Robert Elsie gjen prehje në Malësi të Madhe

Kultura October 18, 2017 - 08:47

 

Kanadezi Robert Elsie në të gjallë të tij mori disa herë rrugë drejt Shqipërisë, por ndoshta pak kush e mendonte se studiuesi do të vinte në “tokën e shqiponjave” edhe si i vdekur.

Trupi i tij mbërriti në Tiranë mëngjesin e së martës. Në Bibliotekën Kombëtare prej orës 14:00 deri në 16:00 shqiptarët e nderuan me  homazhe njeriun që e njohu, e studioi dhe promovoi gjuhën, letërsinë e kulturën shqiptare nëpër botë.

Shteti shqiptar po përmbush amanetin e studiuesit Elsie. Vet Roberti kishte shprehur vullnetin që pas vdekjes eshtrat e tij të prehen në Shqipëri.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka bërë të ditur të hënën pasdite se kjo ministri së bashku me Ambasadën shqiptare në Gjermani ndoqën të gjitha procedurat e nevojshme për transportin e trupit të Robert Elsie në Shqipëri.

“MEPJ-ja në bashkëpunim me strukturat lokale kanë bërë të mundur që Robert Elsie të prehet në Theth, gjë kjo që përbënte dëshira dhe amanetin e tij”, thuhet në njoftimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.

Tutje kjo ministri bën të ditur se varrimi do të bëhet të mërkurën (18 tetor), me fillim nga ora 14:00 në Theth, Malësi e Madhe të zonës së Shkodrës.

“Në nder të përkushtimit dhe dedikimit që ai pati ndaj vendit tonë, traditave dhe gjuhës tonë amtare, duke lartësuar vlerat, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar”, përfundon kështu njoftimi i ministrisë.

Rikujtojmë se albanologu më i dëgjuar i shekullit XXI vdiq më 2 tetor, në moshën 67 vjecare.  Elsie konsiderohet si ura e kulturës shqiptare me botën.

Elsie ishte njohur me shqipen dhe shqiptarët së pari gjatë viteve ’70-të, kur si student në Gjermani, kishte vizituar, bashkë me një grup studentësh, Tiranën. Ai do të bëhej vizitor i rregullt i Seminarit të Gjuhës Shqipe në Prishtinë, ku dhe do të mësonte edhe të folurën në gegërisht të shqipes përmes njohjeve me kosovarët.

I dekoruar nga presidenti Bujar Nishani, Robert Elsie ishte autor i dhjetëra librash dhe artikujsh nga fushat e albanologjisë. Po ashtu, ai kishte përkthyer letërsi shqipe në anglisht, sikur poetët Migjeni, Lasgush Poradeci e shkrimtarin Fatos Kongoli. Ndërkohë ai do të mbahet në mend si përkthyes në anglisht i poemës së Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malësisë”. Elsie, kishte përpiluar edhe leksikë dhe fjalorë të shqipes si dhe ishte autor i një historie të përgjithshme të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Elsie që nga viti 2002 ka punuar kryesisht për Tribunalin e Hagës, ku, ndër të tjera, ka qenë interpret simultan në procesin gjyqësor të Sllobodan Millosheviqit. Robert Elsie ishte anëtar i Shoqatës së Evropës Juglindore, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.