Bekim Lumi sjell 'Arturo Ui' në TKK

Kultura June 14, 2018 - 12:56
Lexo detajet

Në 20-vjetorin e krijimtarisë së tij artistike, regjisori Bekim Lumi, prezanton premierën e shfaqjes “Arturo Ui”, që vjen në përvjetorin e 120 të lindjes së autorit të saj, Bertolt Brecht.

Përkundër gjitha problemeve shëndetësore me të cilat regjisori Lumi është përballuar së fundi, ai ka punuar me përkushtim të sjellë në Teatrin Kombëtar të Kosovë këtë premierë, sonte (më 14 qershor), me fillim nga ora 21:00.

Në konferencën për media që i parapriu premierës, regjisori Lumi u shpreh falënderues për mundësinë që i është dhënë ta finalizojë këtë shfaqje.

“Në radhë të parë desha ta falënderoj menaxhmentin e TKK-së, drejtorin artistik Agon Myftarin si dhe ish-drejtorin e përgjithshëm Agim Sopin, të cilët kanë pasur durim e guxim të ma besojnë këtë ëndërr edhe në përpëlitjet e mia shëndetësore që kanë zgjatur më shumë se që duhet. Ata kanë besuar dhe më kanë dhënë rastin që përkundër shtyrjeve e vonesave, që nuk i kam dashtë unë, të vij sot në këtë konferencë dhe së bashku me ekipin ta prezantojmë shfaqjen ‘Arturo Ui’”, tha ndër të tjera Lumi, duke theksuar se kjo është një shfaqje që e gjakon secili regjisor e artist dhe tregoi se personalisht për të kjo është një ëndërr e kamotshme.

“Jam i lumtur që ia kam mbërri kësaj dite edhe përkundër sfidave dhe gjendjes shëndetësore që ka qenë e vazhdon të jetë e rëndë dhe më ka munduar jashtëzakonisht shumë në provat e çdoditshme. Si produksion shfaqja ka filluar në fillim të shtatorit të vitit të kaluar, me pretendimin që në fund të nëntorit të bëhej si premierë. Për fat të keq gjendja ime u përkeqësua, u detyrova të shkoja në Gjermani. Me një fjalë s’kisha fuqi t’i vazhdoja provat, përkundër dëshirës së madhe që shfaqja të bëhej brenda vitit 2017”, tha regjisori Lumi.

Ai falënderoi asistentin e tij, Bashkim Ramadanin, i cili ka punuar nga afër me trupën në kohën kur regjisori Lumi ndodhej në Gjermani.

“Dua t’i falënderohem sinqerisht për durimin që e ka pasur ai edhe aktorët, me më ndjekë në këtë ëndërr të mistershme, të gjatë e të rëndë, por të bukur e artistike, e cila pas shumë përpjekjesh po finalizohet me një premierë”, tha Lumi.

Aktori Bujar Ahmeti, që vihet në rolin kryesor, atë të Arturo Ui, tha se për të është privilegj të ketë në CV-në e tij rolin kryesor në këtë shfaqje të famshme.

“Për mua ka qenë privilegj ta kem në CV-në time një rol të tillë, e privilegj edhe më i madh që është nën regjinë e Bekim Lumit. Besimi im te regjisori Bekim Lumi është shumë i madh. Dashuria dhe pasioni për të punuar është e vazhdueshme dhe e pazëvendësueshme”, tha Ahmeti.

Në anën tjetër, edhe drejtori artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Agon Myftari, tha se është fakt që “Arturo Ui” po vjen për herë të parë në TKK, ndaj është një festë për këtë teatër dhe teatrin kosovar në përgjithësi. Ai e konsideroi  këtë shfaqje si një ngjarje me një rëndësi të veçantë.

“Më vjen mirë që kjo premierë po ndodh në kohën kur unë po e udhëheqë artistikisht këtë teatër. Nuk kam se si të jem më i lumtur”, u shpreh Myftari.

“Arturo Ui” është një shfaqje e krijuar mbi tekstin e dramaturgut të shquar gjerman dhe botëror, Bertoltt Brecht (1898 – 1956), nga regjisori Bekim Lumi dhe, si e tillë, është prodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Në shfaqje luajnë aktorët: Bujar Ahmeti, Afrim Kasapolli, Afrim Muçaj, Labinot Raci, Faris Berisha, Ylber Bardhi, Ismet Azemi, Edon Shileku, Valmir Krasniqi, Shpëtim Kastrati, Kushtrim Qerimi, Muhamed Arifi dhe Alban Rexhaj. Muzika e shfaqjes është kompozuar nga Dren Suldashi, i cili gjithashtu luan në kitarë. Asistent regjisor është Bashkim Ramadani.

Koreografinë e shfaqjes e ka bërë Majlajdo Gala, ndërkaq skenografinë Mentor Berisha,  përderisa kostumografinë Alma Krasniqi.

Me formën, me përmbajtjen, me frymën dhe me vetat e saj, kjo dramë, në mënyrë simbolike, përshkruan, tematizon dhe pasqyron historinë e dhunshme të rrëmbimit të pushtetit ekonomik dhe politik nga gangsteri Arturo Ui (alias Adolf Hitler) dhe pasuesit e tij në vitet ‘30 të shekullit 20.

Dhuna fizike, plaçkitjet, djegiet, grabitjet, trysnitë, tagri dhe kërcënimet ndaj tregtarëve, politikanëve e gazetarëve, deri edhe vrasjet e tyre, alibitë dhe gjyqet farsë, detyrimet e dhunshme dhe shantazhet ndaj dëshmitarëve të krimit, janë vetëm disa nga tablotë e kësaj drame.

Për shkak të temës që e trajton dhe për shkak të aktualitetit të saj të vazhdueshëm, kjo dramë ndërlidhet me shumë nga trendet dhe zhvillimet e përçudshme nëpër botë. Si e tillë, ajo vlerësohet si një nga satirat ma të mira politike dhe historike të shekullit ‘20. “Arturo Ui” nuk është inskenuar asnjëherë deri tani në Kosovë.

Regjisori Bekim Lumi shfaqjen ua dedikoi të gjithë atyre që e ndihmuan në këtë rrugëtim të vështirë shëndetësor.

“Këtë shfaqje ua përkushtoj miqve të mi artistë, miqve të tjerë të njohur e të panjohur dhe krejt atyre që, me mbështetjen dhe përpjekjet e tyre, më ndihmuan e më dhanë më shumë guxim e besim, se unë, përkundër gjendjes së vështirë shëndetësore, jam në gjendje të vazhdoj të punoj e luftoj dhe ta bëj këtë shfaqje. Unë i besoj teatrit! Ju faleminderit!”, u shpreh ai.Image