Kultura

Filmi 'Martesa' shfaqet edhe në Australi

Filmi 'Martesa' shfaqet edhe në Australi
18 maj 2018 • 10 : 47

Një tjetër festival i kategorisë “A” ka hapur dyert për filmin “Martesa”, të regjisores kosovare Blerta Zeqiri. Një nga filmat më të komentuar të Kosovës kohët e fundit, do të prezantohet në “Sydney Film Festival”, shkruan sot gazeta "Zëri".

Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar se Zeqiri do të udhëtojë drejt Australisë për të prezantuar filmin e saj në korrik të këtij viti.

“Edicioni i 65-të i festivalit të filmit ne Sidnei ‘Sydney Film Festival’ (6-17 korrik), në partneritet me ‘European Film Promotion’ dhe ‘Screen International’ shpalli këtë javë ‘Europe! Voices of Women in Film’ një program i 10 filmave të ri nga regjisoret e suksesshme të Evropës, një prej të cilëve do të jetë filmi “Martesa”, nga regjisorja kosovare Blerta Zeqiri”, thuhet në njoftimin e Qendrës Kinematografike të Kosovës.

E kontaktuar nga gazeta “Zëri”, regjisorja Blerta Zeqiri është shprehur e lumtur që filmi “Martesa” po udhëton drejt një tjetër festivali të kategorisë “A”. Zeqiri tha se është kënaqësi që filmi i saj është pjesë e një programi që afirmon gratë regjisore në Evropë.

“Jam shumë e lumtur që filmi po merr pjesë në ‘Sydney Film Festival’, sepse është festival shumë i rëndësishëm i kategorisë ‘A’. Ndjehem e nderuar, sepse filmi është pjesë e programit ‘Evropë! Zërat e Grave ne Film’ me ç’rast janë përzgjedhur filmat me të pëlqyer, të punuar nga regjisoret gra nga Evropa. ‘Sydney Film Festival’ bashkë me European FIlm Promotion dhe QKK kanë siguruar udhëtimin tim në festival, ku unë do të marr pjesë për ta promovuar filmin dhe gjithashtu do te jem pjese e një debati lidhur me përfaqësimin e grave në industrinë e filmit”, ka treguar Zeqiri.

Tutje regjisorja tha se filmin “Martesa” po e pret një rrugëtim edhe më i gjatë. Si ekip realizues janë të kënaqur me rezultate e para dhe konfirmoi se po punohet për distribuim edhe në SHBA e Kanada.

“Ky është festivali i tretë i kategorisë ‘A’ që po merr pjesë filmi ‘Martesa’ dhe së shpejti do t’i lajmërojmë edhe disa festivale tjera shumë të rëndësishme. Ne jemi të befasuar pozitivisht me suksesin që ka arritur filmi, kjo është gati se krejt e papritur për ne, sepse le që filmi po merr pjesë nëpër festivale të rëndësishme dhe kohë pas kohe po fiton edhe shpërblime, mirëpo më se shumti jemi të lumtur për shkak se filmi ka gjetur distributorë nëpër disa vende të botes, përfshirë edhe SHBA dhe Kanada”, përfundoi Zeqiri.

Festivali do të këtë edhe tetë mysafire filmbërëse të kontinentit, të cilat do t’i prezantojnë filmat e tyre dhe do të marrin pjesë në një diskutim publik rreth hendekut gjinor në industrinë e filmit.

Krahas filmit të Zeqirit, do të jenë edhe regjisoret Emily Atef me “3 Days in Quiberon” nga Gjermania, Isabella Eklöf me “Holiday” nga Danimarka, Nanouk Leopold me “Cobain” nga Holanda, Fanni Metelius me “The Heart” nga Suedia, Katharina Mückstein me “L`animale” nga Austria, Sinéad O`Shea me “A  Mother Brings Her Son To Be Shot” nga Irlanda, Virpi Suutari me “Entrepreneur” nga Finlanda, Jagoda Szelc me “Tower A Bright Day” nga Polonia dhe Ana Urushadze me “Scary Mother” nga Gjeorgjia.

“Martesa” flet për një çift në të tridhjetat. Bekimi (Alban Ukaj) dhe Anita (Adriana Matoshi), të cilët po planifikojnë martesën, por në anën tjetër shfaqet edhe Noli (Genc Salihu) me të cilin Bekimi kishte qenë në lidhje kohë më parë.

Zeqiri sjell pra një histori që ka të bëjë me situatën e komunitetit LGBT në vend. Këto raste asaj i pëlqen t’i quajë “Roemo e Xhulieta të shoqërisë kosovare”. E përveç luftës për dashuri që Ukaj e Salihu e sjellin me rolet e tyre “Martesa” prek edhe luftën e fundit në Kosovë. Filmi trajton çështjen e personave të pagjetur dhe në këtë rast janë prindërit e Anitës, eshtrat e të cilëve pritet të kthehen nga Serbia.

Filmi “Martesa”, i regjisores Blerta Zeqiri, pati premierën botërore në një festival të kategorisë “A” në Tallinn të Estonisë, më datën 28 nëntor të vitit 2017 dhe nga atje u kthye me dy çmime. Zëri

© zëri.info