Skënderbeu, në mesin e trimave trim i vërtetë

Kultura August 18, 2017 - 09:05

"Çka është në mesin e poetëve Shakespeare, të oratorëve Fox, të komandantëve Napoléon, ky është Skënderbeu në mesin e trimave trim i vërtetë"!

Kështu shkruante Ferdinand (Ferdo) Maksimilijan pl. Šišić (1869 - 1940), njëri ndër themeluesit e historiografisë moderne kroate, në parathënien e studimit të tij të njohur kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, më 1901. Dorëshkrimi autograf i këtij studimi të autorit Šišić ruhet në fondet e Arkivit HAZU (Arhiv Hrvatske Akademije Znanosti i Umjetnosti, Zagreb). 

Tërheq vëmendjen fakti se, studimi në fjalë, i historianit të madh kroat, mund të merret edhe si përgjigje ndaj disa historianëve grekë e serbë, të cilët në fillimet e shekullit XX trumbetonin zhurmshëm kundër historisë shqiptare përgjithësisht dhe Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në veçanti. Në këtë kontekst shkruante edhe për origjinën e Skënderbeut duke theksuar se, ngatërresat kanë nisur me kronikën e Konstantin Muzakës (Musachi), i cili nënën e Heroit e quante tribale. Mirëpo, sipas studiuesit Šišić, Muzaka nuk kishte të drejtë, meqë këtë e bënte me qëllim për ta nëpërkëmbur rëndësinë historike të Skënderbeut karshi familjes Muzaka. Nuk kishte të drejtë as ndonjë historian tjetër, që duke iu referuar Muzakës, ngatërrojnë konceptet etnike të shfaqura në periudhën e Humanizmit. Në këtë kontekst i referohet edhe njohësit më të mire të rrethanave historike në Ballkan, prof. Konstantin Jireček.