Kultura

‘E vërteta për Nolin’, si kodi i të ‘bërit’ shqiptar

‘E vërteta për Nolin’, si kodi i të ‘bërit’ shqiptar
12 shkurt 2018 • 14 : 12

Entela Komnino, e njohur si gazetare në televizionin publik shqiptar, doktore në Letërsi, është autorja e librit më të fundit për Fan Nolin me titullin ‘E vërteta për Nolin’.

Libri i promovuar së pari në Ministrinë për Evropën dhe punët e jashtme të Shqipërisë, e më pas edhe në Universitetin e Tetovës, do të jetë për lexuesit e Kosovës që nga dita e premte kur në Prishtinë do të bëhet paraqitja e tij.

I jeni afruar një figure si Fan Noli që vazhdon të sfidojë autorët e tjerë shqiptarë për nga leximi dhe referenca e veprës së tij. Si ka ndodhur kjo dhe si e përjetoni pasi e keni botuar librin?

Sfida për qenë përballë Nolit si kritike ka qenë përgjegjësi shkencore në fillimet e studimit si doktoraturë. Atëherë ajo u ndihmua nga skema retorike për shqyrtime të këtij niveli, përpunuar me ndihmën e Prof. Juergen Schutte në Freie Universitaet Berlin. Atje u plotësua dhe shqyrtimi teorik për të treguar se cilat kushte biografike ndikojnë në tipologjinë e figurave retorike, por në fund të librit kuptimi i Nolit u sfidua nga një e vërtetë e madhe e tij dhe gjithë publicistëve shqiptarë bashkëkohës: Kodi i të bërit shqiptar.

Ky është një koncept që nuk gjendet në kritikën tonë.

Është e vërtetë. Unë e kam quajtur figurativisht ‘shqipërimi’ i vetë Nolit, ndërkohë fenomeni nuk i takonte vetëm atij, por gjithë publicistëve shqiptarë. Situata që i ‘prodhoi’ publicistët shqiptare të fundfillimshekullit XIX-XX, ishte ajo që mua më rezultoi se më shpejt mund të bëheshe publicist shqiptar sesa shqiptar vetë. Koordinatat e vetme të Shqipërisë së asaj kohe ushtrohen kryesisht në pushtetin e letrave shqip dhe botimeve, dhe ky ishte pushteti i vetëm i qartë i Shqipërisë atëherë. Kodi i të bërit shqiptar është shfaqur në skajshmërinë e vet në kohën e rilindasve shqiptarë. Ata jo vetëm që u bënë të tillë, por ekzistuan përmes publicistikës e kulturës shqipe edhe për gjithë pushtetet e tjera të munguara të Shqipërisë. Kështu, kushtet sociobiografike të Fan Nolit si autor nuk ishte e vështirë të të çonin tek Ligjërimi i tij, por me pikëpyetjen e madhe se çfarë përfaqësonte ky ligjërim që mbajti gjallë Shqipërinë dhe e bëri shqiptar Nolin e lindur në Turqi dhe jetuar kryesisht në SHBA.

Çfarë tregojnë këto për Nolin si ligjëruesi më i madh i kohëve moderne të shqiptarëve?

Fan Noli ishte ligjërues i shumëfishtë dhe ky proces është sinonimi gati fizik i tij. Në këtë referencë bëri vend zbulimi i kapacitetit retorik të gjuhës shqipe, jo vetëm i pavënë re, por që mund të japë përgjigje për gjithë zhvillimin e mendimit njerëzor dhe gjuhës!

A mund ta pyesim se çfarë është kjo?

Procesi i shqyrtimit retorik të Fan Nolit u gjend përpara një befasie të madhe, fillimisht kur një përdorim gjuhësor i Nolit nga shqipja e vjetër përkoi me një funksion të hershëm retorik (e ashtuquajtura ‘dhanorja etike’ e shqipes krahasimisht me proemium të retorikës). Befasitë u bënë të njëpasnjëshme në fjalë shqip që u vendosën në shqyrtime funksionale sipas kuptimeve që mbartin dhe me të cilat përdoren ende sot, duke dalë tek të vërteta për të cilat bota shkencore ka ndalur me hamendësime shkaqesh gjuhësore që vetëm shqipen nuk e konsiderojnë.

Çfarë domethënie ka mbërritja në këto nivele përfundimesh?

