“Dam Festival” mbyll një edicion të suksesshëm

Kultura April 04, 2018 - 10:52

Me interpretimin e veprave të kompozitorit Artan Hasani dhe prezantimin premierë të ansamblit vokal “Zanat”  dhe “Etydet për piano” nga Philip Glass në interpretim të Gregory Charette, festivali i muzikës klasike “Dam Festival” mbylli në Prishtinë një edicion të suksesshëm.

Koncerti i fundit i “Dam Festivalit” për këtë edicion u mbajt në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare të Prishtinës.

Gjatë edicionit të 13-të të festivalit “Dam” shumë muzikantë të rinj dhe profesionist patën mundësi që ta dëshmojnë vetën. Për të përcjellë koncertet e festivalit gjashtë ditor, që u mbajt mes datave 29 mars dhe 3 prill, pati një interesim të madh. Në të gjitha koncertet e “Dam Festivalit” numri i njerëzve që erdhën për të shijuar muzikën ishte mbresëlënës por në anën tjetër, problem vazhdon të mbetet salla adekuate për koncerte të tilla. Kësisoj edhe këtë vit organizatorët e “Dam Festival” u përballën me mangësitë që “Salla e Kuqe” apo Amfiteatri i Bibliotekës Universitare të Prishtinës i kanë.

“Dam Festival” solli në kryeqytet edhe mbrëmje me karaktere të veçanta, siç ishte nata e parafundit e “Klubit 90” ku u prezantua një gjeneratë e re artistesh. Këtë rrugëtim muzikor e filloi Fjolla Asllanaj e cila solli tinguj në violonçel, përcjellë nga Lirika Pula në piano. Ato së bashku sollën tinguj të veprës “Sonatë për violonçel” të Claude Debussy. Pasi ato u larguan nga skena, aty u ngjit Fortesa Jusufi e cila me tingujt e pianos solli veprën e kompozuar nga Maurice Ravel. Pas disa interpretimeve të kolegëve të tjerë, Fortesa Jusufi u ngjit në skenë përsëri me violinistin, Rron Bakalli për të sjellë një vepër tjetër të kompozitorit Claude Debussy, ata në kombinimin e dy instrumenteve sollën përplot tinguj të magjishëm nga vepra “Vocalise”.

Një natë e spikatur e festivalit ishte edhe ajo kur interpretoi Orkestra e Filarmonisë së Kosovës, në kuadër të së cilës u prezantuan muzikantë të dëshmuar. Kjo orkestër për të tretën herë me radhë erdhi nën dirigjimin e amerikanit Gregory Charette. E veçanta e këtij koncerti ishte se një pjesë e tij u interpretua edhe në këmbë.  Përgjysmë orë interpretim të një prej veprave më të njohura të Terry Riley. Vepra “In C”, e punuar për ansambël të madh daton që nga viti 1964 dhe e ka dominuar muzikën moderne për shumë vite Orkestra e Filarmonisë qëndroi në këmbë. Vet vepra si e tillë bëri që Orkestra e Filarmonisë për gjysmë ore të sjellë një lojë plot gjallëri për publikun, një pjesë e të cilëve do t’u bashkohej atyre. Derisa të gjithë interpretonin në instrumentet e tyre, ata lëviznin nga një pjesë, në pjesën tjetër të sallës të rrethuar nga publiku në katër anët.

Pas disa edicionesh të suksesshme “Dam Festival” ka arritur që cdo pranverë të bëhet adresë e dashamirëve të muzikës së mirëfilltë.