‘Eshtrat..’ rrëmben tri çmime në Maqedoni

Kultura September 21, 2017 - 16:57

Shfaqja nga Kosova “Eshtrat që vijnë vonë” me tekst të Teki Dervishit e regji të Martin Kochovsky ka rrëmbyer tri çmime në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit ‘Risto Siskov’ në Strumicë të Maqedonisë, shkruan zeri.info.

Teatri Kombëtar i Kosovës njofton se kjo shfaqje është shpërblyer si shfaqja me regjinë me të mirë, tekstin më të mirë dhe kostumet më të mira.

Këtë festival të rëndësishëm ndërkombëtar i cili është mbajtur me rastin e Ditës së Pavarësisë së Maqedonisë e ka hapur Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev. Të pranishëm në shfaqjen e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ishin edhe ministri i Kulturës të Republikës së Maqedonisë, ambasadorë të akredituar dhe personalitete rajonale e ndërkombëtare të botës së teatrit. Shfaqja kosovare “Eshtrat që vijnë vonë” me tekst të Teki Dërvishit e regji të Martin Kochovskit, u përcoll nga një publik i zgjedhur prej më shumë se 700 vetash.

“Në tryezën e rrumbullakët të organizuar me rastin e premierës kosovare kritikë eminent të rajonit vlerësuan lartë shfaqjen e TKK-së, tekstin, regjinë, ansamblin, strukturën dhe gjuhën avangarde të shfaqjes. Megjithatë, në mediat e instrumentalizuara nga ekstremi shovenist, media të oligarkive të deplasuara politike të dedikuara për të prodhuar ‘fake news’, shfaqja kosovare u cilësua si projekt që promovon ‘Shqipërinë e madhe’”, thuhet në njoftimin e TKK-së.

Vitin e kaluar shfaqja ‘Eshtërat që vijnë vonë’ kishte fituar Gran Prix /Çmimin e madh/ të Festivalit Evropian të Teatrit në Bukuresht të Romanisë. Zëri