Trashëgimia e kolonializmit në Kosovë: Intervistë me Ibrahim Berishën

Kultura September 13, 2017 - 11:39

Kolonializmi i shtetit serb në Kosovë filloi nga mitet, më përpara se i ndërtuar në interesa ekonomike, politike ekspansioniste, - thotë Ibrahim Berisha, profesor në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, Kosovë.

Ai thekson se shtetet evropiane nuk i bazuan pushtimet e tyre koloniale në mite apo ndodhi të projektuar historike, sikur ai i serbëve mbi Kosovën, përmes Betejës së Kosovës në 1389, që kërkonin “ta korrigjonin historinë”.

“Shteti serb ka pasur dhe ka tentuar të realizojnë projektet për spastrimin e plotë të Kosovës nga popullsia shumicë shqiptare”, thotë Berisha në intervistën e dhënë.

Berisha ka botuar një numër librash mbi sociologjinë e komunikimit dhe socio-kulturës dhe kërkimeve sociale. Libri i tij i ri është “Vdekja e Kolonisë”. Ai gjithashtu ka botuar një numër botimesh të prozës dhe poezisë. Një pjesë e punës së tij është përkthyer në një numër të gjuhëve botërore.

-  Në librin tuaj “Vdekja e Kolonisë” ju e përshkruani historinë e Kosovës si histori e një kolonie. Çka nënkuptoni me këtë?

Berisha: Së pari, është e rëndësishme për të qartësuar situatën më duhet të them se dallon kolonialisti, ashtu si dallon i kolonizuari. Në ç’kuptim? Për shembull, kolonialisti dallon në narracionin mbi të cilin e ndërton procesin e kolonializmit si dhe qëllimet (the ends) mbi të cilat e projekton atë.

Kolonializmi i shtetit serb në Kosovë filloi nga mitet, më përpara se i ndërtuar në interesa ekonomike, politike ekspansioniste. Shtetet evropiane nuk i bazuan pushtimet e tyre koloniale në mite apo ndodhi të projektuar historike, sikur ai i serbëve mbi Kosovën, përmes Betejës së Kosovës në 1389, që kërkonin “ta korrigjonin historinë”.

- A mund të thuani më shumë për qëllimet e kolonizimit serb të Kosovës në krahasim me kolonializmat më të njohur?

Berisha: Qëllimi dhe procesi i kolonizimit ndryshojnë dhe kjo pashmangshmërisht luan rol kyç: anglezët nuk kanë pasur shpresë se do ta zbrazin Indinë nga indianët, por Serbia po. Shteti serb ka pasur dhe ka tentuar të realizojnë projektet për spastrimin e plotë të Kosovës nga popullsia shumicë shqiptare. Veprimi politik legjitimohej në bazë të idesë që Kosova duhej të zbrazej nga shqiptarët njëherë e mirë, pavarësisht mjetit, dhe kjo gjë u provua disa herë, më së voni me luftën dhe tragjedinë që ndodhi më 1998-1999. Në këtë “detyrë” nuk ishte ekzekutor vetëm shteti serb, por edhe institucionet religjioze, kulturore, akademike, artistike. Për ta thjeshtësuar, përderisa për francezët Algjeria ka qenë tokë e populluar e algjerianëve dhe ata e kanë pasur të qartë se do të largohen një ditë, për Serbinë, Kosova ka qenë territor i populluar përkohësisht nga shqiptarët, derisa të vinte shpërngulja përfundimtare.

- A mendoni se strategjia e kolonizimit ka qenë e ndërtuar mbi projekte shtetërore apo ishte projektuar nga kolonët?

Berisha: Strategjitë kolonizuese kishin për qëllim të prodhonin efekte konkrete: që nënkuptonte ndryshime socio-demografike në Kosovë. Ndryshoi edhe struktura dhe arkitektura urbane dhe rurale kudo ku vendosen serbët. Historia përqendrohet në Mesjetë duke stilizuar frymëzimin e ndryshimit krahas me imazhe ikonografike, edhe me krijimin e fshatrave dhe qyteteve të reja, me shkolla, rrugë, ekonomi. Në qytete dhe qyteza ishte më lehtë të ndryshonte struktura e popullsisë, mbasi aty vendosej gjithë administrata serbe, nga oficerët ushtarakët, xhandarmëria, me gjykatës dhe pjesërisht politikanë. Pronat që i jepen  kontigjentit kolonist u merren pronarëve të ligjshëm shqiptarë.

