Kultura

Sa do t’i kushtojë MKRS-së bartja në Prizren?

Sa do t’i kushtojë MKRS-së bartja në Prizren?
13 tetor 2017 • 08 : 39
Argjenda Selmani
Arlinda Hoti

Më 3 tetor Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën për bartjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Prizren. Sipas këtij vendimi një pjesë e stafit politik, administrativ dhe profesional të kësaj ministrie do të udhëtojë në qytetin historik, shkruan sot, gazeta Zeri.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka konfirmuar të enjten për gazetën “Zëri” se i ka dorëzuar Komunës së Prizrenit kërkesën për shfrytëzimin e dy objekteve që janë pronë komunale.

Bëhet fjalë për objektin ku është i vendosur Rektorati i Universitetit të Prizrenit dhe objektin e njohur me emrin “Internat”.  Përndryshe, si synime të MKRS-së në Prizren, u përmenden javët e fundit edhe Qendra “Evropa”, ish-ndërtesa e Kadastrës edhe shtëpia e Shuaip Pashë Spahiut.

“Pas miratimit për propozimin e bartjes së MKRS-së ne jemi takuar me krerët e Komunës së Prizrenit dhe kemi kërkuar dy objekte të cilat kemi menduar që janë edhe objekte reprezentative për MKRS-në. Bëhet fjalë për një objekt që është në qendrën historike të Prizrenit, objektin e Rektoratit të Universitetit të Prizrenit dhe objektin e njohur si ‘Internati’, i cili nuk është në gjendje të mirë dhe duhet të intervenohet në të për restaurimin dhe konservimin e tij, në mënyrë që pastaj ta përdorim për nevojat e MKRS-së”, theksoi Gashi, duke shtuar se bartja do të ketë dy faza. Fazën e parë, kur do të zhvendoset Kabineti i Ministrit dhe të dytën, e paraparë për fundin e vitit të ardhshëm kur do të zhvendosen Departamenti i Kulturës dhe ai i Trashëgimisë Kulturore.

“Fillimisht do të bartet Kabineti i Ministrit, në fazën e parë dhe pastaj parashihet që në fazën e dytë të bartet Departamenti i Kulturës dhe ai i Trashëgimisë Kulturore.

Kur Kuvendi Komunal të votojë dhe të na i jap objektet ne do të bartemi, besoj diku në shkurt të ndodh faza e parë e bartjes së Kabinetit të Ministrit. Kurse për pjesën e dytë çështja është më specifike sepse duhet të restaurohet objekti i përmendur, ku ka nevojë edhe për intervenime fizike. I gjithë ky projekt pritet të përfundojë deri në fund të vitit të ardhshëm”, tha ministri Gashi.

Megjithatë ministri i ri i MKRS-së ende nuk e ka të qartë se sa do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës kjo zhvendosje. Gashi thotë se ende po bëhen analizat buxhetore.

“Sa i përket planit buxhetor stafi ynë do të llogaris edhe koston e investimeve në objektin për të cilin fola. Ndërsa faza e parë, atë të bartjes nuk do të na kushtojë, sepse objekti i Rektoratit ku do të vendoset Kabineti i Ministrit është objekt i gatshëm dhe gjithçka është e rregulluar dhe aty mund të fillojë puna menjëherë, kurse për fazën tjetër nuk mund të jap shifër, sepse ende është duke u përgatitur projekti”, deklaroi ai.

I pyetur se sa do të shkaktojë probleme brenda stafit administrativ kjo zhvendosje, Gashi përgjigjet se nuk e sheh si problem.

“Nuk besoj që do të kemi problem tek çështja e administratës, sepse këto dy departamente që planifikohen të barten nuk kanë numër të madh të punëtorëve dhe besoj se do të bëjmë një zgjidhje për mënyrën se si do të udhëtojnë në Prizren, kurse pjesa tjetër do të qëndrojnë në objektin aktual në Prishtinë”, tha ministri duke shtuar se MKRS-ja ka qendra rajonale të trashëgimisë kulturore nëpër komuna të tjera dhe do t’i marrin si shembull për mënyrën se si do të organizohen punëtorët.

Kur shtroi propozimin e tij, ministri Kujtim Gashi, para kabinetit qeveritar ka dhënë arsyetimin për një propozim të tillë bazuar në vlerën dhe rëndësinë historike e kulturore që ka pasur qyteti i Prizrenit ndër shekuj dhe vazhdon ta ketë për tërë shqiptarët në përgjithësi dhe për Kosovën në veçanti.

“Prizreni është një simbol që kultivon vlera origjinale dhe me larmi kulturash. Është qendër jo vetëm e kulturës shqiptare, por edhe e gjithë popujve tjerë që jetojnë në të, pa dallim përkatësie nacionale, religjioze apo sociale. Arkitektura qytetare, religjioze, neoklasike dhe orientale e bën sot Prizrenin qytetin më të bukur dhe më të vizituar në Kosovë. Pjesa e vjetër e qytetit, shërben si një hapësirë unike ku zhvillohen shumë aktivitete kulturore, të cilat e mbajnë gjallë vazhdimisht jetën kulturore të qytetit”, pati thënë ai.

Për gazetën “Zëri” edhe drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, Visar Islamaj, ka konfirmuar se tashmë Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka dorëzuar kërkesën më shkrim, ku kërkon të drejtën për shfrytëzim të dy objekteve që janë pronë e Komunës së Prizrenit dhe se ky vendim pritet të merret nga Kuvendi Komunal i Prizrenit që do të zgjidhet pas zgjedhjeve lokale të 22 tetorit, sepse kuvendi aktual nuk ka të drejt ta bëjë këtë në fund të mandatit.

“Ditë më parë ministri Gashi, ka dorëzuar kërkesën me shkrim për dhënie në shfrytëzim të dy objekteve që janë pronë e Komunës së Prizrenit, por për shkak të përfundimit të mandatit Kuvendi i Komunës së Prizrenit nuk mund të marr vendim për dhënie me shfrytëzim, prandaj kjo kërkesë do të trajtohet pas themelimit të Kuvendit të ri të Komunës së Prizrenit”, bëri të ditur Islamaj.

Besa Luzha nga shoqëria civile këtë bartje e sheh më shumë si vendim simbolik.

“Nëse është menduar që një pjesë të bartet, siç e ka thënë ministri që p.sh Departamenti i Trashëgimisë të jetë më afër objekteve në Prizren dhe që megjithatë disa shërbime të mbesin përsëri në Prishtinë e me kushtin që themelohet një këshill i pavarur i arteve që ndan fondet me kritere të qarta e të matshme, nuk kishte me qenë problem zhvendosja. Për momentin me duket më tepër si një vendim simbolik”, tha Luzha.

Në anën tjetër, një ide që qarkullon prej kohësh është bartja e Presidencës së Kosovë në objektin ku ka funksionuar deri më tani komplet Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Gazeta “Zëri” ka pyetur gjatë të enjtes Presidencën e Kosovës se a mund të ndodh kjo gjë tani, por nuk ka arritur të marr përgjigje.

 

© zëri.info