Erzen Shkololli në krye të Galerisë së Arteve në Shqipëri

Kultura January 18, 2018 - 14:17

Tash e tutje ish-drejtori i Galerisë Kombëtare të Kosovës, Erzen Shkololli do të udhëheqë me Galerinë Kombëtare të Arteve në Shqipëri. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama me anë të një vendimi zyrtar i besoi Shkolollit drejtimin e një prej institucioneve më të larta të artit që ka një shtet.

Ish-drejtori i Galerisë së Arteve në Kosovë, Shkololli, në këtë detyrë të re zëvendëson Artan Shabanin, e shkarkuar në dhjetor të vitit të shkuar. Shabani është emëruar në vitin 2013 në krye të Galerisë së Arteve, si zgjedhje e vetë kryeministrit Edi Rama.

“Është nder i veçantë për mua që të pranoj emërimin nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë për të udhëhequr Galerinë Kombëtare të Shqipërisë në këtë moment të veçantë për artin shqiptar kur Shqipëria dhe shqiptarët po e zënë vendin e tyre të pamohueshëm në Evropë dhe në botë. Jam i përkushtuar që në skenën artistike t’i jap shtytje kësaj fryme, i bindur që arti shqiptar është pjesëza qe kompleton mozaikun e pasur të krijimtarisë evropiane dhe botërore. Vizioni im për të ardhmen e Galerisë së Shqipërisë është ta shndërroj në qendër graviteti si për prurjet bashkëkohore në art ashtu edhe për talentin vendor që viteve të fundit ka qene përfaqësuesi më i mirë dhe më i denjë i vlerave kombëtare, u shpreh Shkololli.

Edhe ministrja e Kulturës në Republikën e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, e ka uruar Shkolollin për detyrën e re.          

“Dua t'i uroj mirëseardhjen dhe punë të mbarë drejtorit të ri të Galerisë Kombëtare të Arteve, Erzen Shkololli me të cilin do të nisim një udhëtim të ri në institucionin më të rëndësishëm të artit pamor në Shqipëri. Jam e bindur se dora dhe mendja e Erzenit do të ndërtojë pjesën e vet në historinë e Galerisë Kombëtare të Arteve, do të sjellë një frymë të re dhe do të ndihmojë në heqjen e kufijve në hapësirën kulturore, jo vetëm midis Shqipërisë dhe Kosovës, por puna dhe arti i Erzenit ngrihet mbi çdo lloj kufiri në emër të artit. Ne katër vitet e fundit Galeria Kombëtare ka njohur ngjarje të rëndësishme kulturore, ekspozita me artistë vendas e të huaj që kanë lënë gjurmë te publiku i arteve pamore, ka hapur dyert për brezat e rinj dhe është kthyer tashme në një nga vendet e preferuara për fëmijët me programin ‘Edukim përmes kulturës’ dhe për këtë bashkëpunim dua të falënderoj drejtorin që sapo mbylli mandatin e tij, Artan Shabani”, ka thënë Kumbaro.

Erzen Shkololli ka qenë drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës nga viti 2011 deri në vitin 2015. Nën udhëheqjen e tij Galeria e Kosovës pësoi transformim të plotë duke u shndërruar në një urë përmes së cilës skena artistike e Kosovës, që deri vonë ishte e margjinalizuar dhe e izoluar nga komunikimi kreativ me skenat artistike evropiane dhe botërore, depërtoi fuqishëm përtej kufijve të Kosovës. Si drejtor i Galerisë në Kosovë, Shkololli avokoi suksesshëm për pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në Bienalen e Venedikut, duke shërbyer njëkohësisht si komisioneri i parë i Kosovës në edicionin e 55-të të Bienales.