Erupsioni fluturues i balerinëve të Kosovës

Kultura October 02, 2017 - 09:08

 

Aty ku derdh tinguj magjik truri, trupi, syri dhe shpirti, Shuk Orani, ndërton një art misterioz për realitetin tonë. Ajo lidhje që mund të ekzistojë vetëm në skenë, në Kosovë është provuar edhe më parë të vihet në kornizë në teknika të tjera.

Mirëpo, në fotografitë që na ftuan sonte, mbrohet teza e shkruar diku që mjetet shprehëse të baletit nuk janë vetëm lëvizja dhe muzika.

Na qenka edhe fotografia një muzikalitet dhe lojë komunikuese e varur në mur. Të krijuarit e fotografisë në lëvizje, në botë s’është formë e panjohur sa i përket fotografisë artistike e sidomos asaj digjitale, mirëpo, krijimi i fotografisë, si art që pak më shumë se një shekull jetë - përmbi baletin që është klasifikuar në mesin e arteve të zgjedhura nga Aristoteli, është vizion plastik.

Pra, baleti si art i lashtë, qenka burim krijimi për fotografinë, i cili po e përmbushka me muzikë këtë art pak më statik se sa baleti. Në ekspozitën që po përcjellim sonte, edhe parapërgatitjet për shfaqjen, janë një kaptinë interesante në opusin e Oranit. Emocioni në këto minuta është më drithërues, përzier me një përqendrim dhe elegancë.

Edhe fotografitë e zhvilluara gjatë provave; çastet kur një pjesë e ekipit spikaten tek pushojnë, ndërsa të tjerë zhvillojnë ushtrimet, janë një prosede interesante në këtë seri. Ligji i harmonisë merr formë nga figura me diagonale, ku në qendër të lëvizjes është ekspresiviteti, ndërkaq Shën Balerinat dhe kolegët e tyre balerinë, edhe në pamjet statike, edhe në ato të rëpirtat, në objektivin e Shuk Oranit janë një trekëndësh i pashmangshëm i këtij arti që spikat cilësitë e trurit, të muzikës dhe lëvizjes.

Errësira dhe hapësira vijnë të tërhequra përtej lëvizjeve, ndërsa shquhet figura e balerinës në ajër. Ky çast që vjen i tërhequr teksa fluturon mbi karrige flet për botën dhe lakueshmërinë e saj. Palat ne fustanin që ka veshur Vjollca të ngjan në statujat antike, ndërkaq më pas kërcimi mbi karrigen që bën ajo, përqendrimi dhe hijesimi i mimikës, në objektivin e Oranit, del përtej fotografisë, duke u shfaqur një frymëzimdhënje të shkëlqyer.

Edhe qëndrimi statik por në thellësi shumë shprehës i Kreshnikut, edhe loja me mimikën ekspresive e Teutës, edhe qetësia gati për të shpërthyer e Behijes, edhe erupcioni i Sinanit, janë skena të të cilit në çaste lirike krijojnë shumë përmbajtje dhe tinguj magjik.

Aty qëndron edhe esenca e të krijuarit bukur. Edhe spektri i fotografive në lëvizje, përbëjnë një kredo interesante në këtë ekspozitë. Qoftë si detal i realizuar si fotografi minimaliste, qoftë si tërësi apo edhe si hije, ato krijojnë shkoqitje piketuese, të cilat, neurobaletin e Kosovës e bëjnë shtrirje të thellë dhe figurë me peshë. Ndaj edhe në këtë ekspozitë, kalimi nga fotografia në fotografi është një përrallë që kalon jo vetëm horizontalen nga të katër anët e një kornize, por edhe vertikalin në tre dimensione - si thellësi figurative.

Qëllimi i kësaj ekspozitës të Oranit është jo vetëm artistik, risimtar dhe social, por para së gjithash është edhe njerëzor.

Në cilësinë e gazetares e cila për pothuaj një dekadë e ka përcjell rikrijimin, përpjekjet, zhvillimin dhe shkëlqimin e Baletit të Kosovës, konsideroj se vet ideja e më pas edhe ndërtimi i kësaj ekspozite e ka peshën jo vetëm kreative, por edhe kulturore dhe historike për këtë trupë artistike. Në vend se të apelojë për grevë, për kushtet në të cilat punojnë këta artistë të mirë, fotografitë e Shuk Oranit, zhvillojnë protestë artistike. Protesta e tij është e sinqertë, ashtu siç ishte i sinqertë rikthimi në Kosovë.

Kur kësaj folje i shtojmë edhe një emër dhe krijojmë një togfjalësh “Rikthimi i trurit” na bën të ndjehemi krenarë që edhe një artist si Shuk Orani, i cili ka bërë emër në Gjermani, përdor dijen, përvojën dhe imagjinatën për të sjell diçka të re në Kosovë. Dhe këtë e realizon në mënyrën më të bukur.