Ndahen çmimet e PEN Albani

Kultura December 14, 2017 - 08:35

Qendra PEN e Shqipërisë, qendër e PEN International në Tiranë, zhvilloi në Bibliotekën e Librit Akademik, ceremoninë e Çmimeve PEN Albania për letërsinë, përkthimin dhe studimet Albanologjike.

PEN International, Organizata ndërkombëtare e shkrimtarëve, me seli në Londër, e themeluar në vitin 1921 nga autoritetet e letërsisë botërore, ushtron veprimtarinë e saj bazuar në parimet dhe Kartën e PEN International.

Kjo organizatë, e cila promovon letërsinë dhe garanton të drejtën e lirisë së shprehjes, ka status bashkëpunimi dhe konsultativ me OKB, UNESCO, Amnesty International, dhe të tjera organizata ndërkombëtare për kulturën.

Aktiviteti i përvitshëm i Qendrës PEN të Shqipërisë është pikërisht edhe ceremonia e Çmimeve PEN Albania për letërsinë. Laureatët e PEN Albania 2017 u shpallën: Ylljet Aliçka: Shkrimtari shqiptar i vitit 2017, Ilirian Zhupa, Poeti shqiptar i vitit 2017, Romeo Çollaku, përkthyes i vitit 2017, Prof. Dr. Fatmir Sulejmani, nga Universiteti Shtetëror i Tetovës u shpall laureat i çmimit PEN Albania 2017, në fushën e studimeve Albanologjike, shkruan "Zëri".

Qendra PEN e Shqipërisë si çdo vit shpalli autorin e ri të vitit 2017, poetin dhe eseistin Akri Çipa, i cili është aktualisht me studime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. PEN Albania gjithashtu ndau titujt honorifike për kontribute të çmuara në kulturën kombëtare dhe promovimin e urave kulturore pavarësisht kufijve etnikë, politikë, dhe gjuhësorë.

Me titullin e lartë të Mirënjohjes për kontribute të çmuara në kulturën kombëtare u vlerësua Zef Mark Zeka, studiues, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për shpëtimin e Kambanës së Kishës së Pogut, e cila sot ndodhet në Muzeun Dioqezan të Shkodrës. Mirënjohja u takon atyre burrave të malësisë së Dukagjinit, të cilët mundën ta shpëtojnë këtë dëshmi autentike të kulturës së Shqipërisë mesjetare nga shkatërrimi, u shpreh studiuesi Zef Mark Zeka gjatë ceremonisë së PEN Albania.

Me titullin e lartë të Mirenjohjes për kontribute të çmuara në kulturën kombëtare dhe promovimin e gjuhës shqipe në hapësirat mbarëshqiptare dhe diasporë u vlerësua Ali Daci, intelektual, krijues, veprimtar politik dhe aktualisht kryetar i Lidhjes Demokratike në Malin e Zi.

Ali Daci u shpreh se ky është vlerësimi më i lartë që i bëhet nga Shqipëria, vendi me të cilin e lidh identiteti nacional.

Titullin e mirënjohjes për promovimin e urave të kulturës në botë përmes letërsisë Qendra PEN e Shqipërisë ia akordoi shkrimtarit Safet Vrbiëki Hadrovië, dhe po ashtu u promovua vepra e tij letrare ' Viktima', për të cilën referuan Dr. Sadik Bejko, si dhe Smajl Smaka, përkthyes i autorit në gjuhën shqipe. Shkrimtari Safet Vrbiëki Hadrovië në fjalën e tij të rastit theksoi rëndësinë e komunikimit përmes letërsisë. Ai u shpreh se ky do të mbetet në kujtesën e shkrimtarit si një prej ditëve më të rëndësishme.

Qëllimi i PEN është promovimi i letërsisë dhe garantimi i të drejtave gjuhësore, por edhe i lirisë së shprehjes. Letërsia është atdheu universal i njerëzimit, është përmasë dhe dimension lirie , u shpreh presidentja e Qendrës PEN Albania Entela Kasi.

Në këtë ceremoni u anëtarësuan edhe autorët e rinj, e po ashtu u zgjerua bordi i Qendrës PEN. Aktivitetin e përshëndeti deputetja e Kuvendit të Shqipërisë Kejdi Mehmetaj, e cila theksoi rëndësinë e investimeve për kulturën.

Shkrimtarja Flutura Açka, drejtuese e komitetit të shkrimtareve femra në PEN Albania, theksoi faktin se kultura dhe letërsia kanë nevojë për mbështetjen e institucioneve të shtetit. Ceremoninë e çmimeve PEN Albania e drejtuan Dr. Sadik Bejko, i cili bëri një paraqitje të aktiviteteve të PEN në Shqipëri dhe botë, Çerçiz Loloci, Kryetar i Bordit të PEN Albania, i cili theksoi motivacionet për laureatët, dhe Dorian Koçi, Drejtore i Muzeut Historik Kombëtar, njëkohësisht anëtar i Bordit Drejtues të Qendrës PEN të Shqipërisë. Këtë aktivitet e përshëndeti Flamur Shala, Dekani i Fakultetit Filologjik, të Universitetit Shtetëror ' Ukshin Hoti' , Prizren.

Laureatët e Çmimeve PEN Albania 2017 për letërsinë falënderuan PEN Albania, për vlerësimin ndaj veprës letrare dhe theksuan rëndësinë dhe rolin e PEN Qendrës së Shqipërisë dhe PEN International për ndërtimin e urave të komunikimit dhe dialogut brenda vendit dhe promovimin e letërsisë shqipe në arenën ndërkombëtare.

Shkrimtari Ismail Kadare është President Nderi i Qendrës PEN të Shqipërisë. PEN International në arenën ndërkombëtare aktualisht drejtohet nga autoritetet e letërsisë botërore midis të cilëve janë shkrimtarët e Çmimit prestigjioz Nobel në fushën e letërsisë dhe Çmimit Nobel për Paqe, njofton për "Zëri", Entela Kasi, Presidente e Qendrës PEN të Shqipërisë në Tiranë. /ZËRI/