Lamtumirë Robert Elsie!

Kultura October 03, 2017 - 08:39

Studiuesi Robert Elsie, i cili duke marrë parasysh gjendjen e rëndë në Kosovë, kryesisht të panjohur në botën e jashtme, përpiloi antologjinë e parë të madhe me shkrime për temën e Kosovës, vëllimin “Kosova, në qendrën e fuçisë së barutit”, Boulder, Corolado 1997. Ka vdekur dje në moshën 67-vjeçare duke lënë të pikëlluar të gjithë ata që ia ditën vlerën veprës së tij, e cila ishte në shërbim të albanologjisë.

Elsie ishte njohur me shqipen dhe shqiptarët së pari gjatë viteve ’70-të, kur si student në Gjermani, kishte vizituar, bashkë me një grup studentësh, Tiranën. Ai do të bëhej vizitor i rregullt i Seminarit të Gjuhës Shqipe në Prishtinë, ku dhe do të mësonte edhe të folurën në gegërisht të shqipes përmes njohjeve me kosovarët.

I dekoruar nga presidenti Bujar Nishani, Robert Elsie ishte autor i dhjetëra librash dhe artikujsh nga fushat e albanologjisë. Po ashtu, ai kishte përkthyer letërsi shqipe në anglisht, sikur poetët Migjeni, Lasgush Poradeci e shkrimtarin Fatos Kongoli. Ndërkohë ai do të mbahet në mend si përkthyes në anglisht i poemës së Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malësisë”. Elsie, kishte përpiluar edhe leksikë dhe fjalorë të shqipes si dhe ishte autor i një historie të përgjithshme të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Duke e kujtuar të ndjerin, përmes rrjeteve sociale, shkrimtari nga Kosova, Ag Apolloni, është shprehur se Elsie e ka njohur historinë e letërsisë shqiptare më mirë se ne, shqiptarët.

“Lamtumirë, miku ynë Robert Elsie! Në librin ‘Koferi i Konicës’ kam thënë që ti e ke njohur historinë e letërsisë shqiptare më mirë se ne, shqiptarët. Ende ashtu mendoj dhe besoj se ashtu mendojnë të gjithë ata që i kanë lexuar veprat e tua. Pushofsh në paqe, ti që e studiove kulturën e këtij populli që rrallë ka qenë në paqe! Faleminderit për punën kolosale”, shkruan Apolloni.

Në anën tjetër, shkrimtarja e mirënjohur nga Shqipëria, Flutura Açka ka theksuar se dëshira e tij ishte të prehej në Shqipëri dhe ka kërkuar nga organet e këtij shteti ta bëjnë të mundur këtë.

“Sot ka vdekur albanologu i shquar kanadez me origjinë gjermane, Robert Elsie. Elsie dëshironte të prehej në Shqipëri, bëjeni të mundur këtë! Dhe me të gjitha nderimet që meriton. Miq! Ikja sot e albanologut, studiuesit, përkthyesit, hulumtuesit, njeriut të të gjitha përmasave të letrave, njeriut që e dashuroi Shqipërinë si asnjë i huaj tjetër, Robert Elsie, është një nga humbjet më të mëdha për kulturën shqiptare. Një akademi që ecte, një nga njerëzit që punoi i vetëm aq sa institute nuk mundën dot, e la në mes e të pakryer kështjellën letrare të tij, ku strehonte kulturën shqiptare. Ai la pas një vepër të jashtëzakonshme dhe të pazëvendësueshme. Ne shqiptarët e sotëm mbase nuk do ta dimë mjaftueshëm kush është Robert Elsie, letrat shqipe sot mbase prej shkujdesjes, nuk e kanë pasur vëmendjen e duhur ndaj këtij titani letrash, por brezat që do të vijnë, do ta kuptojnë që ky njeri i thjeshtë dhe jashtëzakonisht punëtor - një nga njerëzit më punëtorë të letrave që kam njohur - i ka bërë të tillë shërbim kulturës shqiptare, që ajo sot duhet të ndihet në zi. Kultura shqiptare është sot në zi. Vepra e këtij njeriu modest në natyrën e tij njerëzore, por e pa përmasë si pasuri për ne, ka qenë engjëlli i vërtetë mbrojtës dhe i pazëvendësueshëm për kulturën shqiptare. Si shkrimtare shqiptare, si mike e tij, si shqiptare do të isha e lumtur që Atdheu im do të bëjë një vend për këtë njeri të pazëvendësueshëm, dhe shqiptarët të kenë mundësi ta kenë plotësisht të tyrin Robert Elsien. Pushofsh në paqe mik i vyer”, thuhet në postimin e plotë të Flutura Açkës.

