Radio zvicerane promovon albumin e Elina Dunit

Kultura April 03, 2018 - 09:59

Këngëtarja dhe kompozitorja e njohur shqiptare, Elina Duni, po rikthehet fuqishëm me një album të ri muzikor.

Albumi i saj i ri solo titullohet ”Partir”, ndërsa Radio Kombëtare Zvicerane ka përgatitur një transmetim të veçantë, transmetimi për promovimin e këngëtares me rastin e lansimit të këngëve të saj më të reja.

Për gjithë transmetimin e projektit më të ri të muzikantes shqiptare është përkujdesur gazetari i njohur zviceran Arnaud Robertin, për të cilin vetë Elina Duni ka shprehur mirënjohje. Brenda ”Partir” ka këngë në gjuhën shqipe, melodi të cilat janë edhe duke u transmetuar në radio kombëtare të Zvicrës, njofton Klan Kosova.

“Partir” mund ta keni në duart tuaja nga 13 prilli në Zvicër, ndërsa në pjesën tjetër të Evropës dhe SHBA-së, mund ta gjeni atë nga 27 prilli.

Albumi i parafundit i Elina Dunit titullohet “Dallëndyshe”. Ky album u cilësua nga gazeta britanike “The Telegraph” si një ndër albumet më të mira të muzikës xhaz. Albumi trajton dy tema, të cilat sipas këngëtares lidhen shumë më njëra-tjetrën, dashurinë dhe mërgimin.

Promovimin e këtij albumi Duni e pati nisur me një turne ballkanik si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Serbi, për ta prezantuar pastaj edhe në Evropë e gjetiu.

Muzika e Elina Dunit është pothuajse gjithmonë një gërshetim mes xhazit dhe folklorit popullor shqiptar dhe ajo përpunon me shumë delikatesë shumë këngë të vjetra shqipe dhe i qaset në mënyrë të veçantë poezisë e melosit shqiptar.

Elina u lind në Tiranë dhe për herë të parë u ngjit në skenë kur ishte vetëm pesë vjeç. Në vitin 1991, Duni shpërngulet në Gjenevë të Zvicrës. Repertori i saj,  ndër të tjera përmbledhë albumet “Baresha”, “Lume- lume” dhe “Matanë malit”.

Ndonëse mban koncerte në shumë vende të Evropës, Elina shpreh kënaqësinë e saj sa herë që përshëndet publikun në shqip dhe dëgjon duartrokitje të vijnë prej sallës.

Gjatë vitit 2015 Ambasada e Kosovës në Zvicër i ka dhënë Elinës çmimin “Diaspora”.

E përditshmja zvicerane “AZ” ka radhitur këngëtaren shqiptare Elina Duni në krye të listës që përmban 10 këngëtarët më të mirë të muzikës xhaz sipas këtij mediumi.

Duni ka lënë pas vetës artistë si Schnellertollermeier: X, Le Rex: Wild, Man Kaos Protokoll, etj.