Organizatorët e “EtnoFest” reagojnë kundër Ministrisë së Diasporës

Kultura June 13, 2018 - 13:17

“Sot, përmes postës elektronike na erdhi kjo përgjigje absurde nga Ministria që ju përfaqëson", shkruan në fillim të reagimit të Organizatorëve të "EtnoFest", drejtuar para së gjithash mërgimtarëve, të cilët edhe janë më të lidhur me këtë festival.

"Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, bazuar në kriteret e përcaktuara në Rregullores nr. 04/2017 për kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve dhe thirrjes publikes nga MDIS-i, e datës 3.4.2018, ju njoftojmë se projekti juaj nuk e ka kaluar vlerësimin për t’u mbështetur”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e Ministrisë së Diasporës për refuzimin e projektit të organizatorëve të "EtnoFest"-it.

Në anën tjetër, organizatorët e "EtnoFest", kanë reaguar duke thënë se: "Nëse edhe ‘EtnoFest’ nuk po i plotësuaka kriteret për t'u mbështetur, atëherë do të kishim dashur të dimë se çka financon në të vërtetë kjo Ministri, pos shëtitjeve të delegacioneve nëpër Evropë, pritjes e përcjelljes së delegacioneve, shpenzimeve të mëdha administrative pa një rezultat të ndjeshëm në kyçjen dhe integrimin e diasporës në proceset kulturore, sociale dhe ekonomike”

Në këtë komunikatë ata kanë numëruar të gjitha aktivitetet që ky festival i përfshinë dhe rolin që ka sipas tyre edhe për diasporën.

“Festivali ‘EtnoFest’, për shtatë vite me radhë, i ka ofruar publikut shqiptar programe nga më të ndryshmet, përmes tetë shtyllave programore dhe aktivitete të shumta përcjellëse si: shfaqje teatrale, koncerte, rite arkaike , ekspozita figurative e etnografike, biseda odash, seminare dhe debate në tema etnokulturore, promovime librash, projeksione filmash dokumentar e artistik me temë nga tradita, etnokoncerte dhe programe etnojazzi, duke përfshirë këtu edhe përformanca të shumta joformale, shfaqje studentore etj. Një vend të veçantë viteve të fundit zuri edhe prezantimi i artit të kulinarisë shqiptare si dhe zejeve dhe artizanateve të vjetra që po rrezikojnë të zhduken”, theksojnë organizatorët.

Edhe pse s’kanë gjetur përkrahje në Ministrinë e Diasporës, organizatorët e “Etno Fest” në fund të këtij reagimi i ftojnë të gjithë mërgimtarët të marrin pjesë në festival.

“Të dashur bashkatdhetarë, jeni të mirëseardhur gjatë verës ne Etnokompleksin në Kukaj edhe pa festival, ku mund te shijoni një natyrë të mrekullueshme, një arkitekturë të vërtete autoktone. Do të mundohemi te hapim për ju muzeun Etnografik, ku mund té shihni eksponate nga më të ndryshmet, si dhe ekspozita të ndryshme”, përfundon kështu njoftimi i tyre.

Organizatorët e këtij festivali të veçantë shpresojnë se aktivitetet e zakonshme që karakterizojnë këtë festival të mbahen nga muaji shtator.