'Baresha', kënga e katër emocioneve

Kultura May 14, 2018 - 10:24

Kësaj radhe në rubrikën javore të “Zërit”, që titullohet “Rrëfej përmes muzikës”, ju prezantojmë balerinin dhe klarinetistin Sinan Kajtazi. Duke qenë i dyzuar mes vallëzimit klasik dhe muzikës, të cilën e luan përmes klarinetës, Kajtazi na sjellë një listë që sillet nga muzika e mirëfilltë shqiptare e deri te ajo klasike botërore, shkruan sot gazeta "Zëri".

Sinan Kajtazi është pjesë e Trupës Kombëtare të Baletit të Kosovës dhe merret me balet që nga viti 2001. Ai ishte laureat i çmimit “Aktori më i mirë për vitin 2016”, të cilin e ndanë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Këtë çmim Kajtazi e mori me rolin kryesor të Albertit, që pati në shfaqjen “Zhizell”.

 

Baresha

Është një këngë që më ngjall emocione, për katër arsye: një që ka qenë këngë shumë e dashur për babanë tim të ndjerë dhe që edhe sot më rikrijon emocione sa herë e dëgjoj, ndaj për këtë arsye e kam realizuar si instrumental me klarinetë në albumin tim të parë me titull "Revival", në dedikim të tim eti; dy që muzika e kompozuar nga kompozitori ynë Rexho Mulliqi, është e ideuar në mënyrë gjeniale, si për nga melosi, po ashtu edhe nga ana artistike; tre pse teksti i këngës është po ashtu një pjesë e jashtëzakonshme e kësaj vepre, e shkruar nga poeti ynë i madh, Rifat Kukaj; dhe katër ka të bëjë me interpretimin e këngës nga Nexhmije Pagarusha, gjë që e dërgon këtë vepër deri në perfeksion.

 

Simfonia 5 e Bethoven

Është një nga kryeveprat botërore të repertorit klasik. Bethoven e ka shkruar këtë vepër në momente shumë të renda të jetës së tij, pra në momentin kur ka filluar të humbas dëgjimin dhe kjo tragjedi përbrenda qenies së tij është e shprehur në mënyrë të përsosur në Simfoninë nr.5.

 

"New York" - Frank Sinatra

Kjo këngë më ngjall emocione sa herë që e dëgjoj, sepse në vitin 2008, kur isha për herë të parë në NY, deri sa po shëtisja rrugëve të Mannhatan-it, e këndoja vetë me vete pa ndërprerë.

 

"4 stinet" - Vivaldi

Më ka rastisur edhe të luaj me balet në "4 stinët" e Vivaldit, por kjo nuk është arsyeja kryesore pse e dua këtë pjesë muzikore. Në vitin 2014 e kam dëgjuar këtë pjesë në kishën e famshme Maria Magdalena në Paris, nga një super orkestër harqesh, të cilët e kanë ngjizur edhe më tepër veprën "4 stinët" në mendjen dhe shijen time.

 

"Ne me quitte pas" - Jacques Brel

Është kryevepra e shansoneve franceze dhe këtë këngë ka vite që e kam dëgjuar, ndërsa interpretimi i J.Brel të lë pa frymë! Vite më vonë kam filluar ta dua e ta dëgjoj edhe më me endje këtë këngë, pasi që kam kuptuar edhe tekstin e fuqishëm që ka. Më ka shijuar ecja nëpër Paris apo Lyon duke dëgjuar " Ne me quitte pas" nga Jacques Brel.

 

"Në tren për Prizren" - Gjurmët

Është një këngë fantastike për mendimin tim, me tekst dhe muzikë shumë origjinale dhe më pëlqen ta dëgjoj.

 

"Poçari"

Sigurisht që vargjet e poetit tonë të madh Dritëro Agolli, të përshtatura me melodinë e krijuar për këto vargje, të ngjallin ndjenja atdhedashurie.

 

"Këto ura" - TNT

"Këto rrugë e këto ura/këta fëmijë e këta burra, o atdhe/edhe baltën që ma ke/fort ta dua, o atdhe.", janë vargje patriotike të shkruara për qytetin e Mitrovicës dhe unë si qytetar i këtij qyteti, sigurisht që e ndjej dhe e dua shumë si këngë.

 

"Pranvera në Prishtinë" - Sabri Fejzullahu

Kjo këngë me melodi dhe tekst të jashtëzakonshëm, bën që sigurisht t'i mbijetojë kohës edhe në të ardhmen.

 

"Nocturne C-is Mol" Frederic Chopin

Kjo është qershia mbi tortë për shijen time muzikore. Kjo pjesë për piano e kompozuar nga "poeti i pianos" F.Chopin, është pjesa që më së shpeshti e dëgjoj dhe çdo herë më tingëllon sikur po e dëgjoj për herën e parë.