Reforma e fundit në komunizëm, një familjeje fshatare i la më së shumti 10 hektarë tokë, livadh e pyje. Kjo ishte fatkeqësia e ekonomisë familjare. Një familje e madhe rurale në vitet 1950 kishte edhe 60 anëtarë dhe vetëm 10 hektarë tokë. Në këtë periudhë nis edhe emigrimi ekonomik. Të rinjtë shkojnë në Beograd dhe qytete tjera të Jugosllavisë për të bërë punë fizike. Argjendarët, bukëpjeskësit, ëmbëltorxhinjtë, pra zejtarët, largohen nga Kosova, sepse prodhimet e tyre nuk kanë blerës. E mira, ata dërgojnë para për familjet në Kosovë.

Në anën tjetër, kolonistët kudo që vendosen kishin përkrahjen e plotë financiare dhe me pajisje nga qeveria qendrore. Si është shprehur ky proces socio-demografik? Nëse në Kosovë më 1912 ishin 5 për qind serbë, më vitin 1939 kjo përqindje arrinte afër 40 për qind. Kolonizimi ndryshoi jo vetëm strukturën demografike, por edhe ekonomike, sociale dhe kulturore. Izolimi i shqiptarëve në fshatra dhe lagje të paurbanizuara në qytete i la të mënjanuar nga dinamika e ndryshimeve sociale. Izolimi vetëm sa i dha shkas politikës të arsyetonte trajtimin e shqiptarëve si qytetarë të rendit të dytë. Kohë të gjatë ata ishin të përjashtuar plotësisht nga e drejta për arsimim (ta zëmë Universiteti në gjuhën shqipe hapet tek në vitin 1970), u varfëruan me humbjen e pronave dhe bënin jetën si në një ishull të izoluar. Prej popujve në ish-Jugosllavi gjuha e tyre nuk ishte sllave dhe ky qe edhe një faktor shtesë i shtrëngimit të izolimit.

- Përgjithësisht mendohet se në periudhën e komunizmit, nën sundimin e Titos, shqiptarët ishin në një pozitë më të mirë politike dhe ekonomike. A është kjo e vërtetë?

Berisha: Qeveria në Beograd nuk u pajtua për të krijuar bashkësi të barabarta, pra shqiptarët dhe serbët të kishin të drejta dhe përgjegjësi të njëjta. Ajo që ndodhi gjatë regjimit të Titos, që filloi pas vitit 1966, mund të përshkruhet si ndryshim kozmetik pa reformim të vërtetë. Shqiptarët ishin kombi i tretë brenda Jugosllavisë për sa i përket numrit të banorëve pas serbëve dhe kroatëve, dhe shteti jugosllav komunist punoi aktivisht në tre dekadat e para të ekzistencës së tij ta ndryshonte këtë fakt. Në vitet 1950 u shpërngulen rreth 200 mijë shqiptarë dhe për t’i shpëtuar dhunës, kishte ndërrim masiv të identitetit kombëtar: numri i “turqve” në Jugosllavi, që janë kryesisht shqiptarë që kërkuan një lehtësim duke e ndërruar identitetin – u rritë për 260%, nga 97,945 në 1953, në 259,536 në 1961.

Gjatë periudhës së Titos, kolonializmi vazhdoi të avancohet. Kosova, e cila është e pasur me resurse minerare: plumb, zing, argjend, linjit magnez, etj., trajtohej si  hapësirë minierash, ndërsa përpunimi i mineraleve kryesisht bëhej në Serbi, Vojvodinë, etj. Kjo ishte arsyeja pse Kosova shënoi rënie të vazhdueshme.

- Si e ka trajtuar sociologjia shqiptare tendencën e ideologjisë serbe për dominim politik, etnik dhe kulturor mbi Kosovën?

Berisha: Sociologjia shqiptare në Kosovë është e re. Temat e trajtuara sporadike u dominuan nga dogmantizmi dhe doktrinarizmi. Vetëm në vitet ’70-të kur u themelua Departamenti i Sociologjisë dhe Filozofisë në Prishtinë është hapur mundësia e studimeve sociologjike dhe të shkencave sociale. Është e hidhur për studimet sociologjike në Kosovë kjo që do të them. Studimet pësuan goditjen, mbasi sociologu më i njohur shqiptar, prof. Fehmi Agani, u ekzekutua gjatë luftës në Kosovë (1999). Vepra më ndikuese e tij është Studime  sociologjike dhe politikologjike. Po kështu, për profesorin e Departamentit të Sociologjisë, Ukshin Hoti, i burgosur politik që në fillimin e viteve ’80-të për liri të fjalës, që nga prilli 1999 nuk dihet asgjë. Ai është në listën e të zhdukurve edhe sot e kësaj dite. Profesor Hoti, i shkolluar në ShBA, ishte më i fokusuari në studimin e temave nga sociologjia politike.

