Kori 'Siparantum' në festivalin ndërkombëtar të koreve në Francë

Kultura March 19, 2018 - 13:42

Kori “Siparantum” nga qyteti i Pejës do të përfaqësojë Kosovën në festivalin ndërkombëtar të koreve botërore “NANCY voix du monde” që mbahen në Francë, shkruan zeri.info.

Lajmin se ky kor është pranuar në festivalin “NANCY voix du monde” e ka konfirmuar dirigjenti i korit nga Peja, Memli Kelmendi.

“Konsideroj që ky është një sukses shumë i madh për ne si kor, meqë ky kor është formuar vitin e kaluar dhe për një kohë shumë të shkurtër kemi arrit të realizojmë vepra shumë të vështira dhe repertor profesional. Kjo besoj që ka ndikuar në pranimin tonë në këtë festival. Është një gëzim i papërshkrueshëm për ne duke e marrë parasysh që tanimë ne do të jemi në konkurrencë me  shtetet si: Gjermania, Republika e Kongos, Zvicra, Kili, Argjentina, Algjeria, Ukraina, Kosova, Ekuadori, Bullgaria, Çekia etj, prandaj kjo është një kënaqësi e madhe që të përfaqësojmë shtetin tonë në mënyrën sa më të mirë të mundshme .Qëllimi jonë tashmë është I qartë, të prezantohemi në mënyrën sa më të mire të mundshme dhe të prezantojmë vlerat tona të mirëfillta. Repertori jonë do të jetë i larmishëm, do të paraqitemi me vepra të kompozitorëve të njohur botërorë dhe kompozitorëve shqiptarë”, tha dirigjenti Kelmendi.

Festival International de Chant Choral “NANCY voix du monde” mbahet nga 9-13 maj dhe kori “Siparantum” do të paraqitet në pesë mbrëmje, në sallat koncertale më të njohura të vendit.

Ky festival ndërkombëtar i këngës korale është formuar në vitin 1979 dhe synon të organizojë çdo dy vite një ngjarje muzikore që mbledhë koret nga e gjithë bota. Që nga themelimi i tij e deri më sot kanë marrë pjesë 260 kore nga 63 vende të botës. Kosova paraqitet për herë të parë në këtë festival.

“Siparantum Choir” së shpejti do të dal me programin zyrtar me të cilin do të paraqitet në Francë. Zëri