Trockel sjellë feminizmin përmes artit

Kultura December 21, 2017 - 08:22

Të dyja katet e Galerisë Kombëtare të Kosovës janë rezervuar për të prezantuar punën e artistes me prejardhje gjermane, Rosemarie Trockel. Me këtë ekspozitë të një artisteje ndërkombëtare GKK do ta mbyll edhe vitin 2017.

Ekspozita e Rosemarie Trockel u hap mbrëmjen e së mërkurës, e ndonëse e pranishme nuk ishte vet autorja, interesimi për të parë veprat e saj ishte i madh qysh në fillim.

Ajo ka dërguar në Prishtinë një ekspozitë që përfshinë mediume të ndryshme arti, nisur nga punimet me laps, me tush, pikturat, instilacionet e fotografitë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ata që e njohin punën e artistes Trockel e din se disa piktura të saj karakterizohen nga fakti se i punon me një makinë, e jo me dorë. Këtë makinë ajo e ndërtoi në vitin 1985 dhe me të punon forma gjeometrike dhe simbole dizajni. E bashkë me këto punime, në GKK po prezantohet edhe kjo makinë unike e artistes.

Ndonëse shumica e punimeve të saj janë pa emër, e gjithashtu edhe tematika mund të konsiderohet e gjer, mund të konstatojmë se në qendër të kësaj ekspozite është femra dhe feminizmi.

Autores i ka pëlqyer të ironizoi me pritshmëritë që shoqëria ka për gratë, me kufizimet me të cilat ato përballën. Për shembull, një nga veprat e saj është punuar me pllakat e shporetit elektrik.

Në këtë ekspozitë të Trockel, që sjellë kryesisht punën që ajo ka realizuar viteve të 90’ta, bije në sy vëmendja që ajo u ka dhënë portreteve. Shumica prej tyre paraqitën vetëm bardhë e zi, me elemente të theksuara të fytyrës.

Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani,e hapi zyrtarisht këtë ekspozitë, duke thënë se kjo ekspozitë, e cila ka mbushur të dy katet e Galerisë është e tëra meritë e Institutit për relacione ndërkombëtare gjermane, e mbështetur nga Ambasada Gjermane në Prishtinë dhe MKRS-ja, ndërsa theksoi se kjo ekspozitë është rezultat i vizitës së Sekretarit të Ambasadës Gjermane në Prishtinë, Marten Mengeri i cili e ka vizituar Galerinë.

Më tepër për ekspozitën tregoi kuratorja e saj An Paenhuysen. Ajo foli në emër të Institutit për marrëdhënie ndërkombëtare (IFA) dhe tha se ndihet e nderuar që të hap këtë ekspozitë të një artisteje si Rosmarie Trockel.

“Ju do të shihni në ekspozitën e Rosmaries se ajo ka sjellë punimet përmes mediave të ndryshme, pasi që ajo paraqet fotografi, vizatime, video, e instilacione dhe po ashtu ajo punon edhe me materiale shumë të ndërlikuara siç janë leshi dhe floku. Ajo në punimet e saj ka përfshirë bashkëpunime të shumta me media, aktorë, fotografë dhe kafshë”, tregoi kuratorja Paenhuysen, shkruan tutje "Zëri".

AnPaenhuysen është kuratore e pavarur, teoriciene dhe mësimdhënëse e artit që jeton në Berlin. Ajo ligjëron për kulturën dhe teorinë e artit në Qendrën Node për studime kuratoriale. Ndërsa këtë javë ajo ka mbajtur një punëtori në Galerinë Kombëtare të Kosovës, me temën “Gratë në Art në Gjermani”.

Lart punën e artistes Trockle e vlerësoi edhe ambasadori gjerman Heldt. Ky i fundit tregoi se ishte pikërisht Rosmarie Trockel artistja e parë femër që prezantoi Gjermaninë në Bienalen e Artit.

“Kam kënaqësinë që para vitit të ri keni mundësinë që të keni një pikë spikatëse siç është ekspozita e Rosmarie Trockel. Punët e saja kanë trajtuar gjithmonë aspektet e të qenit femër, pasi që ajo ka qenë artistja e parë femër që ka prezantuar pavijonin gjerman në Bienalen e Artit, gjë që ka qenë një thyerje e kufijve të deriatëhershëm apo ndoshta është një gjë që akoma mbizotëron edhe sot, që kjo fushë të jetë e dominuar nga meshkujt”, tha ambasadori Heldt.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 12 janar në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Trockle është edhe autorja e memorialit të famshëm “The Frankfurter Enge”, i vendosur në qytetin e Frankfurtit dhe i dedikohet homoseksualëve, të cilët u persekutuan nën sundimin e nazistëve. Kjo statujë është në formë të një engjëlli dhe është e para e llojit të vet në Gjermani.

Rosemarie Trockel është edhe laureate e çmimit të përvitshëm prestigjioz, “Wolf Prize in Arts”. /ZËRI/

 

Image