Buda prezantoi katër libra në Prishtinë

Kultura December 19, 2017 - 08:12

Kur deshi të vinte si gazetare e shtypit të huaj, në fillim të viteve 90’ta, shkrimtares e publicistes Klara Buda, iu pamundësua nga sistemi i atëhershëm të hynte në Kosovë, por tani pas më shumë se dy dekadash, ajo po qëndron në Prishtinë për të tretën herë këtë vit.

Të hënën, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, Buda prezantoi para lexuesve të Kosovës katër libra të saj.

“Pëshpërimë gruaje”, “Kosova mon amour”, “Rrëfenja kuteliane” dhe përkthimin që i ka bërë në frëngjisht veprës së Mitrush Kutelit “Fshati im e pi rakinë”, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Për të folur për librat e shkrimtares Buda, në Prishtinë erdhi edhe përkthyesi Elvi Sidheri nga Tirana.

“Ajo që kam vë re më shumë në veprën e Klarës, që është poliedrike e shumëdimensionale dhe shumë e vështirë ta përmbledhim këtu sot me pak fjalë, është sidomos shërbimi që i ka bërë letërsisë me përkthimin në frëngjisht të Kutelit. Kuteli faktikisht, qëllimisht apo jo qëllimisht ka rënë në harresë, kujtohet herë pas here vetëm në përvjetorë, kurse përkthimi i veprës ‘Fshati im e pi rakinë’ nga Klara është një shërbim i madh. Është një nga majat e krijimtarisë së saj”, tha ndër të tjera Sidheri.

Në anën tjetër, botuesi kosovar, Abdullah Zeneli falënderoi autoren Buda që me librin “Kosova mon amour” shpalos dimensionet e saj, dashurinë dhe përpjekën e saj për Kosovën. Ai nuk la pa përmendur se ishte Klara Buda gazetarja e cila më 1998, në Paris, ideoi dhe redaktoi peticionin “Fati i Kosovës – deklaratë e përbashkët themelore”.

“Me Klarën kam bërë një intervistë së pari në nëntorin e vitit 1999, kur ne e filluam bashkimin kombëtar me Panairin e Librit, një ndër panairet e papërsëritshëm në botën shqiptare. Libri i saj ‘Kosovo mon amour’ ishte sivjet e veçanta e Panairit të Prishtinës, por jo vetëm, sepse në mënyrën më të denjë ky libër u prezantua edhe në Panairin e Frankfurtit, ku isha vetë i pranishëm dhe ishte një ndër librat që mori më së shumti vëmendje, sepse aty lidheshin Kosova, Shqipëria e Franca. Me Klarën ju dhamë një mesazh të paktën 300.000 vizitorëve të panairit të Frankfurtit, presidentit Macron e kancelarës Merkel”, theksoi Zeneli, shkruan tutje "Zëri".

Më shumë për librat që kishte sjellë nga Franca e Shqipëria, të pranishmëve u foli vet autorja Buda. Ajo shpalosi se tek libri i saj i fundit, “Pëshpërimë gruaje”, ajo shpreh gjëra që e kanë preokupuar për rreth njëzet vjet.

Përmes një historie dashurie mes njerëzve që vijnë nga dy klasa të ndryshme ajo ka mëtuar të tregojë se çfarë vërtetë ndodhte në Shqipërinë totalitariste.

“E kam shkruar në fillim si mikro-roman, si një reflektim të gjatë mbi diktaturën në Shqipëri. Unë kam pasur fatin që të shkoj direkt nga Tirana në Paris dhe të mos e shoh tranzicionin shqiptar. Shkova nga një Shqipëri totalitare në vendin e demokracisë. Unë kisha dy faqe, çfarë ndodhte në Shqipëri dhe çfarë shihja në Francë. Gjithë ky rrugëtim i imi ka qenë një zbulim i ri dhe një fleshback. Ky flashback ka dhënë librin ‘Pëshpërimë gruaja’. Ky është një zë, një  revoltë që në  Shqipërinë totalitariste nuk ka mund të bëhet zë, por vjen e bëhet zë pas kaq vitesh në shkrimin tim. Një libër që e kam shkruar në gjuhë të thjeshtë, pra jam përpjekur me aq sa kam mundur që në mënyrë që djali im kur të lexojë se çfarë kanë jetuar prindërit e tij dikur në Shqipëri, të arrijë të krijojë një ide. Sepse gjithmonë nga një punë intelektuale duhet të fillojë rinovimi i elitave, e meqenëse librat shkollor nuk janë pastruar as nga gjuha e urrejtës e totalitarizmit, duhet që dikush ta marr iniciativën dhe të shkruajë për këtë brez”, tha ndër të tjera Buda, duke theksuar se është e rëndësishme që brezi i ri ta di çfarë ka ndodhur 30 vjet më parë.

As në këtë promovim nuk u la pa u përmendur çështja e bashkimit kombëtar dhe mbi të gjitha e bashkëpunimin kulturor mes dyja vendeve. Shkrimtarja Buda theksoi se funksionimi i një hapësirë të përbashkët kulturore është tejet i rëndësishëm.

“Bashkimin kombëtar të gjithë e adhurojnë, shumë e proklamojnë, të tjerë e përdorin për qëllime politike, por unë do të thosha vetëm dy fjalë, që nëse ka ndonjë doganë që duhet të hiqet mes Kosovës dhe Shqipërisë, duhet të hiqet dogana e librit. Ky është mesazhi im i parë të cilin e përçoi edhe përmes librave të mi”, theksoi Buda duke shtuar se bashkimi i fillon nga hapësira e përbashkët kulturore mes dy vendeve.

Në qershor Buda erdhi në Panairin e Librit në Prishtinë dhe nga kryeqyteti kosovar u kthye me çmimin e veçantë për eseistikë, kritikë dhe publicistikë, që iu akordua librit të saj “Kosova mon amour”.

Ky libër u prezantua edhe në setndën e Kosovës në Panairin e Librit në Frankfurt.

Ky libër na tregon se si Buda e njohu çdo pjesë të Kosovës gjatë bombardimeve në mars të 1999, derisa raportonte prej Parisit, si gazetare e Radio Francë Internacionale. Te “Kosova mon amour” ajo na flet për ish-presidentin Ibrahim Rugova, duke treguar se si e njohu ajo këtë politikan e kritik letrar, ku çmon lart “Refuzimin estetik”, po aq sa “Rezistencën paqësore”. Ajo analizon se këto nuk janë vetëm rezultat i studimeve të tij në Francë, në vendin e tolerancës, por janë burim i mençurisë së grave të Rugovës.

Aktualisht shkrimtarja Buda po fokusohet te shkrimi i fiksionit dhe ai kinematografik. Ajo është e angazhuar edhe në përkthimin frëngjisht të autorëve shqiptarë që u persekutuan në totalitarizëm, ku ka veçuar Mitrush Kutelin apo të autorëve madhorë si Gjergj Fishta apo Anton Pashku. /ZËRI/