Do të doja që 'Avenue' të ishte këngë e imja

Kultura September 25, 2017 - 08:16

Nëse ndonjëherë keni qenë prezent mbrëmjeve kur Albulena Jashari këndon live, atëherë me gjasë ju e keni dëgjuar atë tek interpreton shumicën e këtyre këngëve, për të cilat na flet sot në rubrikën javore “Rrëfej përmes muzikës”, ku shpalos edhe kujtime të saj. Pse i flenë në shpirt dhe arsyet se pse shumë prej tyre vendos t’i këndojë para mikrofonit, kur ngjitet mbrëmjeve në skenë, i tregon për “Zërin”, përmes këtij rrëfimi muzikor vetë ajo.

Glory Box - Portishead

Kënga “Glory Box”, nga grupi Portishead, është një ndër këngët e mia të preferuara. Në kohën kur isha adoleshente e dëgjoja shumë këtë grup dhe e veçoj këtë këngë sepse më ngjallte ndjenja të jashtëzakonshme, ndonjëherë edhe meditoja me këtë këngë. Kohët e fundit e kam futur edhe në repertorin e këngëve që i performoj live dhe e këndoj me ëndje.

Hapi sytë

“Hapi sytë” është një këngë mjaft e bukur të cilën gjithashtu e kam në repertor dhe e performoj live në mbrëmjet muzikore. Më pëlqen shumë mënyra se si është e krijuar me mjaft origjinalitet dhe me duket një ndër këngët ma të bukura shqipe.

Orion’s Belt - Sabrina Claudio

Sabrina Claudio është një këngëtare e re, në të cilën kam hasur rastësisht në rrjetin social Instagram dhe kam dëgjuar këtë këngë, të cilën e kishte postuar ajo. Në sekondat e parë të këngës vërejta një super melodi të bukur që më mori me vete. Këtë këngë e kam në listën time të muzikës dhe kishte periudha që e kam dëgjuar një javë rresht, duke e përsëritur non-stop dhe nuk mjaftonte.

When My Anger Starts To Cry – Bady Belle

Beady Belle dhe kënga e saj "When My Anger Starts To Cry" është gjithashtu një këngë mjaft e bukur që e kam dëgjuar në një periudhë jo të mirë që e kisha dhe teksti i këngës lidhej me gjendjen time personale, prandaj është një këngë që kur e dëgjoj tash më krijon një nostalgji për atë kohë.

Avenue – Agnes Obel

Kënga "Avenue" nga artistja Agnes Obel është një ndër këngët më të veçanta dhe më të bukura qe kam dëgjuar në vitin 2010. Këngë e krijuar nga vetë kjo artiste, e cila është edhe kompozitore. Kjo kënge më krijon një qetësi brenda shpirtit, është aq bukur e kënduar dhe ka një melodi aq të bukur sa që do të doja të ishte këngë e imja.

Twist In My Sobriety - Tanita Tikaram

“Twist In My Sobriety” është një këngë me të cilën jam rritur. Kam qenë shumë e vogël kur e dëgjoja dhe vazhdon prapë të jetë një ndër këngët e mia të preferuara. Më pëlqen mënyra se si e ka trajtuar këngën dhe mënyra e thjesht se si e ka kënduar. Kjo këngë është e pavdekshme.

Smooth Operator – Sade

Edhe pse është një këngë që mjaft shumë është dëgjuar dhe gjithashtu e kam në repertor dhe e këndoj gjithmonë me shumë kënaqësi, prapë se prapë është një ndër këngët më të mira të Sade-s. Kjo këngë gjithashtu më jep mjaft shumë hapësirë të improvizoj gjatë kohës kur e këndoj dhe e adhuroj shumë.

Lazarus - David Bowie

David ishte një artist të cilin gjithmonë jam ndal dhe e kam shikuar me vëmendje në televizion kur isha e vogël. Ishte një artist që më bënte mjaft kurioze me pamjen e tij dhe me ndryshimet e tij që bënte në periudha të ndryshme. Kënga “Lazarus” është kënga ime e preferuar, e cila ka një veçanti dhe vazhdoj ta dëgjoj edhe tani. Edhe këtë këngë e kam në listën e këngëve të preferuara.

Selfish Love – Jessie Ware

Jessie Ware është një këngëtare të cilën e kam dëgjuar vitet e fundit dhe e kam vështirë të zgjedh se cila këngë e saj veçohet  për mua për shkak që të gjitha këngët i ka të bukura. Në këtë rast unë po veçoj këngën e saj te fundit “Selfish Love”, një këngë që më bëri të dashurohem në të në momentin e parë që e kam dëgjuar.

Hey Now – London Grammar

Kënga “Hey Now”, nga grupi London Grammar, është gjithashtu një ndër këngët e mia të preferuara dhe zakonisht këtë këngë e dëgjoj kur jam vetëm në dhomë, shtrihem, i mbyll sytë dhe provoj të fluturoj dhe mendoj qiellin! Kjo këngë me të vërtetë me fut thellë dhe më jep një adrenalinë.