“Ditët e komedisë shqiptare” në Preshevë

Kultura November 17, 2017 - 10:09

Me shfaqjen “Maratonistët”, në regjinë e regjisorit Kastriot Saqipi, në Luginën e Preshevës, më 13 nëntor ka nisur Festivali tashmë tradicional “Ditët e komedisë shqiptare”, i cili do të zgjas deri më datë 17 nëntor.

Siç njofton për gazetën “Zëri”, njëra nga organizatorët e Festivalit, Afeida Boriçi, edhe sivjet në programin e tyre ata përfshinë shfaqje nga qendra të ndryshme shqiptare.

“Deri tash është duke shkuar shumë mirë, madje gjithçka siç e kemi planifikuar. Vetëm shfaqja e Teatrit të Podujevës na dështoi, sepse një aktore kishte probleme shëndetësore, por që e zëvendësuam me Stand Up Comedin e Burhan Amitit, aktor nga Tetova, e cila u shfaq me sukses. Deri më sot ishte Teatri i Preshevës, Qendra ‘Multimedia’ e Prishtinës dhe Stand Up Comedia me Burhan Amitin. E presim Teatrin Shqiptar nga Shkupi dhe Teatrin ‘Migjeni’ nga Shkodra”, tha Boriçi.

E pikërisht me nisjen e këtij Festivali u përurua edhe zyrtarisht Teatri Profesionist i Preshevës, një ngjarje shumë e madhe kulturore për Luginën e Preshevës. Sipas Boriçit kjo është një ndërmarrje e madhe kulturore, e cila do ta përmirësojë jetën kulturore të këtij qytetit dhe do ta lehtësojë punën e tyre gjithashtu.

“Besoj që themelimi i Teatrit Profesionist do të na ndihmojë shumë në të ardhmen, sepse tash nuk është vetëm Shtëpia e Kulturës organizatore, por do të jetë edhe Teatri i Qytetit dhe do të kemi ndihmën e kolegëve tanë aktorë, të cilët do të jenë direkt të kyçur në organizimin si dhe në Këshillin e Festivalit”, tha Afeida Boriçi, njëra nga organizatoret e Festivalit.

Për të është shumë e rëndësishme që ky Festival vazhdon të mbledh çdo ditë numër të konsiderueshëm të publikut.

“Festivali përpos që organizohet për t’i mbledh trupat e të gjitha trevave shqiptare, organizohet edhe për publikun e Preshevës, i cili asnjëherë nuk mungon në këtë aktivitet kaq të rëndësishëm kulturor në vend. Prej ditës së parë salla është përplot e mbushur, duke e ditur që Shtëpia e Kulturës në Preshevë numëron mbi 500 ulëse”, tregoi ajo.

E pyetur për vështirësitë e organizimit të “Ditëve e komedisë shqiptare”, Boriçi thotë se ata vazhdojnë të përballen me sfida si buxheti, kushtet e ambientit ku jepen shfaqjet e pritjen e mysafirëve.

“Ka shumë vështirësi për të cilat mund të flasim. Nisur nga caktimi i datave, sigurimi i shfaqjeve, pritja e mysafirëve, etj. Kemi të bëjmë me shume detaje dhe çdo gjë mund të ndodhë deri në moment të fundit. Stresi ynë çdo ditë përfundon kur ansamblet mbërrijnë në Preshevë dhe fillon prapë pasi të përfundoj shfaqja”, shprehet ajo.

 “Ditët e Komedisë Shqiptare” është Festival garues dhe këtë edicion do të ndajë shtatë çmime standarde si në çdo edicion tjetër të Festivalit. Çmimi kryesor jepet për shfaqjen më të mirë të Festivalit. Juria e këtij Festivali sivjet përbëhet nga regjisori Ben Apolloni dhe aktorët Fatmir Spahiu dhe Osman Ahmeti.

I kontaktuar nga gazeta “Zëri”, anëtari i jurisë, Ben Apolloni u shpreh i kënaqur që po ndjek nga afër këtë Festival në Preshevë dhe pati fjalë të mira për organizimin në përgjithësi.

“Mire po kalojmë. Jam shumë i gëzuar që po marr pjesë në Festival, në këtë edicion po përurohet edhe Teatri i Qytetit të Preshevës. Organizimi është i mirë, dhe po më vjen mirë që salla ishte e mbushur plotë spektatorë në dy netët e kaluara. Ky fakt po më gëzon sepse edhe qytetarët po e mbështesin funksionimin e teatrit. Për cilësinë e shfaqjeve tani për tani mund të ju them veç se publiku po i mirëpret dhe po i duartroket shume. E, juria të premten do ta thotë mendimin”, tha regjisori Apolloni.

Ky Festival organizohet nga mjetet vetanake të Shtëpisë së Kulturës dhe nga pushteti lokal. Edicioni i parë i Festivalit “Ditët e komedisë shqiptare” u mbajt në vitin 1996. Sivjet ky Festival po shënon edicionin e 14-të.