Kultura

Mësimi përmes filmit në Prizren

Mësimi përmes filmit në Prizren
09 shkurt 2018 • 08 : 35
Argjenda Selmani

Drejtuesit e “DokuFestit” dhe ata të Drejtorisë së Arsimit në Prizren, të mërkurën kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi përmes të cilit synohet krijimi i një platforme që nxitë dhe mbështet shkollat, përkatësisht mësimdhënësit në përdorimin e mjeteve audiovizuele në planifikimin dhe zhvillimin e procesit edukativo-mësimor në shkollat e mesme të Prizrenit.

Eroll Bilibani, nga “DokuFest”, tregoi për “Zërin” se inicimi i këtij bashkëpunimi është bërë për një përfshirje sa më të gjerë të Komunave në programin edukativ të DokuFest për krijimin e një platforme që nxit dhe mbështet shkollat, përkatësisht mësimdhënësit në përdorimin e mjeteve audiovizuele.

“Sipas Kornizës Kurrikulare të Kosovës, disa nga sfidat me të cilat ballafaqohet shoqëria kosovare përfshinë integrimin në epokën digjitale, rritjen e ndërvarësisë dhe të lëvizshmërisë si dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Fatkeqësisht tekstet shkollore nuk janë të pajisura me informata për t'i adresuar këto sfida. Shumë mësimdhënës progresivë, të cilët veçse e përdorin filmin në klasë, shpesh kanë vështërsi në gjetjen e filmave adekuat dhe të kuptueshëm, të cilët do të nxisnin debat lidhur me temën e trajtuar. Përmes këtij programi ne jemi duke siguruar tituj të filmave dokumentarë, të cilët janë të përshtatshëm për përmbushjen e objektivave dhe kompetencave të kurrikulës bërthamë për arsimin e mesëm të lartë”, tha Bilibani.

Tutje ai sqaroi se pas identifikimit të filmave, diku në fund të muajit prill, do të organizohet një trajnim me të gjithë mësimdhënësit pjesëmarrës nga të gjitha komunat, ku është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit

  Këta udhëzues do t’i prezantohen Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për të marrë aprovimin për përdorim në fazën e dytë me fillim të vitit shkollor 2018-2019. Faza e tretë do të fokusohet në analizën dhe vlerësimin nga ana e mësimdhënësve dhe nxënësve, si dhe të shikohet mundësia e zgjerimit të programit edhe në komuna tjera.

Ky program përbëhet prej projekteve “Shkolla dhe Filmi Dokumentar”, mbështetur nga Fondacioni Kombëtar për Demokraci dhe “Filmi dhe Mediat Faktike”, financuar nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile - KCSF. Ky program poashtu mbështetet nga Fondi i Princit Claus nga Holanda.

Programi funksionon disa vjet përmes kino- klubeve të themeluara viteve të kaluara. Sipas Bilibanit, një ndër shkollat më të suksesshme në aplikimin e filmit për trajtimin e temave të ndryshme shoqërore është shkolla e mesme “Jeta e Re” në Suharekë.

“Ne tani kemi nënshkruar me drejtoritë e Arsimit në komunat e Prizrenit, Vitisë dhe Rahovecit dhe jemi duke pritur edhe nënshkrimin në komunat e Pejës, Gjakovës, Malishevës, Gjilanit, Kaçanikut, Dragashit, ku projekti është mirëpritur nga kryetarët e komunave dhe nga drejtoritë e Arsimit dhe besoj që shumë shpejt projekti do të prezantohet edhe në disa komuna tjera”, bëri të ditur Bilibani.

© zëri.info