Poezia si bekim

Kultura March 21, 2018 - 11:03

Naime Beqiraj

Për koincidencë, Dita Botërore e Poezisë, vjen të nesërmën e Ditës Botërore të Lumturisë. Ndoshta nuk është menduar qëllimisht, por, bjen fjala, a është poezia lumturi. Unë them se po. Poezia është bekim, e nëse mbështetemi në thënjen e Paulo Coelhos se cdo bekim i injoruar shndërrohet në mallkim, atëherë kjo i përgjigjet më së shumti poezisë. E sidomos në ditët e sotme. Po, sepse po nuk ditëm, po nuk e gjetëm poezinë e vërtetë, qoftë si shkrim, qoftë si lexim, apo edhe brenda vetës si lexues, atëherë jemi të denuar të shijojmë art të dobët.

Edhe në epokën e Homerit ka pasur poetë dhe pseudo - prandaj jeton Homeri; prandaj jetojnë Psalmet e Davidit, prandaj lexohet vepra e Dante Aligerit. Në globalizimin mediatik e bashkë me të edhe të atij të botimeve, këtyre rrjetëzimeve nuk ka se si të mos u shpëtojë as poezia. Dhe si mbretëreshë e shkrimit/ e arteve, ajo po arrin (sa do me vështirësi) që tu shpëtojë mallkimeve. Kur fusha e botimeve, rrjetet sociale, mediat e ndryshme përpijnë gjithcka, ajo, pra poezia e vërtetë, sa do në këmishë të ngushtë, ajo arrin ta ruajë pëlhurën e vërtetë të thurjes artizanale. Mediokritetet letrare janë të organizuara, ato dijnë ta mbështesin njëra tjetrën, kurse poezia e vërtetë është e thellë, sovrane, e shkruar pak, e saktë. Është si qenja e luanit që rrugëton vet, jo si delet që ecin të prirura nga barinjtë e qentë – në tufë.

Sot është festë e poezisë, ndaj në ditë festash të rralla nuk kemi fjalë ankestare. Poezia e vërtetë e gjen rrugën e vet, shtratohet si lum burimor dhe e merr rrjedhën. Mu si dashuria!