Hapet 'FemArt', nisin aktivitetet maratonike

Kultura May 25, 2018 - 10:20

Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet organizon për herë të 6-të festivalin “FemArt” që sivjet mbahet mes datave 25 dhe 30 maj, 2018. Hapja e festivalit bëhet këtë të premte me fillim nga ora 21:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Aty do të prezantohet shfaqja “Trojanët”. Në programin e këtij edicioni janë të parapara të mbahen rreth 40 aktivitete, ku do të angazhohen mbi 200 artistë. Këtë vit do të mbahen aktivitete në tri komuna të Kosovës përfshi këtu Prishtinën, Mitrovicën e Veriut dhe Ferizajn.

Festivali i artisteve dhe aktivisteve çdo vit angazhon me qindra artiste dhe aktiviste nga mbarë bota të cilat shfaqin punën e tyre kreative përmes shfaqjeve teatrale, filmave (dokumentarë, filma të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë), ekspozitave, performancave, koncerteve, ligjëratave, punëtorive, paneleve të diskutimeve dhe prezantimeve të ndryshme në formë të artit.

“Me moton ‘TI UDHËHEQË’ ne inkurajojmë qëndrueshmëri dhe solidaritet për gratë dhe burrat të cilëve ju shkelen të drejtat themelore për shkak të përkatësive të tyre etnike, racore, preferencave seksuale dhe pozitave shoqërore”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Programi artistik i festivalit “Femart” adreson: Të drejtat e njeriut dhe lëvizjet feministe, të drejtat seksuale dhe shëndetin ripordhues, drejtësinë tranzicionale dhe ndërtimin e paqes, të drejtat e komunitetit LGBTQI+, fuqizimin e grave, dhunën kundër grave, njëherë promovon historitë e suksesshme rajonale dhe globale të grave.

Festivali është një platformë për zhvillimin dhe paraqitjen e ideve dhe krijimeve që sjellin përpara konceptet feministe dhe zhvillimet e tyre në Kosovë duke u angazhuar për të drejtat e barabarta të grave, si dhe për të shërbyer si urë lidhëse për ndërtimin e paqes dhe dialogut në rajon.

Ky edicion përkrahet nga: Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Kvinna till Kvinna, Austrian Development Cooperation, UNFPA, CFD, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës, Unë e Du Kosovën, UN Women, IPKO Foundation, Koalicioni K10, QKSGJ, Unicef Innovations Lab. Bizeneset: Frutti, Buçaj, Hotel International Prishtina, Union Caffe, Shok e Shoqe. Përkrahësit Institucional: Biblioteka Kombëtare e Kosovës- “Pjetër Bogdani”, Teatri Dodona, Muzeu i Kosovës, KinoArmata, EU Information and Cultural Centre, Teatri Oda, Fakulteti i Arteve.