Yellow, kënga që qetëson mendjen

Kultura October 16, 2017 - 09:26

Se cilat këngë i këndon më me zë e cilët muzikantë e kanë frymëzuar na tregon këtë javë Jehona Lumi. Muzikantja Lumi në rubrikën javore të “Zërit”, të titulluar “Rrëfej përmes muzikës” na tregon se gjithçka në fakt nis me një frymëzim nga muzika shqiptare, siç është “Kur një ditë të kthehesh ti” e Nexhmije Pagarushës.

E listën e konkurrentës së programit për talente muzikore “The Voice Of Albania” e përbëjnë padyshim edhe shumë hite bashkëkohore.

Kur një ditë të kthehesh ti - Nexhmije Pagarusha

Po e filloj këtë listë me një këngë shqip, “Kur një ditë të kthehesh ti” është një nga këngët tona që mua më pëlqen jashtëzakonisht shumë, përpos versionit origjinal të cilin e ka kënduar e madhja Nexhmije Pagarusha.  Më pëlqen edhe versioni i Linda Halimit, e cila e pat sjellë me një stil më modern dhe mjaft të bukur.

Forsaken - Dream Theatre

Kjo këngë nga rok grupi i njohur “Dream Theatre” është e preferuara ime. Ky grup rok progresiv më ka shoqëruar gjatë fundit të shkollës së mesme dhe fillimit të fakultetit. Tash i dëgjoj më rrallë, por që akoma në veturë e kam playlisten me këngët e tyre.

Stevie Wonder - Overjoyed Stevie

Wonder ka qenë dhe mbetet këngëtari im nga më të preferuarit, më pëlqejnë aq shumë këngët dhe improvizimet që ai bën sa që ndoshta ai është këngëtari që më së shpeshti e dëgjoj, ndoshta thellë në shpirt është muzika e tij, e cila fle më së shumti tek unë.

Englishman in New York - Sting

Kjo këngë nga Stingu me kujton fillimin e mbrëmjeve muzikore, pasi që ishte ndër këngët e para që e pata futur në listën e këngëve për ta kënduar në mbrëmjet live me bendin. Këtë të diele Sting do të mbajë koncet në Shkup dhe jam shumë e lumtur që do të shkoj dhe do ta dëgjoj tek sa këndon live.

Eric Clapton - Tears In Heaven

Eric ka botën e tij magjike, ku përmes muzikës së tij arrin që edhe publikun ta merr me vete, të paktën kështu ndodh me mua sa herë e dëgjoj. “Tears in heaven” është këngë që ai ia ka kushtuar djalit të tij të vdekur e që mua më jep shumë emocion.

When A Man Loves A Woman - Percy Sledge

Kjo këngë më kujton kompeticionin “The Voice Of Albania” ishte faza e cila më bënte mua të kaloj në netët live kur pata vendosur për ta kënduar e që në fakt jam e bindur se pata bërë zgjedhjen e duhur, ku përkundër emocioneve të garës për mua mbetet një nga performancat e mia më të mira në “The Voice”.

Sunday Morning - Maroon 5

Nga grupet aktuale “Maroon 5” janë ata që më së shumti i dëgjoj, ndërsa kënga “Sunday Morning” është në repertorin tim qysh nga fillimi dhe akoma vazhdoj ta këndoj në mbrëmjet live me bendin.

Soon We'll Be Found - Sia

Në fakt jo vetëm kjo këngë, çdo këngë e Sia-s mua më pëlqen jashtëzakonisht shumë, por ndoshta pasi është kënga të cilën e kam kënduar më shumë se këngët tjera të saj e bën më të veçantë për mua. Ajo që çmoj shumë tek këngëtarja suedeze është edhe fakti që ajo vetë i krijon këngët e veta.

Yellow - Cold Play

“Cold play” janë ata që i dëgjoj kur kam ndonjë hall. Mund të tingëllojë e çuditshme, por para se të marr ndonjë vendim kur jam në mëdyshje ose pa disponim të mirë, unë gjej vetën duke dëgjuar playlistën të këtij grupi shumë të talentuar, ndoshta më ndihmojnë për ta qetësuar mendjen dhe të marr vetën me të mirë.

Love On The Brain - Rihanna

Nga këngëtarët me hit të momentit padyshim që është Rihanna, e që edhe mua më pëlqen shumë. Kjo këngë ma kujton albumin e saj të lansuar vitin e kaluar, të cilin me të dal në Youtube kalova javë duke e dëgjuar me kujdes secilën këngë e që e preferuara ime ishte “Love on the brain”.