Botuesit akuzojnë MKRS-në për mungesë të korrektësisë

Kultura May 24, 2018 - 10:57

Botuesit kosovarë po ankohen se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë përzgjedhje joprofesionale të librave që janë financuar për botim, duke shkelur kështu edhe kriteret e konkursit të publikuar më 26 janar 2018, rezultatet e të cilit u bën të ditura më 17 maj 2018, shkruan sot gazeta "Zëri".

Edon Zeneli, nga shtëpia botuese “Pema”, i ka thënë gazetës “Zëri” se edhe pse konkursi parashihej të financonte vepra nga krijimtaria letrare e Kosovës, përkthime të veprave kulmore të letërsisë së huaj si dhe kompletet e veprave të zgjedhura të autorëve të spikatur, në listën përfundimtare të librave që janë financuar gjenden libra që cilësohen si tekste shkollore, publikime komerciale, historike e biografike.

Këtu ai përmend librat e disa autorëve që gjenden në listën e MKRS-së e që janë Tzvetan Todorov, Dale Carnegie apo Robert Elsie, të cilat sipas Zenelit nuk përputhen me kriteret e lartpërmendura.

“Jemi të zhgënjyer maksimalisht në trajtimin që i bëhet vlerave letrare botërore nga Këshilli i Librit dhe Ministria e Kulturës. Konform thirrjes për aplikim, ku decidivisht kërkohet aplikimi me autorë kulmorë të letërsisë botërore, kemi aplikuar me autorë si Aldous Huxley, Fernando Pessoa, George Orwell, F.S. Fitzgerald dhe Franz Kafka dhe për habinë tonë të gjitha janë refuzuar nga Këshilli i Librit. Përderisa po ky këshill, mbështet autorë që nuk përbëjnë letërsi dhe autorë komercialë (gjë që bie ndesh me vetë thirrjen për aplikim). Ne si shtëpi botuese kemi reaguar, duke i dërguar ankesë ministrit, zyrtarëve të ministrisë dhe anëtarëve të Këshillit të Librit, por, sipas të gjitha gjasave, ankesat tona hasin në dyer të mbyllura. Nuk është parimore që Këshilli i Librit të ketë qasje destruktive ndaj botuesve që përfaqësojnë vlera dhe të shkelë vetë kushtet e thirrjes, duke ndihmuar libra që nuk kanë të bëjnë me letërsinë”, tha Zeneli.

Tutje sipas përfaqësuesit të shtëpisë botuese “Pema”, Këshilli i Librit në MKRS po përjashton botuesit që në formë proteste kanë refuzuar t’i dorëzojnë kopjet detyruese në Bibliotekën Kombëtare, sepse ligjet për të drejtat e autorit nuk respektohen.

“Me sa kemi dëgjuar, po ky Këshill dëshiron të luajë rolin e gjykatësit duke përjashtuar botuesit që në formë proteste kanë refuzuar t’i dorëzojnë kopjet detyruese në Bibliotekën Kombëtare, sepse ligjet për të drejtat e autorit dhe botuesit nuk respektohen dhe aplikohen aspak nga organet përkatëse. Ky Këshill dëshiron të tejkalojë tanimë kompetencat e veta, me veprime hakmarrëse e drakonike që nuk i përkasin aspak kohës në të cilën jetojmë”, deklaroi Zeneli.

Edhe sipas Arber Rrahmanit, nga shtëpia botuese “Fanik Konica”, financimi i botuesve nga ana e MKRS-së nuk është bërë në mënyrë korrekte. Sipas Rrahmanit edhe çështjet e librit po vuajnë nga politizimi dhe ndërrimi i qeverive.

“Si shtëpi botuese ne kemi konkurruar me pesë libra, ndërsa MKRS ka financuar dy prej tyre. Mund të them se si konkurs ka parregullsi. Aty ka botues anonim që janë shumë pak të pranishëm si botues në Kosovë, ndërsa shihet se kanë marrë shumë fonde. Kjo është e paarsyeshme. Ndërrimet politike po i ndërrojnë edhe politikat e librit brenda ministrive. Politika po ndikon edhe në financimin e librave. Në Kosovë gjithçka që ka të bëjë me librin ka probleme, e ky është një ndër ato probleme”, theksoi për “Zërin” Rrahmani.

Abdullah Zeneli, nga shtëpia botuese “Buzuku”, konsideron se përzgjedhja e librave të cilët janë financuar është bërë në mënyrë joprofesionale.

“Ata kanë abuzuar me botues dhe nuk kanë respektuar vlerat. ‘Buzuku’ ka konkurruar me nobelist, fitues të çmimeve prestigjioze të letërsisë. Nga dhjetë tituj, me të cilët ka konkurruar, të merret vetëm një titull, është tallje. Të të respektojë botuesi më i madh i Francës dhe të të injorojë Ministria e Kulturës në Kosovë është qesharake dhe nuk do koment. Ky diskriminim po ndodhë, sepse janë interesant klanore në pyetje. Atje vendosin disa individë që kanë interesa klanore dhe mendojnë të eliminojnë botuesit që janë kundër padrejtësive që po bëhen nga kjo ministri”, tha Zeneli.

Në anën tjetër, e kontaktuar nga gazeta “Zëri”, kryetarja e Këshillit të Librit, Sabile Keçmezi-Basha, nuk deshi të komentojë shumë pakënaqësitë e botueseve dhe akuzat për shkelje të kritereve, duke thënë së ky këshill do t’i shqyrtojë ankesat që kanë shkuar edhe në adresën e tij.

“Ne dje e kemi pasur një mbledhje të Këshillit të Librit, ku jemi marrë edhe me ankesat e këtyre shtëpive botuese që kanë ardhur edhe në adresën tonë. Natyrisht që këto ankesa do të shqyrtohen. Besoj që javën e ardhshme do të dalim me një përgjigje edhe për këta botues dhe ju si mjete të informimit do të njoftoheni gjithashtu”, përfundoi kështu Basha. Zëri