Prononcimi racist i regjisorit Kryeziu

Kultura March 12, 2018 - 10:00

Është mirë që u hap një debat për rastin Sherbexhija, përkatësisht për mundësinë apo jo të angazhimit të tij në rolin e një filmi për komandantin legjendar Adem Jashari. Është mirë, sepse debatet janë ato që e bëjnë një shoqëri të hapur, aq më tepër një shoqëri si kjo e jona, e cila, shikuar nga konteksti historik, arsyeshëm ka mbetur e mbyllur.

Po në fakt këtë debat, përkatësisht këtë problem të ngritur në formë debati, ashiqare duket se e ka krijuar kompleksi yni i vlerës së ulët. Në një mënyrë këtë e ka vërejtur edhe aktori i madh serb, Rade Sherbexhija, i cili ka vlerësuar se regjisori kosovar, Luan Krasniqi, nëpërmjet emrit të tij ka dashur të faktorizohet, përkatësisht të dalë nga anonimiteti provincial, nga karantina e quajtur Kosovë!

Ndryshe edhe nuk shpjegohet kjo gjë, për më tepër kur kemi parasysh prononcimin skandaloz të regjisorit Krasniqi, një prononcim më shumë se racist. Regjisori Krasniqi pandeh se ka besuar se Rade Sherbexhija para së gjithash është njeri, por është befasuar kur ka kuptuar se, ai Sherbexhija, nuk është më shumë se një serb, gjë kjo që rrjedhimisht të shpie tek konstatimi se serbët nuk janë njerëz!

Epo si ka mundësi që një regjisor me një fjalor të tillë racist, që vetvetiu nënkupton edhe nivelin e tij intelektual, të bëjë një film të hajrit për komandantin legjendar, Adem Jasharin!? Sigurisht që nuk ka mundësi. Por në anën tjetër ka mundësi që regjisori Kraniqi, në këtë mënyrë, të provojë e të shërojë kompleksin e tij të vlerës së ulët, karakteristikë kjo për krijues e intelektualë provincash. Ndryshe dihet se aktori Rade Sherbexhija është një yll kinematografie, ndaj si i tillë nuk është më vetëm pjesë e tokës serbe apo kroate, por është i gjithë neve, përkatësisht i gjithë botës, njësoj siç ishte edhe aktori ynë Bekim Fehmiu.

Regjisori Krasniqi, me aferën e krijuar rreth këtij rasti ka dëshmuar se është një injorant i aftë për ta kapur për gjuhe edhe tipin që natyrshëm shfaqë një supremaci nëpërmjet vlerave të tij të dëshmuara, siç është në këtë rast aktori Sherbexhija. Dhe kur injorantët nuk injorohen, çdo përpjekje në raport me ta është dështuese. Kështu dështoi edhe aktori serb Sherbexhija, i cili lejoi të jetë i kapur për gjuhe nga regjisori Krasniqi. Prononcimet e tij për këtë rast nuk përkonin me formatin e tij prej aktori, madje as prej njeriu siç jemi mësuar ta njohim.

Por ajo që është shqetësuese në këtë rast, është fakti se përkundër shumë reagimeve lidhur me këtë, nuk pati as të vetmin reagim kundër gjuhës raciste të regjisorit Krasniqi. Kjo mbase vetvetiu dëshmon për një realitet akulturor, në të cilin ndodhet shoqëria jonë. Kjo mbase del të jetë më shumë brengosëse sesa vetë fakti që edhe pas dy decenieve në liri nuk arritëm të bëjmë një film të hajrit për luftën dhe terrorin e përjetuar.

Nuk është se komuniteti i artistëve është dashur të vihet në mbrojtje të Rade Sherbexhisë, të cilin ashiqare e kanë vënë në lajthitje (në zablludë), por ama patjetër është dashur të reagojë në kualifikimet e regjisorit Kraniqi.  

Ndryshe, një film për Adem Jasharin së pari do të kërkonte një mjeshtër të mirë skenari, i cili këtë figurë do ta kundronte nga të gjitha aspektet që bëjnë figurën e tij, të shndërruar në legjendë, sepse aty janë edhe fëmijët, të cilët nuk mund të kundrohen përtej të drejtave të tyre të sanksionuara me konventa ndërkombëtare. Pastaj duhet një regjisor i mirë, që për fat të keq në hapësirat tona nuk e kemi. Ndërsa puna e aktorit në këtë projekt kompleks më së paku është i rëndësishëm. Kjo për faktin se mund të gjejmë një aktor që do ta afirmonte figurën e komandantit legjendar, por njësoj do të mund ta gjenim një aktor, i cili nëpërmjet figurës së komandantit të bëhej i afirmuar.

Kam frikë, e koha ka dëshmuar se pesimistët kanë të drejtë në këtë vend, se po e jetojmë kohën pa shpresë që ta kapërcejmë nivelin e Halil Budakovës!