Kosovarët shkëlqejnë në “Berlinale”

Kultura February 21, 2018 - 09:22

Në Berlin të Gjermanisë po mbahet edicioni i 68-të të i njërit nga festivalet më prestigjioz të filmit në botë, “Berlinales”. Sivjet ky festival shtrihet mes datave 15-25 shkurt dhe si çdo vit, ka mbledhur rreth vetës disa nga filmbërësit më të mirë.

Nga Kosova atje janë prezantuar tre aktorët, Andi Bajgora, Florist Bajgora dhe Arbresha Grabovci-Nixha, me filmin holandez “Kiem Holijanda”, nga Sarah Veltmeyer.

Ky film pati premierën në këtë festival në programin “Generation 14plus”. Kështu, përmes këtij filmi, fati i një familje kosovare u prezantua në këtë festival të rëndësishëm të kinematografisë.

Filmi “Kiem Holijanda” rrëfen historinë e personazheve që janë vëllezër, Andit dhe Floristit, të cilët jetojnë në një fshat të varfër në Kosovë. Duke shitur qumësht ata mbajnë familjen. Filmi 14-të minutash vazhdon me historinë e Floristit, i cili aspiron të udhëtojë për në Holandë.

Filmat nga Kosova po prezantohen edhe në tregun e filmit të “Berlinales”.

Në European Film Market tashmë janë konfirmuar dhjetëra takime me përfaqësues të fondeve të filmit, producentë ndërkombëtarë, programerë të festivaleve, distributorë etj, ku dhe do të promovohen 61 filma të mbështetur nga QKK.

Disa prej filmave të përfshirë në katalog janë: “Cirku Fluturue” nga Fatos Berisha, “Hana” nga Ujkan Hysaj, “Kodra e Diellit” nga Blerim Gjoci, “Fusha e Mëllenjave” nga Arzana Kraja, “Aga” nga Lendita Zeqiraj, “Familje” nga Durim Kryeziu, “Qiej të trazuar” nga Anton Ndreca, “Martesa” nga Blerta Zeqiri, “Ajo” nga More Raça, “Klithmë” nga Korab Lecaj, “Drita” nga Rita Krasniqi, “Urtësia” nga Bujar Berisha, “Aktorët e Kanës” nga Mentor Spahiu etj.

Gjithashtu në tregun e filmit EFM do të shfaqen për audiencë të caktuar dy filmat, bashkëprodhime kosovare, të mbështetura nga QKK, filmi “Martesa” nga Blerta Zeqiri dhe filmi “Kthimi” nga Kastriot Abdyli.

Gjatë prezantimit në Berlin do të organizohet një koktej rasti së bashku me Qendrën Kinematografike të  Shqipërisë, ku do të jenë të ftuar përfaqësues të fondeve ndërkombëtare të filmit, partnerë të huaj, producentë dhe përfaqësues të industrisë së filmit me qëllimin e krijimit të kontakteve dhe shkëmbimit të ideve të reja të bashkëpunimit.