Po kthehemi prapa në kohë

Kultura January 13, 2018 - 09:12

Në rubrikën e rregullt të së shtunës, "Jepi "Zërit", prezantojmë Liri Loshin, i cili u lind më 20 gusht 1960, në Pemishte të Skenderajt.

Liri Loshi është mjek, publicist dhe poet që jeton dhe vepron në Kanada.

Deri tani ka botuar tre tituj me poezi për fëmijë: “Të kisha mustaqe”  (1982), “A flet zemra” (1984) dhe” Udhët e Tokës” (1988). Gjatë kohës kur ka qenë student ka punuar si redaktor i gazetës periodike “Bota e re”.

Kohëve të fundit ka qenë i pranishëm në shtypin e përditshëm me analizat e tij për situatën politike në Kosovë.

Gjatë luftës së UCK-së ka vepruar si mjek, si reporter lufte dhe Komandant për moral i Brigadës 112 në Drenicë.

Liri Loshi ka bërë videon për masakrën e Izbicës në mars 1999, e cila ka pasur ndikim në kontinuitetin e aktiviteteve ushtarake të NATO-s, në politikën euro-amerikane ndaj luftës në Kosovë dhe në gjykimin e kriminelëve serbë të luftës në Gjyqin Ndërkombëtar të Hagës.

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

Po të mos zhvendosesha me familje pas luftës nga Kosova, a do mund të bëja më shumë për vendin tim? Jo të gjithë njerëzit që kanë punuar mirë para lufte, kanë vazhduar ta bëjnë të njëjtën gjë edhe pas lufte dhe kur mendoj se njëri nga ta mund të isha edhe vetë, kjo me tmerron. Ne ishim në gjendje të bënim gjithçka që të fitohej liria, qoftë duke mohuar edhe qenien tonë, por pse nuk e kuptuam se liria është vetëm si parakusht për ta ndërtuar shtetin dhe përparuar shoqërinë tonë? Pra, kush do të isha unë në këtë aspekt, a do të isha një model i qytetarit dhe intelektualit të denjë të Kosovës, apo do të isha vetëm edhe një përfitues i rëndomtë që shtetin e koncepton si një burim privilegjesh për veten, për familjen dhe për sojin tim. Dhe, nëse do të isha ne grupin e parë, a do të mund të bëja diçka që gjerat të shkonin ndryshe dhe që populli im të ndjehej jo vetëm i lirë, por edhe krenar e dinjitoz në vendin e vet. Dhe, pyetja që vazhdimisht i bëj vetes është, po sikur sot të kthehesha në vendin tim, a do të isha një valë kryengritëse e lumit që bën një kthesë dhe iu prin valëve tjera për ta ndjekur një rrjedhë tjetër, apo vetëm një pikë ujë e atij lumi që derdhet qetësisht në detin e gjerë, ose edhe më keq, që humbet me avullin në qiell pa arritur detin kurrë!

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Një udhëtim imagjinar nga Kanadaja në Kosovë dhe anasjelltas. Dhe kjo nuk ndodh vetëm njëherë, por disa herë në ditë. Kurse udhëtimi im i zakonshëm fizik është ai me mbesën time dy vjeçe e gjysmë Hanën, të cilën e dërgoj me veturën time në çerdhe dhe e marr nga çerdhja pothuaj çdo ditë. Ky është një udhëtim që me mbush kënaqësi dhe m’i jep më shumë kuptim dhe më shumë dashuri jetës. E ndjej me fat veten për mundësinë e krijimit të një raporti aq të afërt me mbesën time, i cili shpresoj se do të vazhdojë e do te forcohet tutje në jetë. Hana, edhe pse aq e vogël, qysh tash din të ma kthejë dashurinë time për të me një dashuri dhe respekt të veçantë për gjyshin e vet. Nëse askush në shtëpi nuk arrin ta bind Hanën që ajo duhet mbathur këpucët, apo që duhet hequr një teshë, është gjyshi ai, të cilit ajo nuk i thotë jo asnjëherë.

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Ah, vitrina e kujtesës sime! Ke prekur një pikë shumë të ndjeshme me pyetjen tuaj. Në vitrinën e kujtesës sime janë krejt librat e bibliotekës sime, e cila vërtet mbeti të jetojë vetëm në kujtesën time. Besoj se të kujtohen kompletet e librave të pothuaj të gjithë rilindasëve, pastaj ato të Kadaresë, Xoxës, Shekspirit, etj, që me një përgatitje aq të bukur teknike i botonte "Rilindja"? Ka shumë libra që ngrenë krye për të dalë në vend të parë. Janë sikur tre fëmijët e mi që nuk mund t’i lejoj vetes ta bëj dallimin mes tyre. Por dua te them se përveç Kadaresë për mua edhe Xoxa është një shkrimtar i madh, i kalibrit botëror. "Lumi i vdekur" është një kryevepër, ashtu sa është "Prilli i thyer", për shembull.

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare.

I zhgënjyer, por edhe optimist njëkohësisht. Është një proces i tranzicionit nga një shoqëri e shtypur nga regjimi totalitar dhe shovenist njëkohësisht. Vështirë se ka mundur të ndodh ndryshe! Por procesi vazhdon dhe ai di të ketë një “happyend” për popullin tonë. Vlerat civilizuese po stabilizohen çdo ditë e më shumë në botë dhe mendoj se çlirimi i vendit tonë ka ndodhur pikërisht në kohën kur vlerat njerëzore kanë marrë një kuptim shumë përmbajtësor, kur individi është në qendër,në vend të kolektivit që ishte dhe vazhdon të jetë ende me shumicë. Vetë liria, por edhe avancimi i vlerave te njerëzimit ka bërë që të ndihet njëfarë konfuzioni te gjeneratat e reja, te cilat kërkojnë vazhdimisht identitetin e tyre që është i lidhur ngushtë për vlerat e kohës. Ne duhet të mësojmë se çfarë është vlerë e vërtetë kombëtare. Për shembull unë mendoj se çfarëdo krijimi është vlerë kombëtare, vetëm atëherë kur është vlerë universale.

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Në përgjithësi mendoj se është një zhvillim stihik, pa mbikqyrje dhe kontroll. Mungon institucioni i definimit të vlerave të vërteta, i vlerësimit dhe i cytjes së tyre, kështu që kemi një shpërfytyrim të kulturës dhe vlerave të saj. Kosova ka shumë talente të të gjitha profileve të artit dhe kulturës dhe ka arritje kulmore individuale. Por më pengon injorimi që i bëhet kulturës nga pushtetit si dhe një shije e çuditshme e publikut për të pranuar vlerat e dyshimta si vlera dhe për t’i lënë anash vlerat e vërteta. Zhanri i muzikës folklorike është ende dominues. Në kohën tonë pat filluar një përpunim, apo shqyrtim artistik i folklorit, kurse tani folklori kultivohet në emër të identitetit kombëtar. Ende mendohet se krisma e pushkës nëpër ahengje, plisi në kokë dhe këngët burimore folklorike janë vlera me të cilat duhet të identifikohet shqiptari dhe nuk kuptohet se kjo është kthim prapa në kohë, është degradim i kulturës sonë. Mendoj se Kosova meriton një klasë më të avancuar politike, e cila do ta ndërronte konceptin për kulturën dhe artin po ashtu. Meqë jam optimist se një klasë e tillë politike do të vijë së shpejti, besoj se edhe kultura do ta marrë kahen e vet normale.

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Filmi "Udha e shkronjave", piktura "Mona Liza", kënga "Kënga e Bareshës" e Nexhmije Pagarushës, poezia "Poema e mjerimit" e Migjenit. /ZËRI/