'Anibar' rikthen qytetin

Kultura August 17, 2017 - 08:41

Edicioni i tetë i Festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar “Anibar”,  po shpalos si temë të edicionit rikthimin e qytetit nëpërmjet aktivizimit të hapësirave publike të qytetit. I nisur më 14 gusht në qytetin e Pejës, ky edicion do të zgjas deri më datën 20.

Në ditën e dytë, “Anibar” filloi aktivitetet e tij me hapjen e pesë workshopeve në lokacione të ndryshme prej orës 10:00. 

Aty rreth 50 të rinj, të interesuar për animacion, mësuan rreth punimit të një filmi të animuar me teknika të ndryshme, kurse mbrëmjen e së martës, në Galerinë e Arteve në Pejë, u hap retrospektiva e animatorit më të shquar zviceran Georges Schwizgebel. Ekspozita e tij do të jetë e hapur deri më datën 20.

Duke e rikthyer qytetin, “Anibar” synon të reflektojë një ndërgjegje më të mirë të shoqërisë në raport me hapësirat publike.

Rregulloret e qeverisë dhe sektorit privat kanë qenë baza prapa një fuqie të vazhdueshme mbi atë se si të tjerët bashkëveprojnë me qytetin dhe si një kolektiv njerëzish që nisën “Anibar”-in para shtatë viteve, nxisin të promovojnë faktin se hapësirat publike u takojnë publikut.

“Tema jonë këtë vit është një nismë, të cilën shpresojmë ta themelojmë dhe ta sfidojmë, jo vetëm këtë edicion të Festivalit, por edhe gjatë viteve të ardhshme. Kjo nismë është përgjigje ndaj një elite të aktorëve që shkaktojnë shpërbërje të marrëdhënieve me hapësirat publike, ose edhe më keq, duke e ushqyer mungesën e produktivitetit dhe harresën. Qasja jonë për rikthim është një sinjal mbi kreativitetin e qytetit, duke ftuar qytetarët, madje edhe vizitorët që të na ndihmojnë në zhvillim, dhe që të kemi intimitetin me hapësirat publike jo vetëm gjatë Festivaleve. Ky projekt ka për qëllim të eksplorojë të dyja: natyrën dhe peizazhin urban, të renë dhe të vjetrën, në mënyrë që të gjallërohet përdorimi i hapësirave të pajetë.”, deklaruan organizatorët.

Për vite tashmë, “Anibar” ka arritur një pozitë të dukshme në portofolin kulturor të Kosovës.

Është bërë pothuajse një dekadë pune e palodhshme dhe përkushtimi ndaj rezistimit të pasivitetit kulturor dhe mungesës së llojllojshmërisë në arte dhe kulturë.

Çdo vit ky festival i bashkon të rinjtë dhe të moshuarit, nga Kosova dhe jashtë saj, për të festuar një komunitet të shumëllojshëm të regjisorëve, artistëve, e talenteve.

Në dy edicionet e kaluara, festivali “Anibar” ka folur për migrimin dhe ngrohjen globale, tema të cilat janë pritur mirë dhe janë duartrokitur nga shumë.  /ZËRI/