Tani është një grup sociologësh të rinj që kanë zgjeruar gamën e temave, nisur nga ato kulturore, të strukturës, religjionit, barazisë gjinore, komunikimeve, politikës, etj. Sociologët e rinj janë të shkolluar kryesisht jashtë dhe kjo do të jetë shumë e dobishme pasi ata sjellin përvoja metodologjike dhe tematike të ndryshme. Mbase është e mirë se nuk ka një orientim të studiuesve për të rënë në “studime politikash ditore” të cilat shërbejnë më shumë për propagandë se sa për të ndihmuar perspektivën kritike të sociologjisë. 

- Cilat janë pasojat e kolonializmit sot?

Berisha: Ne tani mund të flasim për një periudhë të poskolonializmit. Mbas një periudhe të vështirë, shoqëria kosovare është duke krijuar perspektivën, me synimin kryesor për t’u integruar në institucionet më të rëndësishme financiare, politike dhe kulturore ndërkombëtare. Sidoqoftë, ky integrim, natyrisht sado që krijon një përshtypje në të parë të një perspektive më të madhe, ai nuk prodhon atë që presin qytetarët. Zhgënjimi, demobiliteti, papunësia (sidomos e të rinjve), rikthejnë kujtesën e së kaluarës dhe trashëgimive të diskriminimeve dhe nënçmimeve të kaluara.

Dështimet e politikave për të krijuar një barazi më reale sociale e kanë vështirësuar edhe më tepër perspektivën e të rinjve. Shumica e të rinjve synojnë të largohen jashtë Kosovës, duke shikuar tregun global të punës si mundësi për të krijuar të ardhmen. Por, për të krijuar punëtorë për tregun global, kërkohen investime dhe ndryshime në sistemin e arsimimit.

- Si kanë reflektuar kiçi, miti, glorifikimi, indoktrinimi dhe propaganda në rrethanat autoritare në Kosovë dhe si kanë ndikuar në krijimin e inferioritetit tek shqiptarët? Në të kundërtën, cili ishte potenciali rezistues dhe reaksionar i shqiptarëve?

Berisha: Ballkani është kopsht i madh i iluzioneve, tani dhe në të ardhmen. Kush mund të jenë bartës të këtyre “memorieve të lavdishme”? Intelektualë, artistë, politikanë mediokër. Ata përdorin  armën e fuqishme, fjalën e madhe, patetizmin, atdheun dhe kombin, heronjtë, mitet, për të gjetur strehën e rehatisë publike. Gjuha e tyre është e dominuar nga folkpatriotizmi dhe glorifikimi mbështetur nga arroganca dhe kërcënimi. Ata mbështesin politikanë që përleshen për pushtet pa pasur interesim për ata mbi të cilët sundojnë. Shumë prej tyre jetojnë në të kaluarën, duke kërkuar vëmendjen e publikut duke luajtur me emocionet e njerëzve që duan punë dhe mirëqenie.

Në një ambient social sikur i joni, indoktrinimi është i përhapur gjerësisht. Gjatë pesë viteve të fundit shumë të rinj iu bashkuan ISIS-it në Siri dhe Irak, duke iu përgjigjur propagandës që mbushë boshllëkun politik dhe luan me sensin e tyre të shpresës.

- Çfarë roli luan sot konteksti i Jugosllavisë në politikën e Kosovës?

Berisha: Jugosllavia tani është një histori. U krijua pas një lëvizjeje kulturore dhe politike që u frymëzua nga afërsitë dhe piktakimet historike, nacionale, gjuhësore, etj., të sllavëve të jugut. Ishte një krijesë që nuk mbijetoi sepse nuk u ndërtua mbi parime dhe vlera të barazisë. Shqiptarët pësuan në të gjitha mënyrat, prandaj imagjinimi i Jugosllavisë sot nuk ka vend në vetëdijen e tyre politike.

Intervistoi Labinot Kunushevci, master i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës.

(Ibrahim Berisha ka lindur në Kosovë. Ka përfunduar studimet universitare në Filozofi dhe Sociologji në Prishtinë, ndërsa studimet pasuniversitare në Zagreb, Kroaci. Berisha është titullar i doktoraturës në sociologjinë e komunikimit. Ka punuar si gazetar dhe redaktor në një numër të gazetave dhe revistave në Kosovë dhe jashtë saj. Aktualisht ai jep mësim në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, Kosovë. Ai ka botuar një numër librash mbi sociologjinë e komunikimit dhe socio-kulturës dhe kërkimeve sociale.)

]