Çdo shqiptar ligjëron sot, pa e ditur se fjala që e tregon këtë proces në shqip përcjell fillimet e gjuhës dhe mendimit njerëzor. Kjo fjalë mbart ende sot me tinguj e kuptime të folurin dhe gjykimin njëkohësisht, pra mendimin e artikuluar. Një shqiptar ligjëron kur flet, por edhe ligjërohet ose përligjet për të drejtën e paraqitur me ligjërim, këndon kur ligjëron si bilbil e madje mund të qajë me ligje. Ky kapacitet është si një inskenim i fillimit të retorikës që pranohet të ketë lindur nga mbajtja e fjalës për akuzë ose mbrojtje në poliset greke, prej nga kanë dalë vendimet e ligjet. Nga ana tjetër proceset pasqyruese të fjalës LIGJËRIM rrugëtojnë edhe ‘kalimin e madh’ nga Deus legislator (si krijuesi i parë) tek ligji i natyrës dhe natyra e ligjit, rrugëtim që shkencëtarët e kanë të vështirë të gjejnë se si ka ndodhur. Fjala shqipe ‘LIGJËRIM’, e shpjegon edhe këtë proces përmes argumentit gjuhësor ndërkombëtar të lidhur me rrënjën Logos dhe Leg (si fjalë dhe ligj) ende të pranishme e aktive në përdorimin e sotëm të ligjërimit. Në shqip sipas frymës e gërmës qëndron ‘LIGJËRIM’, me të dy kuptimet kryesore të Logos e Leg në një fjalë si akt i të folurit dhe gjykim.

Duken teza mëse të guximshme…

Unë operova për të nxjerrë risitë e Nolit në terrenin e letrave shqipe sipas skemës retorike të përshkruar më lart. Po befasitë e përfundimeve prekin edhe vetë emrin ‘retorikë’, të shpjeguar deri tani nga fjala greke ‘retor’ që tregon atë që mban fjalën, por jo se nga del gjuhësisht procesi i të mbajturit të fjalës. Në fakt rrënja ‘tor’ që krijon asosacione tingullore dhe kuptimore me procese të treguara të Kullës së Babilonisë, në shqip gjendet brenda fjalës ‘torua’ (arsye, shteg guxim), madje në variantin që e ke humbur atë, siç përkon legjenda kur gjuhët u ngatërruan.

Sa gjerë shtrihen përfundimet tuaja?

Përveç mundësisë që lejoi ligjërimi i Nolit për të treguar kapacitetet retorike të shqipes, është pikëpyetja mbi konsiderimin e faktorit ‘troje’ si substancëformues në gjuhë nga teoritë ende vepruese në gjuhë. I ngjan ose nuk i ngjan troja dhe dardanët atyre që shkruan Homeri, gjuha shqipe vazhdon të sfidojë me kapacitete si ato të fillimit të mendimit njerëzor duke ‘prodhuar’ publicistë e ligjërues sa dhe shqiptarë pa kufij.

Çfarë është sipas jush prurja më e madhe e Nolit në këto terma të shqipes?

Institucion i mendjes më shumë se i rrethanave të atyre që e flasin, gjuha shqipe provon se cilësia e saj për ta ruajtur faktorin shqiptar edhe pa ‘Trojën’ edhe pa ia njohur Homerin e Dardaninë, por kryesisht në memorje e letra, zbulon një substancë bazë mendore gjuhësore, më vepruese për gjallimin e saj dhe e paasgjësueshme, krahasuar me atë të trojeve apo administratave. Atdheu në të cilin jetoi Noli, i marrë me mend e madje me ‘frymë’, me emrin/kohë – ‘Shqipëria, çka qenë, ç’është e ç’do të bëhet’, në veprimin shkrimor e kombiar të Nolit, rezultoi pragu i një përfundim madhor: shqipja, nga gjuhë e mbijetuar e shqiptarëve të mbijetuar, në një retorikë gjithëshpjeguese. Fabula historike magjike që rri në të njëjtin vazhdim me fabulën jetëshkrimore të Nolit dhe atë të institucionit shqiptar të besimit, qartëson tregimin faktik të Nolit edhe në kushtet e jashtëzakonshmërisë. Jetëpërshkimi i Nolit dhe krishtpërshkrimi i përkthyer kanë prodhuar sipas një ngjizjeje të përbashkët reale/frymë të njëjtin korrelacion të llojit ‘realitet shqiptar/shqip’. Këtu pyetja retorike e gjithë jetës së Nolit, që mund të konsiderohet më aktualja e kulturës përcjellëse shqiptare – ‘a është Skënderbeu, madje sa i gjallë’ është në kushtet e një kapaciteti shëtitës, i njëjtë me atë të kohës që e krijoi Heroin kombëtar dhe e risolli për rikonfirmimin e shqipes në raporte kaq komplekse të mendësisë së përmbajtur në gjuhë, por e thjeshtuar për kuptim nga kapaciteti i pyetjeve të ekzistencës.

© zëri.info