I tronditur me lajmin për vdekjen e albanologut u shpreh edhe gazetari Faruk Tasholli.

“Sa herë u takuam poshtë anës Rurit, a anës Rinit, ne Köln a në Aachen, më ftove lart në Echig, në Malet Eifel, të pimë kafe. Por unë sot e mora vesh se qenkam vonuar, se nuk do arrij më kurrë deri aty ku më ftove. Ti malin ku jetove e mugullove me fjalë shqipe në Gjermani. Sot i tronditur mezi marr forcë të të them lamtumirë miku im Robert Elsie! Pushofsh në paqe”, shkruan Tasholli.

Elsie lindi më 29 qershor 1950 në Vankuvër të Kanadasë. Ai ishte  mbase emri më i dëgjuar ndër albanologët e fundshekullit të njëzet dhe fillim shekullit njëzetenjë. Albanologu Elsie ndoqi Universitetin e Kolumbisë Britanike për filologjinë klasike dhe gjuhësinë dhe u diplomua më 1972. Pasi mësoi shqip dhe i thelloi njohuritë e tij në këtë gjuhë, Robert Elsie vendosi t’i kushtohej albanologjisë, fushë në të cilën ai më vonë do të bëhej një ndër ekspertët më të njohur.

Elsie është tani autor i më shumë se gjashtëdhjetë librave si dhe të artikujve të panumërt, kryesisht në fushën e albanologjisë. Qysh nga vitet 90-të deri ne fillim të shekullit të 21-të ai ka punuar me profesion të lirë si interpret i shqipes dhe ka marrë pjesë në negociata të nivelit të lartë për qeverinë gjermane, Bashkimin Evropian, Kombet e Bashkuara, NATO-n, Këshillin e Evropës, etj.

Ndonëse e deshi fort kulturën shqiptare, Robert Elsie u shpreh se nuk do të mund të jetonte në Shqipëri.

“Unë nuk mund të jetoj këtu. Është një vend pak i egër për mua, marrëdhëniet midisi njerëzve janë pak të egra. E di që është vetëm një fasadë dhe brenda e kanë shpirtin e mirë, por kanë një egërsi në marrëdhëniet njerëzore”, pati thënë ai. Jo rrallë kishe folur edhe për identitetin shqiptar, e kosovar, duke theksuar se këto dyja nuk e kundërshtojnë njëra- tjetrën. “Nuk ka pasur kurrë një identitet shqiptar. Çdo shqiptar ka identitet lokal (qyteti i tij), ka një identitet profesional, një identitet fetar, ka një identitet kombëtar, por e koncepton ndryshe. Nuk ka NJË identitet kosovar dhe kurrë nuk ka pasur. Por në fund të fundit, është puna e kosovarëve te vendosin vetë se si është identiteti i tyre”, theksonte Elsie.

Që nga viti 2002, ai ka punuar kryesisht për Tribunalin e Hagës, ku, ndër të tjera, ka qenë interpret simultan në procesin gjyqësor të Sllobodan Millosheviqit. Robert Elsie ishte anëtar i Shoqatës së Evropës Juglindore, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.