Marubi i Kaçanikut

Kultura February 24, 2018 - 13:22

Ka bërë hapin e parë në dekadën e nëntë të jetës. Ashtu me gjithë ato vite mbi supe, Axhib Tusha, i njohur si Marubi i Kaçanikut, ka mbledhur disa nga fotot e tij më të mira dhe i ka ekspozuar në hollin e shtëpisë së kulturës "Xheladin Kurti", në Kaçanik. Për ta nderuar plakun me bastun dhe me mjekër të bardhë, kanë ardhur dashamirë edhe nga Tetova dhe Prishtina, si dhe nga qendra të tjera brenda dhe jashtë Kosovës.    

Kjo ekspozitë ishte rezultat i angazhimit të disa dashamirëve të kulturës nga Kaçaniku, të cilët ishin mbështetur edhe nga Komuna si dhe ishin ndihmuar nga donatorët si kompania VM3 dhe fabrika Kivo. Siç thotë njëra nga organizatorët e ekspozitës, njëkohësisht edhe udhëheqje e programit në hapjen e saj, Ilire Raka-Zeneli, kishin gjetur 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës si një datë e cila do ta nderonte më së mirë Marubin e tyre, që tashmë ka varur aparatin në gozhdë.   

Me këtë rast, kryetari i komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, pasi e ka falënderuar fotografin e parë të kësaj komune, i ka ndarë edhe një mirënjohje për punën e gjatë të tij prej më shumë se gjashtë dekadash me aparat në dorë.

Për punën dhe angazhimin e Axhib Tushës, ka folur edhe miku i tij që nga fëmijëria. Latif Nallbani, i cili ishte edhe bashkëveprimtar i tij. Nallbani ka thënë se Axhib Tusha, i njohur në Kaçanik si aga Axhib, për më shumë se gjashtë dekada ishte me aparat në dorë, përherë i gatshëm që ta shkrepë të, pavarësisht rrethanave që shpesh nuk ishin fare të lehta.

"Axhib Tusha, i njohur edhe si Marubi i Kaçanikut, nuk ka lënë centimetër katror të Kaçanikut pa e regjistruar në shiritin celuloid; nuk ka lënë qytetar të Kaçanikut, por edhe të rrethinës pa e futur në objektivin e aparatit të tij", ka thënë Latif Nallbani.

Nallbani ka kujtuar edhe kohën e viteve të 60- ta të shekullit të kaluar, kur Axhibi ishte rreshtuar krah Sali Bajrës dhe shokëve të tjerë, të njohur për frymën e tyre rebeluesve kundër sistemit komunist. Ka kujtuar Nallbani se si atë periudhë kohore Ahxibi e kishte regjistruar në celuloid dhe të njëjtën e kishte ruajtur me xhelozi të madhe.
"Për shkak të një panorame, të cilën e kishte përgatitur që në vitet e 60-ta të shekullit XX, Axhib Tusha ishte thirrur në ato bisedat e njohura informative. Ishte thirrur vetëm pse kishte pasur guximin që tri pamjet më të bukura të Kaçanikut, t’i bashkojë në një kartolinë dhe t’i plasojë në publik me një “Përshëndetje nga Kaçaniku”, vetëm në gjuhën shqipe", ka kujtuar Nallbani.

Për rëndësinë e fotografisë si dokument dhe si fiksion, foli shkrimtari dhe publicisti Bardh Frangu, i cili Axhib Tushën e vlerësoi si një njeri i cili ka bërë një udhë, nëpër të cilën pastaj kanë ecur të tjetër pas tij. "Njerëzit mbahen mend për udhët që bëjnë. Axhip Tusha bëri udhën e fotografisë në Kaçanik dhe kjo gjë e bën pjesë të historisë së rëndësishme të Komunës së Kaçanikut dhe më gjerë", ka thënë Frangu, i cili ka vlerësuar fotografitë e Axhibit si një pasuri e madhe jo vetëm dokumentare, por edhe estetike.  

Ekspozita e Axhib Tushës mbetet e hapur deri më 26 shkurt.