MKRS do të hapë konkurs publik për drejtorin e QKK-së

Kultura January 10, 2018 - 08:31

Pritet që deri në fund të kësaj jave, apo në fillim të javës së ardhshme, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të shpallë një konkurs publik, siç e përcakton Ligji për kinematografi, për zgjedhjen e drejtorit të ri të Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Kjo pasi kjo ministri ka anuluar konkursin e parë, të shpallur më 29 dhjetor të vitit të kaluar, i cili ishte një konkurs i brendshëm.

“Ministria e kulturës, Rinisë dhe Sportit, mbështetur në procedurat e rekrutimit, njofton për anulimin e konkursit (rekrutim i brendshëm)... për pozitën drejtor në Qendrën Kinematografike të Kosovës, për shkak të mosplotësimit të numrit të kandidatëve të nevojshëm për kryerjen e procedurës së rregullt të rekrutimit”, shkruhet në njoftimin e publikuar nga MKRS-ja të premten. Në të njëjtën ditë dhe me të njëjtin arsyetim është anuluar edhe konkursi i brendshëm për drejtor në ansamblin kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”.

Lajmin për konkursin e ri e kanë konfirmuar për gazetën “Zëri” zyrtarë nga divizioni për marrëdhënie me publikun nga kjo ministri.

“Siç e dini, konkursi i parë i shpallur i cili ishte një konkurs i brendshëm u anulua në fillim të muajit janar. Në atë konkurs nuk pati asnjë aplikant për pozitën e drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës. Konkursi i ri do të hapet së shpejt, deri në fund të kësaj jave, ose eventualisht në fillim të javës tjetër. Kësaj radhe do të jetë publik dhe të drejt aplikimi do të kenë të gjithë”, tha për gazetën “Zëri”, Taulant Balaj, zyrtar nga MKRS.

 

Ai tutje mohoi të gjitha reagimet që erdhën në drejtim të MKRS-së nga organizata të ndryshme të artistëve, të cilët e cilësuan atë konkurs si tentim nga brenda MKRS-së për të rizgjedhur drejtor të QKK-së Arben Zharkun.

Regjisori Luan Kryeziu, i cili është sekretar i Unionit të Artistëve të Filmit të Kosovës, konsideron se e megjithatë anulimi i konkursit nga ana e MKRS-së ishte një vendim i mençur. Sipas tij ky konkurs ishte tendencioz. Tutje Kryeziu deklaron se konkursi i ardhshëm duhet të jetë konkurs publik, ashtu siç e thekson ligji.

“Ministria bëri një veprim të mençur edhe pse duam të besojmë që nuk ishte faji i tyre, por i Këshillit të Pavarur të Shërbimit civil! Konkursi ishte tendencioz, sepse ishte shpallur në ditë feste dhe duke mos respektuar Ligjin e Punës dhe atë të kinematografisë. Ne besojmë në udhëheqjen e re të MKRS-së duke shpresuar të mos bien pre e manipulimeve e joshjeve siç kishte ndodhur në të kaluarën. Sigurisht që duhet të shpallet konkurs publik, sepse ashtu thonë ligjet. Sepse drejtori i QKK-se, nuk është Shërbyes Civil, por Funksionar Publik”, thekson Kryeziu.

E në anën tjetër, sipas regjisorit Besim Ukzmajli, i cili është edhe anëtar i Shoqatës së Autorëve dhe Producentëve të Filmit “Arte shtatë”, sërish kjo çështje do të përfundojë me zgjedhjen e Arben Zharkut në krye të Qendrës Kinematografike të Kosovës.

 

 “Pavarësisht anulimit të konkursit, është e sigurt rizgjedhja e drejtorit te deritashëm Zharku. Hapja e konkursit te paligjshëm dhe anulimi i tij pastaj, ka qenë vetëm një lojë e MRKS për të amortizuar në dy pjesët reagimin e komunitetit për rizgjedhjen e Zharkut drejtor të QKK-së. Është i tmerrshëm fakti kur një drejtor për të cilin janë ngritur dhjetëra padi, për të cilin e din i gjithë komuniteti se si funksionon me klientelizëm e manipulim, me keqpërdorim e amatorizim të kinematografisë e shumë gjëra të tjera, tani me kaq ngulm nga MRKS tentohet dhe do të rizgjedhet përsëri. Pra, në vend që ky drejtor të largohet dhe të hetohet ende pa e kryer mandatin, ky do të rizgjedhet edhe për një mandat me lehtësi, pikërisht nga parapolitika dhe nga individë që tanimë e dimë secili se kush fshihet prapa këtij vendimi”, thekson Ugzmajli.

Gazeta “Zëri” ka provuar të kontaktojë me drejtorin aktual të QKK-së, Arben Zharkun, për të marrë një koment të këtij të fundit lidhur me zhvillimet, por kjo ka qenë e pamundur.