Të shtunën në Ferizaj fillon edicioni i 47-të i Festivalit të teatrove

Kultura October 21, 2017 - 09:17

Një nga Festivalet më të vjetra në Republikën tonë, është edhe Festivali i teatrove në Ferizaj, i cili ka vite që ka karakter mbarëkombëtar, përkatësisht me shfaqjet e tyre marrin pjesë teatro nga të gjitha hapësirat shqiptare. Ky Festival në komunën e Ferizajt është ngjarja më e vjetër dhe më e rëndësishme kulturore, shkruan sot, gazeta Zeri.

Nga 21 tetor deri më 28 tetor, në skenën e teatrit profesionist "Adriana" të Ferizajt, do të defilojnë trupa nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. E para në skenë do të ngjitet shfaqja nga Teatri Kombëtar i Prishtinës "Tramvaji i quajtur dëshirë", i T. Wiliams, në regji të Ardi Mejzinit.

Më 22 tetor do të jepet shfaqja jashtë konkurrencës, përkatësisht monodrama "Lojë e pafund", sipas tekstit të Besim Rexhajt dhe në regji të Fadil Hysajt, ndërsa interpreton aktorja Sheqerie Buçaj. Shfaqja është përgatitur nga teatri "Dodona" i Prishtinës. Më 23 tetor teatri "Bekim Fehmiu", nga Prizreni, sjell shfaqjen "Armiku i popullit", të Henrik Ibzen, në regji të Fatos Berishës.

Më 24 tetor në skenën e Festivalit ngjitet shfaqja nga Teatri Kombëtar i Shkupit "G" e Gjergj Fishtës, në regji të Sylejman Rushitit. Më 25 tetor jepet shfaqja nikoqire "Psikozë 4:48", e Sarah Kane, në regji të Fatos Berishës.

Më 26 tetor, teatri "Migjeni" i Shkodrës vjen me shfaqjen "Tartufi" të Molierit, me regji të Kushtrim Bekteshit. Më 27 tetor Qendra Multimedia nga Prishtina vjen me shfaqjen "Peer Gyni nga Kosova", sipas tekstit të Jeton Nezirajt dhe në regji të Agon Myftarit.

Më 28 Drama Shqipe e Teatrit të Kumanovës shfaq "Një shtrat plot të huaj", nga autori Dave Freeman, në regji të Esat Brajshorit. Këtë mbrëmje, juria profesionale e Festivalit, ndanë edhe çmimet për shfaqjen më të mirë, për skenografinë, për aktorin më të mirë në rolin kryesor dhe në rolin e dytë si dhe disa çmime tjera speciale.

Meqë Festivali ka karakter garues, në të defilojnë shfaqje të cilat janë prodhim i këtij viti. Këtë edicion juria përbëhet nga Selman Jusufi, Vjosa Abazi dhe Erson Zymberi. Sigurisht që atmosferën e Festivalit e begaton edhe Tryeza e Festivalit, të cilën ka disa vite rresht që e udhëheqë dramaturgu Aqif Mulliqi. Tryeza organizohet çdo mbrëmje dhe pas çdo shfaqjeje.

Drejtori i Teatrit "Adriana" të Ferizajt, njëherazi përgjegjës për organizimin e këtij Festivali, Fatmir Hyseni, ka thënë për "Zërin" se këtë vit kanë qenë në gjendje më të vështirë materiale, ndërsa Ministria për Kulturë ka ndarë një shumë simbolike për organizimin e këtij Festivali.

Po ai është  bindur se me ndihmën e Drejtorisë Komunale për Kulturë si dhe me disa donacione, do t'ia dalë që Festivali ta ruaj traditën e tij dhe se trupat do të jenë të kënaqura me pritjen dhe kushtet, sikundër që edhe publiku do të ketë rastin të përcjell shfaqje që shënojnë vlerat më të mira të prodhimit teatror për këtë vit nga të gjitha hapësirat shqiptare.