Kënga në dimër ishte zgjedhja ime

Kultura September 09, 2017 - 09:03

Në rubrikën e rregullt të së shtunës, prezantojmë Skёnder Blakajn (1945), i cili ka punuar si profesor nё Pejё dhe si gazetar nё TV të Prishtinёs, pastaj si kryeredaktor i revistave “Ekskluzive” dhe “Albanica”. Blakaj ka botuar librat “Skёnderbeu/Scanderbeg”, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, “Letёrkёmbime tё Rilindjes Kombёtare Shqiptare” (me I. Ismailin) dhe “Ndjekje”. Jeton nё Prishtinё dhe nё Durrёs.

Cilёn pyetje mё shumё ia bёni vetes?

Mos po e ha haram bukёn e atdheut? A ia kam larё borxhin me sa kam bёrё? Patjetёr qё mund tё bёja mё shumё. Por Atdheu kёrkon shumё, sidomos atdheu i shkelur siç ishte Kosova jonё. Nё kёtё fill tё mendimit tё gufon edhe pyetja: si janё veteranёt e luftёs intelektuale, qё u dogjёn pёr ngritjen e ndёrgjegjes kombёtare, ata qё Visar Zhiti i quan “UÇK-ja e kulturёs”? A mendon kush pёr arsimtarёt qё e mbajtёn gjallё shkollёn tonё pёr dhjetё vjet me sakrifica tё pashoqe? Jusuf Gёrvalla, tё cilin e kisha mik shpirti, te njё kёngё e thotё aq mrekullisht: “Kёndo bilbil nё dimёr’o, se nё maj kёndon kushdo, edhe zogu i qyqes’o“. Besoj se kёnga nё dimёr ka qenё zgjedhja ime. Tani, le t’ia thonё qyqet, pse jo?

Cili ёshtё udhёtimi juaj i zakonshёm brenda njё dite?

Unё dhe zonja ime Igballja, ishte profesoreshё e gjuhёs, pastaj drejtoreshё nё Gjimnazin e Prishtinёs dhe drejtoreshё nё Shkollёn Amerikane tё Kosovёs, ka disa vite qё jemi nё pension. Jetojmё sa nё Prishtinё, sa nё Durrёs. Ritmi ditor ёshtё pothuaj i njёjtё, por jo monoton. Kafeja e mёngjesit, e hijeshuar me shumёçka, gjimnastikё ja ecje intenzive nё Gёrmi, ose buzё detit, kur jemi atje, lexim i portaleve, pastaj skicime e punё rreth ndonjё libri. Pos punёve tё veta, mё mban shёnime, radhitje e korrigjime tekstesh. Vizita vendeve, sidomos atje. Po ditёt mё tё kёndshme i kemi kur bёhemi bashkё me ndonjёrën nga familjet e fёmijёve tanё, qё janё shumё tё suksesshёm: Albulena, Etleva, Besarbi, Paraylla. Me djalin jetojmё nё njё shtёpi. Nё Durrёs e Tiranё kemi miq krejt tё jashtёzakonshёm e shumё tё nderuar nё botёn shqiptare.

Cili libёr qёndron mё dukshёm nё vitrinёn e kujtesёs suaj?

Kadareja, Kadareja, Kadareja. Cilёn vepёr tё tij tё veçoj? Kёto ditё i rilexova dy veprat e tij brilante: “Darka e gabuar” dhe “Katёr pёrkthyesit”. Vetvetes dhe tё katёr fёmijёve, nё raste tё ndryshme, ua kam blerё dhuratё kompletin e veprave tё Kadaresё. E kam edhe nё formёn elektronike. I. Kadare ёshtё monument kolosal i kulturёs shqiptare nё botё. Pse ua prish gjumin kjo brejtёsve qё rrёmojnё te kёmbёt e kёtij monumenti? Po e pёrmend edhe njё qё shkёlqen nё bibliotekёn e familjes. Ribotimi im i kompletit monumental “Illyricum Sacrum”, 2004. Nёntё vёllime, tё formatit tё madh 38X26, nё afro 5500 faqe, dalё sё pari me 1751 e tutje, me nxitjen e pёrkrahjen direkte tё Papё Albanit. Aty është historia jonë nga viti 1238 para Krishtit e deri më1910 të epokës sonë.

