Kërkohet zbatim i memorandumit kulturor Shqipëri-Kosovë

Kultura November 30, 2017 - 10:29

Në kuadër të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive shqiptare, mbajtur me rastin e 105-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në Korçë, në mesin e dymbëdhjetë marrëveshjeve, u nënshkrua edhe një memorandum bashkëpunimi midis Ministrisë së Kulturës së Republikën së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit të Republikën e Kosovës, përkatësisht ministrave respektivë, Mirela Kumbaro dhe Kujtim Gashi.

Siç bëhet e ditur, ky memorandum synon të avancojë bashkëpunimin kulturor mes dy vendeve, duke forcuar mbrojtjen ligjore të krijimtarisë kulturore. Kështu ka sqaruar përmes rrjeteve sociale edhe ministri Gashi.

“Ky memorandum ka për qëllim avancimin e bashkëpunimit kulturor, në kuadër të forcimit të mbrojtjes ligjore të krijimtarisë kulturore, duke marr parasysh rëndësinë e të drejtës së autorit, për krijimtarinë kulturore, letrare, shkencore, dhe artistike, përkatësisht rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të autorit për kulturën dhe industritë kreative, me konsideratë të veçantë për mbrojtjen e krijimtarisë së krijuesve, performuesve dhe producentëve tanë”, shkruan ministri Gashi në Facebook.

I kontaktuar nga gazeta “Zëri”, producenti Yll Uka, i cili është edhe anëtar i Akademisë Evropiane të Filmit, thotë se marrëveshja si e tillë është e mirëseardhur, por është shumë i rëndësishëm zbatimi i saj në praktikë.

Ai përmend vështirësitë e funksionimit të ligjit për të drejtat autoriale.

“Kam dëgjuar për këtë marrëveshje përmes mediave, është shumë e rëndësishme për ne si krijues dhe jam shumë i kënaqur për këtë memorandum bashkëpunimi, por shpresoj që nuk do të mbetet vetëm një marrëveshje në letër, por do të funksionojë dhe respektohet edhe në praktikë. Sidoqoftë, për t'u respektuar kjo marrëveshje në praktikë duhet ekspertë të kësaj fushe. Ligji për mbrojtjen e autorit është miratuar, nëse nuk gaboj, në vitin 2013, në Kosovë, mirëpo ka ngecur në funksionim në shumë fusha. Gjithë këto probleme kanë ardhur si rezultat i mungesës së kuadrove profesionale të kësaj fushe. Unë mendoj që problemet më të mëdha janë në personel se sa në ligj. Pra, personeli duhet të trajnohet që të na udhëzojë neve si autorë në raste të ndryshme se si të veprojmë dhe të na ndihmojnë”, tha ndër të tjera producenti Uka.

Se marrëveshjet e vëna ua lehtësojnë punën krijuesve të artit vetëm kur vihen në zbatim thotë edhe botuesi kosovar Abdullah Zeneli.

Sipas tij, ata që merren me librin në Kosovë vazhdojnë të përballën me probleme të mëdha, ku padyshim hyn edhe funksionimi i ligjit për të drejtat e autorit.

“Natyrisht që është një nismë e mirë, por kjo puna e marrëveshjeve është diçka që përsëritet vazhdimisht. Libri shqip i Kosovës nuk është i pranishëm fare në bibliotekat e Shqipërisë, duke përfshirë edhe Bibliotekën Kombëtare. Gjendja pra momentalisht është shumë keq edhe me librin, por edhe me çështjen e të drejtës së autorit”, tha Zeneli duke shtuar se i gjithë problemi qëndron aty se po nënshkruhen marrëveshje e nuk po jetësohen.

Sipas aktorit dhe producentit Fatmir Spahiu, mes dy shteteve së fundi nuk është parë ndonjë avancim bashkëpunimi.

"Memorandumet e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë apo edhe vendeve tjera, janë të mirëseardhura, por në praktikë s'ka pas gjë prej atyre punëve. Unë e di që ekziston edhe një kalendar kulturor në mes dy shteteve, por s’kam parë ndonjë avancim në promovim ndërkombëtar të vlerave tona, bile shpesh kam hasur edhe në qasje jo të sinqertë të artistëve nga Shqipëria, ndaj shqiptarëve të Kosovës. Gjithsesi kam parë një intervistë të ministrit Gashi, ku thotë që bashkëpunimet mendon t'i shtrijë edhe në skenën private artistike dhe kjo është për t'u lavdëruar. Në parim unë si aktor dhe producent jam që bashkëpunimi të rritet e të shtohet sidomos me Shqipërinë, por edhe të ketë reciprocitet në çfarëdo kuptimi", tha Spahiu.

Në anën tjetër edhe drejtori i shoqatës “APIK” dhe kompozitori i njohur, Florent Boshnjaku, theksoi rëndësinë e zbatimit të ligjit për të drejta autoriale gjatë një diskutimi për ngritjen e njohurive dhe funksionalizimin e sistemit të menaxhimit kolektiv të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta para disa javësh në Prishtinë.

Kompozitori Boshnjaku ka thënë se planifikohet që në janar të vitit 2018 të krijohet zyra ligjore dhe përmes saj shfrytëzuesve të veprave të artit do t’i dërgohen faktuarat për tarifat të cilat bazohen në përqindjen që ata kanë kërkuar me afat për pagesë prej dy javë ditësh./ZËRI/