Në kërkim të Logosit

Kultura December 04, 2017 - 12:02

(Për librin “Etosi i humbur – Politika dhe media publike e Kosovës”, të Gjylie Rexhës)

Një titull drithërues dhe një përfundim shpresëdhënës, një studim serioz mbi të vërtetën e medieve dhe politikës, me zgjidhje që meritojnë vëmendje, një libër i rëndësishëm për gazetarët, RTK-në e politikanët dhe me vlera të padiskutueshme për studimet e medies në Kosovë.

Në një vlerësim të shkurtër, ky është libri “Etosi i humbur – Politika dhe media publike e Kosovës”, i Gjylie Rexhës, i botuar ditë më parë nga “Orfeu” në Prishtinë.

Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) si transmetues publik dhe pozicioni i tij në raportin ndërmjet politikës e publikut, është tema bosht e këtij libri, shtjelluar me një metodologji të kombinuar për pjesën teorike dhe atë empirike. Bibliografia e gjerë me autorët më eminentë perëndimorë, aktet burimore, intervistat dhe hulumtimi në terren, janë shtyllat e forta të studimit dhe bazamenti i forcës artikuluese të autores.

Megjithëse ajo që prej shumë vitesh është pjesë e RTK-së në pozicione të ndryshme editoriale, libri reflekton distancën e duhur nga mundësia e subjektivizmit, duke dëshmuar kapacitetin e lartë shkencor e profesional të saj.

Shtatë kapitujt që përmban libri janë në funksion të elaborimit sa më të gjerë dhe argumentimit sa më të plotë të temës. Sfondi teorik mbi të cilin zhvillohet studimi trajton marrëdhëniet e politikës me mediet masive dhe me gazetarin si status profesional në kuadër të komunikimit politik.

Se mediet kanë fituar rëndësi gjithnjë më të madhe në këtë proces, veçanërisht në epokën e “Revolucionit digjital” (Levy, 2001), kjo tashmë pranohet botërisht nga studiuesit. Por, në ç’mënyrë përdoren ato dhe sa janë të pavarura në rolin e tyre ndërmjet politikës e publikut, është çështje që implikon pashmangshëm kontekstin socio-kulturor dhe shkallën e demokratizimit të shoqërisë.

Me analizën e modeleve mediatike dhe politike të Hallin dhe Mancin-it (Comparing media Systems –Three Models of Media and Politics) dhe rolit të transmetuesve publik në sistemet mediatike, autorja na jep një perspektivë më të qëndrueshme në të kuptuarit e relacioneve të medies dhe politikës në Kosovë.

Sa i përket RTK-së, ajo konstaton se përcaktimi fillestar (menjëherë pas luftës) për një medie publike që i shërben konceptit politik ndërkombëtar, është transformuar më vonë (pas shpalljes së Pavarësisë) në medie të kontrolluar nga pushteti politik kosovar.

Mekanizmi i ndikimit

Duke evidentuar faktorët që kanë shkaktuar “humbjen e etosit”, apo kërcënimin serioz të kredibilitetit të RTK-së, siç vlerësojnë organizatat vendore e ndërkombëtare që merren me media, libri ofron një shpjegim të hollësishëm për “varësinë” e transmetuesit publik si pasojë e kornizës ligjore. Për shkak të aktualitetit të kësaj teme, pasi Kuvendi i Kosovës, si themelues, është në proces të rishikimit të ligjit, ndërsa Komisioni Evropian në vazhdimësi e ka kritikuar financimin shtetëror të RTK-së, është me rëndësi të fokusohen gjetjet dhe rekomandimet që përmban libri për këto dy çështje.

“Ligji si instrument i pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor është përdorur prej tyre për ta përkufizuar fushëveprimtarinë e medies publike, por nuk i ka krijuar asaj bazën për t’u zhvilluar në përputhje me funksionet shoqërore të saj”, pohon autorja, duke konstatuar nevojën e një baze të re ligjore që do ta manifestonte vullnetin e politikës për një zhvillim të pavarur të RTK-së.

Sipas saj, amendamentimi s’do të ishte zgjidhja e duhur, pasi “ndryshimet janë të domosdoshme në të gjitha pjesët e rëndësishme të ligjit”.

Mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të Bordit përmes votimit në Kuvend, pas një seleksionimi politik të kandidatëve (Komisioni ad hoc përbëhet nga deputetë të të gjitha partive në Kuvend), krijon mekanizmin e ndikimit, i cili, sipas autores, në formën e rrjetit shtrihet mbi strukturën menaxhuese dhe profesionale të kompanisë.

Ky mekanizëm dhe mungesa e financimit të qëndrueshëm, kanë determinuar varësinë editoriale të RTK-së, ose siç e cilëson autorja “RTK-në si medie e forcave politike dhe pa aleancë me qytetarët”.

Bazuar në monitorimin e përmbajtjes dhe hulumtimin e opinionit, RTK-ja i përmbush “pjesërisht” kërkesat e audiencës, zbaton modelin e raportimit protokollar, ndërsa mbetet media më atraktive për gazetarët, por vetëm në nivel të nevojës së tyre të punësimit. Pozita e tyre si punonjës të medies publike, vlerëson autorja, “do të vazhdojë të jetë në varësi të raportit të kompanisë me faktorët e tjerë politikë, ekonomikë e shoqëror”.

Opsione të dobishme

Duke mbetur te analiza e faktorëve të jashtëm, që pengojnë zhvillimin e pavarur të RTK-së, opsionet që ofron autorja përbëjnë zgjidhje premtuese për një transmetues të mirëfilltë publik.

“Në procesin e përgatitjes së ligjit të ri është e nevojshme përfshirja e shoqërisë civile dhe ekspertëve të medies”, shprehet Rexha, duke kërkuar decentralizim të procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit. Ndërkaq, sa i përket pavarësisë financiare, ajo rekomandon që ligji të saktësojë afatin e fillimit të financimit nga publiku, lartësinë e taksës dhe kontraktimin e një kompanie për arkëtimin e saj “në kuadër të pagesave publike për shërbime të tjera”.

Sipas këtij modeli, parapagimi do të ishte burimi kryesor, por jo i vetëm i financimit, pasi programet e komuniteteve pakicë, si detyrim ligjor i RTK-së, do të mund të financoheshin me linjë të veçantë buxhetore.

Një model i tillë i kombinuar do të mundësonte që taksa për RTK-në të ishte më e ulët, duke marrë në konsideratë gjendjen ekonomike të qytetarëve. Krahas këtyre opsioneve ligjore, një RTK e pavarur dhe me një rol më të shprehur në shërbim të publikut, kërkon doemos edhe një reformë të brendshme programore e organizative.

Në librin “Etosi i humbur – Politika dhe media publike e Kosovës” , autorja shprehet e bindur se RTK-ja mund të transformohet në medie të vërtetë publike dhe se “suksesi i këtij transformimi varet nga vetë RTK-ja”. (Autori është PhD në Shkencat e Komunikimit dhe Gazetari)