Një monodramë në teatrin 'Adriana' të Ferizajt

Kultura October 09, 2017 - 11:52

Këto ditë po zhvillohen prova me një angazhim të shtuar në përgatitjen e monodramës "1385". Autor i tekstit është Bardh Frangu, regjinë e bën Fatmir Hyseni, ndërsa luan Nexhat Xhokli, njëri nga aktorët më të mirë dhe më me përvojë në teatrin profesionist "Adriana" të Ferizajt. Xhokli këtë vit mbushë katër decenie aktive të jetës së tij në skenën e këtij teatri. Me rolet e tij të realizuara në këtë teatër disa herë është shpërblyer si aktori më i mirë.

Sipas regjisorit Hyseni po bëhen përpjekje që shfaqja të jetë gati për Festivalin e Teatrove, i cili mbahet në Ferizaj nga 22 tetori.

Monodrama "1385" është një tekst i llojit të teatrit politik të absurdit. Bën fjalë për të pagjeturit dhe fatin e të gjallëve në kontekstin e kësaj plage të rëndë. Një arkivol në formë valixheje, një pemë dhe disa pllakate të të pagjeturve, përbëjnë skenografinë e shfaqjes që si e tillë sjell një imazh për këtë plagë të shoqërisë sonë.   

Aktori Nexhat Xhokli për herë të parë sprovohet në një projekt të tillë. Ai është i kënaqur me tekstin dhe pret që nga gjithë ky mund të dalë një shfaqje e mirë dhe e pëlqyer për publikun.