Vrapoj çdo ditë nëpër ëndrrat e mia

Kultura February 10, 2018 - 13:11

Në rubrikën e rregullt të së shtunës "Jepi Zërit", prezantojmë aktoren e teatrit dhe filmit, Merita Smajën (1958), e cila është aktore rezidente e teatrit "Migjeni" në Shkodër dhe njëherazi pedagoge në Akademinë e Arteve të Shkodrës. Merita ka punuar edhe si regjisore, gazetare dhe moderatore. Aktualisht drejton një emision në TV1 Chanel. Është fituese e shumë çmimeve nëpër festivale të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.  

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

Në kokë pështillen shume pyetje e nuk është e lehtë për ta gjetur dhe për ta kuptuar më të rëndësishmen, sepse jeta të përballë me kaq shumë gjëra njihëresh, por gjithmonë është diçka që të ngacmon ma fort. E unë çdo ditë e pyes veten se a do mundem sot të bëj diçka që ia vlen, qoftë edhe diëka krejt të vogël. A do jem e zonja të përballem me jetën, sepse ajo të sfidon, e nuk duhet me e humb toruan. Realiteti është i egër e ne jetojmë me marrëzinë e duhet t'i gëzohemi asaj, ndryshe gjithçka merr fund edhe në vete. Jeta është e mirë për njerëz të cilët dinë t'i gëzohen asaj, pa bërë shumë pyetje .

 

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Udhëtim.... Jeta është një përzierje fuqie dhe forme, e ... të jetosh numrin më të madh të orëve do të thotë zgjuarsi. Thonë, meqë jeta është e shkurtër, nuk ia vlen të vrasësh mendjen, por shpesh jeta është një çast. Unë udhëtoj rrugës së dashnisë, mes artit dhe familjes, e kjo e bën ditën time të bukur, por edhe të trishtë, sepse dashnia pa dhimbjen nuk mund të kuptohet. Unë vrapoj çdo ditë nëpër ëndrrat e mia për t’i kapur ato, e në fund e lodhur, shpesh e kënaqur, e shpesh e dëshpëruar, mbyll sytë për të kuptuar pse-të.

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Me pyesni cili libër qëndron më dukshëm në kujtesën time, pyetje jo e lehtë, po të me pyesnit cili është më i bukuri do përgjigjesha -"Fausti" i Gëtes, ose "Hamleti", po të më pyesnit me i preferuari- Emerson se ka kaq shumë libra që janë brenda meje e që më ngacmojnë e frymëzojnë, por do veçoja poezitë e Pol Elyar, sepse asgjë më bukur se poezia nuk qëndron në një vitrinë kujtese.

 

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Njeriun nuk mund ta shpjegojë asgjë tjetër veç historisë së tij. Njeriu është gjithë enciklopedia e fakteve. E gjithçka shpjegohet nga përvojat individuale. Ne jetojmë në një kohë, ku ka krizë të përgjithshme jo vetëm morale, e ndryshimi mes njerëzve qëndron në parimin e tyre të shoqërimit e të pranimit. Mua më ndihmon arti të përballem e ta mund krizën, sepse arti del mbi realitetin vulgar të jetës e të jep shpresë se gjithçka mund të bëhet më e mirë e mund të ndryshojë. Por arti është i mbështetur tek jeta, e krizës nuk i shpëton dot, e sidomos kur kjo ka të bëjë me njeriun e brendësinë e tij. Kjo krizë shpesh kapërthen njeriun, e bën që ai të shpërfytyrohet e të humbas veten, e ne themi siku ndryshoj, ishte njeri i mirë! Nuk ka njerëz me standardin, të mirë apo  të këqij, ka njerëz me shpirt qe shpesh ndjeshmëria i bënë të ndryshojnë e të mos jenë vetja. Asgjë nuk duhet të shihet bardh e zi, gjithçka ka ngjyra, edhe kur nuk duken .

 

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Të jetosh çdo ditë me artin, kulturën, do ta kesh patjetër pjesë të jetës, por sa është pjesë e shoqërisë? Këtu ndryshon gjithçka, e njeriu që i përket kulturës mbetet i habitur, pa fjalë me atë që ndodh. Shteti mendon se kultura është e fundit që ai mund të investojë! Sa gabim, nëse një shtet është kaq i thatë e mendon pa shpirt, nuk mund të vazhdojë gjatë ekzistencën, sepse pa shpirt nuk jetohet. Shpresoj të ndryshojë e të kthehet vëmendja te arti e kultura, sepse pa to, çdo betejë është e humbur për një shtet.

 

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Koha është ajo të cilën ne nuk e arrijmë dot kurrë, sepse ecën gjithmonë para nesh. Ne përpiqemi ta shfrytëzojmë, por kurrë nuk dihet sa ia arrijmë. Gjithmonë janë tri kohë; ajo që ikën, që e mendojmë gjithmonë me nostalgji, e dëshirojmë se na duket më e mira, se ishte mosha e tillë kur çdo gjë duket e bukur e me vlerë, e sotmja që nuk e durojmë dot, sepse na vret çdo moment me egërsinë e saj dhe shpejtësinë, e zhgënjimet e përditshme, dhe e ardhmja, të cilën e presim si diçka që përmbyllë të mirat apo të këqijat tona, e që e mendojmë gjithmonë si një lumturi të pritshme. Pra jemi të ndarë gjithë kohës edhe pse koha ecën, edhe pse moshat ndryshojnë, kohërat nuk ndryshojnë kurrë. Të gjithë kemi të djeshme, të sotme e të ardhme ...e në fund parimin e madh të biologjisë: ”Të gjithë do vdesim se askush nuk është i përjetshëm, e kjo i jep fund kohërave dhe na bënë t’i shkrijmë në një.

 

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Të veçosh në art është shumë e vështirë, sepse arti ndryshon në kohë, ndryshon në individualitet e në atë që përcjell. Të veçosh, do të thotë të duash, të ndjesh, të jetosh momente, të kesh mendim e ndjeshmëri maksimale. Natyrshëm që këto varen nga formimi yt, nga shpirti artistik e nga dashnia ndaj gjërave e jetës. Të bukuren e sheh vetëm ai që e ka në shpirt. Askush nuk ndan dot vetëm një, sepse çdo vepër arti ka mënyrën e vet të lidhjes me shpirtin e njeriut, e atje ku gjen vend qëndron me bukurinë që artisti i jep, e njeriu me shpirt të bukur e merr. Ka shumë piktura që përcjellin ndjesi të veçanta, shumë poezi të autorëve të ndryshëm ngrohin shpirtin e mbushin me emocione një lexues. Kënga është ajo që vjen te ti natyrshëm, e plotëson boshllëqet, qoftë në gëzim, dhimbje apo dëshpërim për të sjellë një tjetër ndjesi. E për të të bërë të ndihesh mire, shpesh edhe lot rrjedhin faqeve, shpesh edhe çmenduri mund të besh, sepse muzika është melhem për shpirtin. Filmi, ky art i madh i shume artistëve, sepse sjelle tek ne mjeshtërinë e të gjithë krijuesve, të çon në një botë tjetër, të bën të ëndërrosh, të mbushë me kënaqësi, me dashuri, me urrejtje, të tremb.., por është art, ndaj është një mrekulli që të bën me harru, qoftë edhe për pak atë që jeta të ofron.