'Nobeli i Letërsisë' mund të ndalet në Evropë

Kultura October 04, 2017 - 08:16

Akademia Suedeze ka vendosur që fituesin e çmimit "Nobel për Letërsi" këtë vit ta kumtojë më 5 tetor, përkatësisht këtë të enjte. Si çdo vit, edhe këtë vit ky çmim prestigjioz ka zgjuar kureshtje dhe debat në qarqet letrare lidhur me fituesin e mundshëm.

Mediumi “Guelphtoday” shkruan se për të folur për favoritet për “Nobelin e Letërsisë” sivjet duhet së pari të diskutohet se çfarë llogaritet si letërsi, duke u referuar në fituesit e viteve të fundit.

“Akademia ka vendosur të jetë aventureske, prandaj mund të gjejë forma të tjera të artit për t'u konsideruar si letërsi. Për shembull, romanet grafike ndoshta kanë ndërtuar peshën morale dhe fuqinë imagjinare për t'u konsideruar letërsi që shkon përtej argëtimit”, shkruajnë ata.

Njëjtë mendon edhe Gabriel W. Inslow -Yost, redaktor librash nga New Yorku. “Një çmim ‘Nobel’ për romanet grafike nuk duket aspak i paarsyeshëm”, ka thënë për “The Associated Press” Gabriel W.Inslow -Yost.

Duke folur për favoritët e këtij viti nëpër mediumet botërore vazhdojnë të lakohen disa emra. Këtu përfshihen shkrimtarë si: Haruki Murakami, Don de Lillo, Amos Oz, poeti Adonis dhe shkrimtari shqiptar që është në këtë garë tash e sa vite, Ismail Kadare.

Akademia me gjasë do të bëjë një zgjedhje konsensuale dhe konservatore. Sepse zgjedhja e Bob Dylanit vitin e kaluar, tekstshkruesit e kompozitorit amerikan dhe legjendës së muzikës pop, kishte habitur dhe kishte përçarë shumë njerëz.

“Ajo që ndodhi vitin e kaluar ishte vërtet e pazakontë. Këtë vit mendoj se fitues do të jetë një romansier apo një eseist evropian. Do të jetë e kundërta e Bob Dylanit”, kështu parashikon Bjorn Wiman, redaktori i kulturës në të përditshmen suedeze “Dagens Nyheter”.

Edhe studiuesi e shkrimtari nga Kosova Ag Apolloni, duke folur për “Zërin” komenton deklaratat se sivjet ky çmim do t’i jepet një shkrimtari me rrënjë evropiane dhe që është e kundërta e Dylanit. Ai thotë se pa dyshim që si studiues i Kadaresë do t’i pëlqente që  autori i romanit më të njohur shqiptar “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të nderohej më në fund edhe më këtë çmim të madh.

“Mendoj se, si gjithmonë, edhe sivjet përzgjedhja e fituesit do të jetë befasuese. Këto ditë u fol shumë nëpër ‘bastoret e Nobelit’ se çmimi do t’i jepet një shkrimtari me rrënjë evropiane dhe që është e kundërta e Dylanit. Edhe sikur ky spekulim të jetë i vërtetë, sado që Akademia i ruan sekretet e veta, kemi aq shumë shkrimtarë me rrënjë evropiane dhe s’kam ide si mund të duket ai që është krejt e kundërta e fituesit të vitit të kaluar. Ndoshta e kundërta e Dylanit është ai shkrimtar që s’mban kapelë, s’mban kitarë dhe s’di të këndojë. Milan Kundera s’mund të jetë, sepse edhe ai merret me muzikë, është kompozitor, pianist dhe ka studiuar muzikologji. Ndoshta Ismail Kadare është e kundërta e Dylanit. Do ta kisha porositur Kadarenë të mos e vërë kapelën këto ditë, sepse mund ta ngatërrojnë me Dylanin dhe mund të thonë ‘këtij ia kemi dhënë një herë çmimin’. Njëmend, si studiues i Kadaresë, do të më pëlqente që autori i romanit më të njohur shqiptar ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’ dhe i veprave të tjera të mrekullueshme si ‘Kronikë në gur” dhe “Prilli i thyer’ të nderohej më në fund edhe më këtë çmim të madh, i cili nga çasti kur jepet nderon dhe reklamon letërsinë e një autori dhe të një gjuhe”, thekson Apolloni.

“Nobeli për Letërsi” ndahet çdo tetor, siç kërkohet në testamentin e shkencëtarit Alfred Nobel, “Për njeriun që ka krijuar në fushën e letërsisë veprën më të vlefshme me një drejtim ideal”.

Që prej vitit 1901, 112 njerëz e kanë fituar këtë çmim, prej të cilëve 14 kanë qenë gra. Laureatët e “Nobel”-it të këtij viti do të marrin tetë milionë korona suedeze (rreth 950.000 dollarë ose 855.000 euro).

Rikujtojmë se vitin e kaluar, duke lënë gjithë adhuruesit e letërsisë të befasuar, Akademia Suedeze shpërbleu me “Nobelin për Letërsi” rokerin legjendar dhe poetin Bob Dylan.

Sara Danius, sekretare e përhershme e Akademisë Suedeze, pati thënë se Dylan është përzgjedhur për shkak se ai është “poet i madh i traditës amerikane”. Në anën tjetër, në vitin 2016 me këtë çmim u nderua gazetarja bjelloruse Svetlana Alexievich.

Mund të thuhet se ekzistojnë disa “rregulla të pashkruara” lidhur me fituesit e që me vite janë bërë kriter për Akademinë Suedeze. Për shembull, ka shumë rëndësi kombësia (rrjedhimisht fituesi i 2017-s nuk do të jetë amerikan), autori duhet të ketë botuar diçka të re në pesë vjetët e fundit (nuk numërohen ribotimet, as përmbledhjet e vjetra), autori do të jetë midis 50 dhe 88 vjeç. (që nga Joseph Brodsky askush nuk ka fituar nën moshën 40-vjeçare), autori duhet të ketë të paktën gjashtë vepra të botuara (vepra individuale), nuk përzgjidhet dikush që shkruan vepra me pseudonim (edhe pse ka pasur përjashtime me Lessing), etj./Zeri/