'Museum of Broken Relationships', ekspozita e kujtimeve nga lidhjet e dështuara

Kultura April 05, 2018 - 09:49

Kur një lidhje sentimentale mes dy personave mbaron si kujtim, mbesin gjësendet që i kanë dhuruar njëri-tjetrit, apo që thjesht asociojnë me ish-partnerin. Këto gjësende që zakonisht hidhen nëpër shumë vende të botës, shpesh edhe ekspozohen në kuadër të “Museum of Broken Relationships” që është një projekt global artistik i themeluar nga Olinka Vištica dhe Draëen Grubišië, me bazë në Zagreb të Kroacisë. Këtë projekt krejtësisht unik, një grup studentësh, po e sjellin edhe në Kosovë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Misioni i këtij muzeu është të lidhë njerëzit përmes tregimeve të dashurisë dhe humbjes së tyre. Qëllimi i këtij muzeu është të mbledhë dhe shfaqë gjësendet e dhuruara nga njerëzit në mbarë botën, të cilët kanë kaluar nëpër lidhje të dështuara.

Për gazetën “Zëri”, Diona Hoxha, nga stafi organizativ, tregoi se para dy viteve organizatoret e muzeut Blerta Avdiu dhe Ilire Gashi, kanë vizituar këtë muze sa ai ishte i hapur në Kroaci. Gjatë vizitës ato kanë menduar që kjo të organizohet edhe në Kosovë.

Kështu vitin e kaluar, një grup i të rinjve, i përbërë nga Blerta Avdiu, Ilire Gashi, Kushtrim Fetahu, Diona Hoxha, Diellza Salihu, Rrezearta Jahiu dhe Tringa Kasneci, filluan punën për të realizuar këtë.

“Ekspozita do të përfshijë të gjitha historitë bashkë me gjësendet që njerëzit kanë dhuruar në muze. Vizitorët do të kenë mundësinë të lexojnë histori të dashurisë, të cilat janë thyer në të kaluarën si dhe do t’i shohin të bashkangjitura gjësendet që dhuruesit do të sjellin në muze. Përveç historive nga Kosova, ne do te sjellim edhe histori të tjera jashtë Kosovës, veçanërisht nga muzeu në Zagreb, që të përfshijmë diversitet dhe kultura të ndryshme në muze”, tha Hoxha, e cila shtoi se qëllimi i kësaj ekspozite është që njerëzit të kenë mundësi që përmes gjësendeve të ndajnë eksperiencat e tyre.

“Qëllimi i gjithë projektit, është ndarja e eksperiencave, por përveç kësaj, ne mendojmë që është një frymë e re në vendin tonë. Ka pasur shumë njerëz që e kanë vizituar këtë muze kudo jashtë Kosovës, por ne tash po e mundësojmë që njerëzit ta vizitojnë po të njëjtin muze në Kosovë. Ne shpresojmë që njerëzit do të jenë të kënaqur me punën që kemi bërë dhe kjo iniciativë të jetë shtyse për të rinjtë në Kosovë që të marrin iniciativa të tilla e të sjellin diçka të re dhe interesante në vend”, shpjegoi ajo.

Vizitorët e kësaj ekspozite do të kenë mundësinë të lexojnë historitë e dashurisë, të cilat janë thyer në të kaluarën si dhe do t’i shohin të bashkangjitura gjësendet që dhuruesit do të sjellin ne muze. Përveç historive nga Kosova në këtë ekspozitë do të prezantohen edhe gjësende nga Zagrebi.

Ekspozita do të mbahet në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës, duke filluar nga 3 maj deri më 1 qershor, kurse të gjithë të interesuarit për të dërguar diçka të tyren në këtë ekspozitë mund të aplikojnë në brokenships.com. Zëri

A.S.