenari për neve, sepse ne e kemi dhënë maksimumin si trupë. Nuk është lehtë të prezantosh balet në Paris të Francës, sepse ata e kanë baletin e tyre tash e 400 vite, kurse ne me kushtet tona, nga bodrumi ynë ku ushtrojmë në kushte të cilat dihen, nuk është lehtë”, theksoi Brahimaj.

Tutje udhëheqësi i Baletit Kombëtar të Kosovës përmendi vlerësimet e mira që kanë marrë pas paraqitjes në të dyja vendet evropian, si në Gjermani ashtu edhe në Francë.

“Të gjithë njerëzit tanë që jetojnë në këto vende e që kanë ardhur të na shohin janë krenuar me paraqitjet tona atje. Vlerësimet nga publiku përgjithësisht kanë qenë të gjitha të shkëlqyeshme”, tregoi Brahimaj.

Rrugëtimi ndërkombëtar i Baletit Kombëtar të Kosovës do të vazhdojë edhe në vjeshtë. Brahimaj konfirmoi për “Zërin” se tashmë kanë aranzhuar paraqitjet e tyre edhe në disa festivale të tjera.

“Në shtator do të shkojmë sërish në Bullgari. Atëherë do të prezantojmë dy shfaqje moderne dhe në tetor do të shkojmë në Finlandë. Saktësisht me 7 tetor do të jemi atje”, tregoi Brahimaj.

Në anën tjetër edhe Sinan Kajtazi, balerin prej shumë vitesh në Baletin Kombëtar të Kosovës, tha për gazetën “Zëri” se me vëmendje të veçantë po përgatiten për shfaqjen në Bullgari.

“Përgatitjet për Festivalin e Bullgarisë janë duke shkuar mirë, e kemi pasur për tri ditë edhe koreografen e shfaqjes znj.Sylvia Tomova, e cila i ka dhënë një dorë shumë të nevojshme shfaqjes ‘Giselle’ për ta rikthyer pas një kohe në formën e duhur. Poashtu, Sylvia si mjeshtre baleti që është, ka punuar me ne detaje të shfaqjes, meqenëse është kryevepër e repertorit klasik botëror, kërkon një përkushtim dhe ndjeshmëri t ë jashtëzakonshme”, ka treguar Kajtazi.

Tutje ai ka shtuar se si trupë e baletit janë të përkushtuar që në çdo paraqitje ta japin maksimumin.

“Ne si balerinë jemi të gjithë sa krenarë për këtë gjë po ashtu edhe të vëmendshëm dhe t'u përkushtuar që paraqitjet tona, si brenda, po ashtu edhe jashtë vendit, t'i kemi në nivel sa më të lartë”, përfundoi ai.

Në këtë gjashtëmujor të parë të vitit Baleti Kombëtar i Kosovës ka prezantuar para publikut në Prishtinë tri premiera dhe dhjetëra repriza. Këtë të enjte (21 qershor) ata prezantojnë në TKK shfaqjen “Giselle” dhe më të njëjtën shfaqje që do ta prezantojnë para publikut në Prishtinë edhe më 27 qershor para se të shkojnë në Bullgari, ky institucion përfundon sezonin pranveror. Zëri