Si ndiheni nё kёtё krizё tё thellё morale, pёrkatёsisht identitare?

Shoqёrinё shqiptare, tё gjitha copat e saj, nё Shqipёri, nё Kosovё, nё Maqedoni, nё Preshevё, nё Ulqin, e “udhёheqin” trimat. Tё mençurit lёshojnё udhё, sepse shtyhen e shpёrfillen. Trimat janё agresivё, tё pangopshёm, i vёrsulen pushtetit dhe na qeverisin me fuqinё e mendjes sё tyre. E shkelin edhe gjakun e plagёt e shokёve tё vet. Pol Tabori, qё ka bёrё njё histori tё marrёzisё botёrore, thotё se marrёzia u dhemb tё tjerёve, jo atij qё e ka. Ku dihet sa do tё jetojmё me kёso dhimbjesh?

Çfarё mund tё thuash pёr kulturёn dhe zhvillimin e saj?

Kosova ёshtё njё territor me shtet tё zbehtё, qё e ruan frika, si dhitё nё mal. Dhe tё jashtmit qё e kanё marrё pёr obligim ta shtyejnё tutje kёtё projekt aq tё zorshёm pёr shqiptarёt. Shteti krijon sistem nё ekonomi, nё kulturё, nё sporte. Majlinda Kelmendin e ka krijuar zelli e pёrkushtimi i saj dhe angazhimi i trajnerit tё mrekullueshёm, jo shteti. Shtetin e ka trandur vetёm rreziku se mund tё mbeteshim pa tё. Edhe nё kulturё ka shpёrthime, por jo sistem. Shihni ta zёmё qё Agim Sopi ёshtё rezultat i vetvetes. Gati njёqind shpёrblime botёrore pёr filmin, dhe mё duket se s’kishte lekё ta marrё asnjёrin nё vend ose, nёse shkoi a e priti ndokush nё aeroport me lule? A mos ka ndonjё projekt afatgjatё, edhe mbarёkombёtar pse jo, qё e nisi njё ministri dhe e vazhdoi tjetra? Aman, kujtojini ministrat e kulturёs çfarё ishin!

Si ishte dje, si ёshtё sot dhe si do tё jetё nesёr?

Mё duket se nuk po e kuptoj pyetjen si duhet. Fundja, mendimi qё nuk ndryshon gjё as nuk vlen tё thuhet. Megjithatё, le tё them qё kёto janё ditё shumё tё mira pёr kombin tonё, me Kosovёn brenda kёtij pёrkufizimi, sigurisht. Ama, po tё mos jemi tё vёmendshёm, fati mund tё na e kthejё shpinёn. Po del ajo e Kadaresё qё “robёria ёshtё e vёshtirё, por as liria nuk ёshtё e lehtё”.

Njё pikturё, njё poezi, njё kёngё dhe njё film qё do t’i kishit veçuar?

Piktura “Motra Tone” (1883), e shkodranit tё shumanshёm Kolё Idromeni. Ёshtё e kulturёs sё vogёl, se afrojeni ngat a ngat me “Mona Lizёn” dhe shikojeni! Poezia ”Naim Frashёrit” e Lasgush Poradecit. Kёnga ”Jam shqiptar e Kosovar”, me vargjet drithёruese tё Mitrush Kutelit, tё cilat aq fuqishёm thonё gati gjithçka pёr ne. Filmi “Skёnderbeu” (1953) i bashkёpunimit shqiptaro-sovjetik. E pёlqej pёr temёn, pёr Heroin tonё, kur ishim ndёr mё tё fortit e botёs. Edhe pikёllohem kur e shoh qё jemi kaq tё pazotёt tё prodhojmё gjё tё ngjashme. Me 17 janar 2018 mbushen 550 vjet qё kur Gjergj Skёnderbeu “kaloi nё jetё mё tё mirё”, siç shkruan biografi i tij i parё, ipeshkvi i Ulqinit, novobёrdasi Martin Segoni, diku me 1480. Nga tё jashtmit, filmi “Ben Hur”, heroi i luftёs ebreite kundёr pushtimit romak, me Çarlston Hestonin nё rolin kryesor.