“Ballkoni” i Zeqirajt vazhdon të ngjallë interesim

Kultura January 12, 2018 - 08:32

Ndonëse kanë kaluar rreth pesë vjet nga premiera, filmi “Ballkoni” i regjisores kosovare Lendita Zeqiraj, vazhdon të ngjallë interesim të madh. I prezantuar në qindra festivale ndërkombëtare dhe më një bagazh çmimesh të rëndësishme, së fundi filmi është vënë në dispozicion edhe online dhe falas për të gjithë ata që duan ta shikojnë, shkruan Zëri.Info.

Kjo falë memorandumit të bashkëpunimit mes Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe GjirafaVideo.com për shfaqjen online të filmave të subvencionuar nga QKK në favor të interesit publik dhe në mënyrë që qytetarët të kenë qasje në filmat e Kosovës. Në GjirafaVideo do të mund t’i shihni ekskluzivisht nëntë filma shqip, shumica prej të cilëve janë fitues të çmimeve të ndryshme ndërkombëtare, ndërsa pritet qe ky bashkëpunim të vazhdojë edhe me filma te tjerë në muajt në vijim.

Listës së këtyre nëntë filmave i prin pikërisht filmi i Zeqirajt, që ka mbledhur mbi 11.000 shikime. Për gazetën “Zëri” regjisorja Zeqiraj tha se atë si filmbërëse e gëzon shumë interesimi i vazhdueshëm i publikut kosovar për filmat e saj. Iniciativën e QKK-së për t’i shfaqur filmat për gjithë publikun Zeqiraj e vlerësoi lart.

“Është me të vërtetë kënaqësi e madhe kur filmi zgjon një interesim aq të madh te shikuesit. Ky është një shpërblimi i madh për mua, sepse filmi punohet dhe ekziston për publikun. Përshëndes iniciativën e GjirafaVideo dhe Qendrës Kinematografike të Kosovës që i bën të mundur publikut të gjerë kosovarë që t’i shohin filmat e prodhuar tek ne”, tha Zeqiri.

 

“Ballkoni”, shërben si një pikëpamje absurdi mbi situatën e shoqërisë moderne në Kosovë. Filmi është një vëzhgim i mentalitetit autentik të shoqërisë sonë, i cili shumë shpejt mund të shndërrohet në një situatë absurde. Teknika e filmit, të cilën e ka aplikuar regjisorja, është teknika më e vështirë në kinematografi, ajo e xhirimit me një plan të vetëm. Rolet në këtë film i interpretojnë: Arben Bajraktaraj, Sevdai Radogoshi, Osman Ahmeti, Sefedin Nuredini, Shengyl Ismajli, Kujtim Kryeziu, Gjin Kastrati, Avni Dalipi, Edona Reshitaj, Adriana Matoshi, Burhan Sejdiu, Afrim Muçaj, Mevlan Saraçi, Leonora Mehmetaj, Mejreme Berisha, Nexhmije Selca, Merfi Gashi, Shqipe Gashi, Gojart Kqiku, Flamur Hasani, Halit Bytyqi dhe Naim Kabashi.

Pos filmit “Ballkoni”, në bazë të numrit të shikimeve, vërejmë se vëmendje të madhe nga publiku kanë marrë edhe filmat “Ne të tre”, i Blerta Bashollit me mbi 9.000 shikime dhe “Clirimi” i Burim Halitit me mbi 6.000 shikime.

Përveç këtyre filmave në platformën GjirafaVideo.com mund t’i shikoni falas edhe filmat “Ferdonija”, “E kuqja”, “Përqafimi”, “Krom”, “Kolona” dhe “Cheers”. Kjo platformë është lansuar para rreth një muaji.

Gjatë nënshkrimit të këtij bashkëpunimi, i cili i ofron publikut kosovar qasje në disa nga filmat më të suksesshëm që u bashkëfinancuan nga shteti, Arben Zharku, drejtori i QKK-së, në lidhje me këtë bashkëpunim tha se zhvillimi i politikave që i shërbejnë interesit publik është edhe misioni i Qendrës Kinematografike të Kosovës.

 “Kjo është një mundësi fantastike si për krijuesit ashtu edhe për publikun për të pasur qasje në shumicën e prodhimtarisë filmike të mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, duke qenë se zhvillimi i politikave që i shërbejnë interesit publik është edhe misioni i Qendrës Kinematografike të Kosovës”, u shpreh Zharku.

Producentët të cilët kanë zgjedhur t’i shfaqin filmat e tyre në GjirafaVideo u shprehën të kënaqur që tashmë kanë një platformë vendore ku do të shfaqin filmat e tyre, platformë e cila ju jep mundësinë për të komunikuar më drejtpërdrejtë me publikun, i cili në bazë të trendëve, po frekuenton më shumë platformat online për argëtimin e tyre të përditshëm.