'The Pink Panther Theme', melodi e të gjitha kohërave

Kultura September 11, 2017 - 08:52

Kësaj radhe në rubrikën javore të “Zërit”, dedikuar muzikës, ju prezantojmë listën e veprave të zgjedhura të muzikantit Artan Hasani. Në “Rrëfej përmes muzikës” Hasani na shpalos përshtypjet e tij për krijime vërtetë të veçanta që kanë lënë gjurmë. Ai  e nis me Erik Satie dhe e përmbyll me  Edvard Grieg.

Hasani është muzikant me prejardhje nga Maqedonia. Ai nëntë vite ka punuar si profesor në Shkollën e Mesme të Muzikës "Çesk Zadeja" në Ferizaj dhe prej pesë vitesh punon në Prishtinë, në Shkollën e Mesme të Muzikës "Prenk Jakova". Artani ishte pjesë e grupit të njohur “Latino Bend” dhe gjatë karrierës së tij ka pasur rast të punojë me muzikant të dëshmuar. Së fundi vepra e tij "Labyrinth" u interpretua edhe në Japoni.

Erik Satie - Gymnopédie No.3 ( versioni i orkestruar nga Debussy)

Eric Satie është një kompozitor Parisien avangard që ka jetuar në të njëjtën kohë me Claude Debussy dhe Moris Ravel dhe që të dy kanë pasur respekt të madh për të. Me Debussy është njohur rreth viteve 1888-1890, ndërsa në vitin 1893 Eric Satie njihet me një djalë të ri me emrin Moris Ravel, i cili më vonë do bëhet kompozitor i njohur. Respektin që kanë pasur Ravel e posaçërisht Debussy për muzikën e Eric Satie e kuptojmë nga vepra “Gymnopedie No.3”,  ku si orkestrues i veprës është pikërisht Debussy. Një kompozitor i madh si Debussy të bëjë orkestrimin e veprës të kompozuar nga dikush tjetër, tregon çartë për influencën e madhe që ka pasur ky kompozitor në përudhën kur ka jetuar. Ekziston edhe versioni i parë i Gymnopedie No.3 (për piano).

Henry Mancini - The Pink Panther Theme

Një ndër temat me karakteristike në muzikën skenike është padyshim “The Pink Panther Theme”. Kjo muzikë instrumentale është kompozuar enkas për filmin vizatimor ‘’The Pink Panther” dhe ka qenë e nominuar për “Academy Award for Best Original Score” në vitin 1964, vetëm një vit pasi është kompozuar. Më bën përshtypje shumë ngjyrimi i Jazz-it në këtë vepër e sidomos përdorimi i sekondave (term muzikor i distancës mes tingujsh) në mënyrë sekuentive dhe të modifikuar në retrogradë të kthyer së prapthi.

Braveheart – James Horner

Kjo vepër orkestrale e gjatë 77 minuta ka ndikuar tej mase në vlerën e filmit duke i dhënë secilës skenë në film, efektin e duhur. Regjisori i filmit, Mel Gibson, ka bërë përzgjedhjen e duhur për kompozitorin e këtij filmi jo vetëm për çmimet që ky kompozitor i ka fituar por posaçërisht për inkorporimin e elementeve te muzikës kelte (Celtic Music) për të cilat është i njohur kompozitori dhe elementet e tilla është dashur patjetër të përdoren në këtë film, duke e pasur parasysh përmbajtjen e filmit ku kemi të bëjmë me popuj me prejardhje kelte si skocezët, irlandezët, por dhe anglo-saksonët.  James Horner, njihet si njëri ndër kompozitorët më të mirë të këtij shekulli, sidomos me muzikën për filmat: Titanic, Avatar, Lady in Red, Star Trek II, Braveheart etj. Vdekja e tij në vitin 2015 ka qenë humbje e madhe, posaçërisht për film-bërësit e mëdhenj botërorë të cilët kanë qenë të apasionuar pas muzikës së tij.

Edvard Grieg - In the Hall of the Mountain King 

Kjo është ndër veprat që më kanë lënë mjaft përshtypje e posaçërisht për shkak të temës e cila në literaturën botërorë e ka gjetur rrugën e popullaritetit dhe është aranzhuar nga autorë të ndryshëm. “In the Hall Of The Mountain King” është vepër orkestrale e Edvard Grieg e kompozuar në vitin 1875. Në fillim, kjo vepër është  kompozuar si vepër skenike për një performancë teatrale, por më vonë kompozitori e ka kompletuar si pjesë finale në suitën e tij “Peer Gynt”.

Carmina Burana – Carl Orff

Kantatë skenike e bazuara në 24 poemat e koleksionit mesjetarë “Carmin Burana”. 

Si vepër është e ndarë në 5 kohë dhe në 25 pjesë-total. Më e njohura është pjesa e parë ( O Furtuna), e cila është e përsëritur edhe në fund (pjesa 25). Kombinim fenomenal i korit dhe formacioneve me të vogla brenda korit me orkestrën.

Shpesh ndodh që kori të këndojë vija të njëjta melodike dhe në asnjë mënyrë të mos tingëllojë si muzikë amatore, por përkundrazi mjaft madhështore.

Homagium Matri Teresiae (Homazh për Nënën Terezë) – Mendi Mengjiqi

Nga vetë titulli kuptojmë që vepra i është dedikuar nënës Terezë.

Oratoriumi i dimensioneve të mëdha më tingëllimë të veçantë dhe kombinim fantastik të instrumenteve të tunxhit me korin. Përdorimi i instrumenteve me harqe tregon  mjeshtërinë e kompozitorit dhe në disa vende jep përshtypjen e muzikës së filmit me veçantinë e tij të pamohueshme. Vepër madhështore dhe me elemente të muzikës shqipe, por të gërshetuara me harmoni moderne.

Symphony Nr. 5  - Gustav Mahler

I ndikuar mjaft nga J.S.Bach ( posaçërisht nga teknika e kontrapunktit të Bach-ut) vërejmë elemente kontrapunktike mjaft interesante posaçërisht në kohen e dytë, të tretë dhe të pestën. Kjo simfoni karakterizohet me paraqitjen e trumpetës solo në fillim, me një vijë melodike, me nota të përsëritura që përfundon në tercë( term muzikorë për distancën mes tingujsh). Koha e katërt e kësaj simfonie është pothuajse emblematike për këtë simfoni dhe në përgjithësi për veprimtarinë e Mahler.

Moonlight Sonata -Ludëig Van Beethoven

Vepër mjaft qetësuese që karakterizohet më një përcjellje me triola. Fshehja e vijës melodikë brenda këtyre triolave krijon një tension të çuditshëm me një atmosferë sa trishtuese aq edhe meditative. Kjo vepër ka qenë frymëzim për të shkruar veprën time “Raining” - Duo pianistike për katër duar.