'Guri i dashurisë' i Sali Bashotës botohet në Çeki

Kultura October 20, 2017 - 08:22

Shtëpia e njohur botuese “KAVA- PECH”, e specializuar për botime në gjuhën esperanto, me seli në Pragë të Çekisë, këto ditë botoi veprën e Sali Bashotës me titullin “La ëtono de la Amo” (“Guri i dashurisë”).

Libri ka gjithsej 395 faqe, ku përfshihen parathënia, poezia dhe proza poetike e autorit, si dhe bio-bibliografia e tij.

Projektin e filluar me përkthimin e poezisë së Bashotës nga Tomasz Chmielik (Poloni), e vazhdoi dhe e kreu me sukses përkthyesi i mirënjohur Bardhyl Selimi, i cili vazhdon të bëjë një punë të pakursyer në afirmimin e vlerave letrare të letërsisë shqipe në gjuhën esperanto.

Përkthyesi Selimi në bashkëpunimin me Petr Chrlde (Çeki), i cili njëherësh është udhëheqës i Shtëpisë botuese “Kava Pech”, si dhe me kontributin e dy redaktorëve letrarë, ekspertë të gjuhës esperanto Carlo Minnaja (Itali) dhe Miroslav Malovec (Çeki), arriti të kurorëzojë me sukses përkthimin dhe botimin e veprës së Bashotës. Gjithashtu, kontribut në realizimin e këtij projekti si provlexues kanë dhënë edhe Vilhelmo Lutermano (Kubë), Jose Leite Jr (Brazil) dhe Benoir Philiphe (Gjermani).

Në parathënien e veprës së Bashotës me titullin “La ëtono de la Amo”(“Guri i dashurisë”), ndër të tjera, thuhet: “Për të kuptuar poezinë e Sali Bashotës, së pari duhet të dimë diçka për historinë moderne të Kosovës, të kësaj krahine të aneksuar me dhunë nga Serbia në vitin 1913 dhe të shkëputur prej saj në qershor 1999, falë ndërhyrjes së NATO-s dhe kryengritjes së brendshme. E përbërë, në më shumë se 90 %, nga shqiptarë etnikë, kjo krahinë, tani një shtet i pavarur, ka vuajtur jashtëzakonisht nga regjimi mbretëror dhe më pas komunist i ish Jugosllavisë. Veçanërisht tragjike ka qenë periudha 1997-1999, kur ndodhi lufta e fundit në Kosovë. Forcat ushtarake dhe policore serbe zbatuan atje një trysni të skajshme politike dhe ekonomike, duke burgosur, vrarë, përdhunuar seksualisht dhe duke dëbuar gjysmën e popullsisë shqiptare të Kosovës për në vendet fqinj, Shqipëri dhe Maqedoni”.